Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 13) - Nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kacimicrri futet pa u ndjerë në xhepin e vrapuesit më të shpejtë të botës, amerikanit Luis.

 Na ishte se ç’na ishte. Na ishte një Spanjë buzë Detit Mesdhe. Në këtë Spanjë na erdhi Kacimicrri. Këtu në Spanjë po zhvillohej Olimpiada. Kishin ardhur sportistët më të mirë nga e gjithë bota. Ca vraponin, ca kërcenin, ca notonin e ca loznin me top. Ai që dilte i pari, merrte medalje prej ari. I dyti nga vëndi, merrte medalje argjëndi. I treti, po t’i themi jo rrëshqitazi po rrëshqonzi, merrte medalje prej bronzi.

Ec e ec dhe Kacimicrri arriti te stadiumi i Barcelonës. Barcelona ishte një qytet i madh në Spanjë. Ishte një qytet buzë detit Mesdhe.

Te hyrja e Stadiumit kishte shumë policë dhe roje që kontrollonin gjithë biletat e njerëzve. Kacimicrri nuk kishte pezeta spanjolle[1] për të blerë biletë dhe për t’u futur në stadium. Ai, po të donte, edhe mund t’u rrëshqiste rojeve dhe policëve e të hynte në stadium pa e parë njeri, se ishte fare i vogël. Por as që i shkonte ndër mend një gjë e tillë. Kacimicrri e dinte se po ta shihnin si pa dashje rojet dhe policët, do ta kapnin e pastaj do ta nxirrnin në televizor duke thërritur:

  • Ja, e kapëm një shqiptar pa biletë! Shikojeni!

Dhe hajde të dëgjoje një javë të tërë trumbetat e gjithë televizorëve të botës se ishte bërë nami… se në Spanjë, në Barcelonë, në stadiumin olimpik na qënkesh kapur një shqiptar i vockël-i vockël sa një gisht e pa asnjë grosh në xhep, që paska bërë një krim të madh se ka bërë përpjekje të hyjë brënda pa biletë.

Atëhere Kacimicrri u mendua dhe u stërmendua. U vesh me tuta si sportist, vuri stemën e Shqipërisë në gjoks dhe vendosi të presë mikrobuzin e sportistëve shqiptarë. Por këta sportistë kishin bërë gabim shumë të madh. Ose më mirë të themi se kishte bërë gabim ai xhaxhi që quhej Komiteti i Fiskulturës. Ky na i shiste me para sportistët më të mirë jashtë Shqipërisë, ose po të qëndronin në Shqipëri, i ushqente vetëm me spinaq. Kështu që punët kishin vajtur keq atje në Olimpiadë. Një sportist shqiptar që jetonte në Greqi, bëri një mrekulli. Doli i pari dhe morri medalje prej ari. Ngriti peshën më të rëndë. Mirëpo greku përfitoi nga kjo fitore. Në vënd që të ngrihej flamuri i Shqipërisë për medaljen e artë të sportistit shqiptar, na u ngrit flamuri i Greqisë. Prandaj më mirë do të kishte qënë të çonim në olimpiadë Katallanin, Dhelprën Dinake, Hyrijen e Detit gjysmë peshk e gjysmë vajzë bukuroshe, Qerozin, Lepurush Veshkaushin, Vëërrr Topuzin e Kacimicrrin. Me siguri, sejcili prej këtyre do të dilte i pari dhe do të merrte medalje prej ari. Po ku marrin vesh ata trajnerët tanë nga puna e sportit !

Prit e prit Kacimicrri se mos vinte mikrobuzi i sportistëve shqiptarë. Prit e prit e hiç. Erdhi autobuzi me sportistë italianë. Erdhi autobuzi me domenikanë, me gjermanë, me mozambikas, me anglezë, me danezë, me neozelandezë. E kush nuk erdhi. Vetëm shqiptarët nuk erdhën. Kacimicrrit i erdhi shumë keq. U mërzit dhe u stërmërzit. Gati mbeti pa hyrë në stadium. Kur, për fat, u afruan tre autobuzët e fundit. Këta ishim mbushur plot me sportistë amerikanë, të cilët i kishin uniformat nga të dy anët me flamujt e Amerikës.

