Andej-Këtej

Parisi sot në syrin e Luan Ramës

Parisi… Gjithçka mund të fotografosh në këtë qytet. Njerëz, sheshe, rrugë, botë humane. Mjafton të ngresh aparatin dhe ti ndalon të fiksosh një imazh. Pasi imazhet flasin vetë, ata kanë gjuhën e tyre. “Fotografia flet vetë” thoshte Sontag. Çdo detaj flet, çdo objekt. Varet se me ç’gjuhë u drejtohemi, si u flasim. Një portret i hutuar diku, një rrugicë që kthehet e humbet në gjysmë errësirë, një e dashuruar që pret dikë buzë një ure si në imazhe e një Doisneau, Capa, një endje e dehur, e dëshpëruar, një degë e bulëzuar, një portë, një copë qiell ku një dorë duket se ka kaluar me furçë një fasho të bardhë resh për të thyer monotoninë e kaltërsisë së pafund.

Gjithçka është për t’u fotografuar, në Paris apo në Tiranë, kudo, në çdo kënd të botës, mjafton të qëndrosh, të vëzhgosh, të pikasësh atë çka e bën unike dhe universale njëkohësisht. Aparati është thjesht një plus teknologjik, nuk është gjithçka. Kjo më kujton historinë e fotografit amerikan Man Ray, fotografin e parë të surealizmit, i cili jetoi në Francë. Një ditë, një princeshë që pëlqente artin, dhe në veçanti fotografitë e tij, kureshtare e pyeti se cila ishte magjia e tij, vallë aparati i tij? Dhe ai iu përgjigj se rëndësi ka syri, jo aparati. Një histori e thjeshtë… Ja pra, jeta ballë nesh. Unë nuk jam Man Ray, as pinjoll i tij. Jam një qytetar i zakonshëm që ndonjëherë më pëlqen të fotografoj, të fiksoj gjurmë në portretet njerëzore, por dhe në gjymtyrët e një qyteti. Thjesht, për të kundruar gjatë mbi ta, thjesht për t’ia treguar një miku, pasi e di që dhe ai do më tregojë diçka. Eshtë diçka e çuditshme ajo çka ndodh brenda “camera obscura”…

©Luan Rama