Kur zbritën nga autobuzi, Kacimicrri u habit dhe u stërhabit. Ai priste të shihte njerëz të bardhë, kurse ata ishin po thuajse të gjithë zezakë. I pari zbriti një goxha sportist me flokë të shkurtra kaçurela-kaçurela, të cilat dukeshin sikur nuk ishin flokë, por tela të hollë çeliku. Ky sportist e kishte harruar xhepin e djathtë të bluzës së tutave hapur. Atëhere Kacimicrrit i lindi një mendim. Kërceu dhe pa u ndjerë hyri në xhepin e atletit të bëshëm amerikan. Kaloi një copë kohë, pastaj kaloi edhe një copë kohë tjetër e Kacimicrri u gjet brënda në stadium. Pa biletë që pa biletë…

Kur atletët u xhveshën dhe u bënë gati për të vrapuar, Kacimicrri doli nga xhepi i bluzës së tutave, hapi fjalorin, të cilin e kishte marrë me vete te kapitulli spanjisht-shqip dhe zuri vënd në një cep, te finishi, aty ku mbaronte vrapi njëqind metra për të parë se kush do të dilte i pari.

Krisi revolveri dhe vrapuesit fluturuan. Kacimicrri u gëzua dhe u stërgëzua sepse i pari, me medalje ari doli ai zezaku amerikan tek i cili ishte futur në xhep. Ai na e kishte patur mbiemrin Luis. Stadiumi u ngrit në këmbë… Kuptohet, jo stadiumi por njerëzit që ishin në të. U ngrit flamuri i Amerikës. Njerëzit thërrisnin:

  • USA! USA! Amerika! Amerika!

Vrapuan sa vrapuan atletët, kërcyen sa kërcyen së larti e së gjati, me një hap e me tre hapa, flakën shtiza, disqe e gjyle dhe pastaj garat mbaruan.

Nga stadiumi Kacimicrri doli lirshëm. Vetëm u kujdes e u stërkujdes që të mos e shtypte njeri me këmbë. Iku një natë dhe erdhi një ditë tjetër. Natën Barcelona ndriste e stërndriste nga dritat, kurse ditën zhurmonte e stërzhurmonte nga këngët, rroku, çirrmat dhe duartrokitjet. Kur pas pak na u dëgjuan ca thirrje.

  • Në Badalonë! në Badalonë!

E ç’ishte kjo Badalona? Njerëzit u drejtuan për në Badalonë dhe Kacimicrri u nis për në Badalonë, si gjithë të tjerët. Ajo ishte një sallë me një skenë çfaqjesh në mes, të rrethuar me litarë, ku boksierët i thyenin hundët njëri-tjetrit. Aty, me të vërtetë, ai treçerek zezaku nga Zelanda e Re e papagajve, doli i dyti nga vëndi dhe morri medalje argjëndi.

Iku edhe një natë dhe erdhi përsëri një ditë tjetër.

  • Në Badalonë ! në Badalonë!

Njerëzit u drejtuan përsëri për në Badalonë dhe Kacimicrri shkoi pas tyre. Atje po loznin basketboll, kush ta fuste më shumë topin në kosh. Edhe këtu, kush dilte i pari, fitonte medalje ari. I dyti nga vëndi merrte medalje argjëndi. Njerëzit thërrisnin aq shumë, sa ishte rrezik të çanin fytin dhe pastaj të vinin e ta qepnin te ai mjeku që quhej kirurg.

  • USA! USA! Amerika! Amerika!

Filloi ndeshja. Mbaroi ndeshja. Fitoi përsëri Amerika e madhe. Humbi Kroacia e vogël, e cila edhe këtu humbi me forcat e veta. Kacimicrri kësaj rradhe as u gëzua e as u stërgëzua si në stadium, kur fitoi në vrap ai atleti që e kishte mbajtur në xhep, me emrin Luis. Çudi! Të gjithë sportistët amerikanë ishin zezakë. Zezakë atletët e zezakë basketbollistët. Edhe një i bardhë që luajti me ta, luajti vetëm një minutë dhe nuk futi asnjë top në kosh. Kacimicrri u mendua e u stërmendua përsëri. Pastaj tha me vete. Unë jam shtatëqind vjeç. Këmbët i kam shtatëqind vjeçe. Edhe trupin, edhe kokën i kam shtatëqind vjeçe. Po kështu, ama, nuk kam parë. Edhe analfabet nuk jam. Edhe shkollë me dëftesë nuk kam mbaruar. Por këto shtatëqindë vjet kam parë, kam dëgjuar e kam mësuar më shumë se shtatëdhjetë profesorë të Universitetit. Mos kujtoni se po lavdërohem. Asnjë profesor i sotëm Universiteti, për shembull, nuk ka jetuar në Mesjetë si unë. Nuk e ka parë as malin “Sazan hapu e Sazan mbyllu“! Nuk ka parë me sy se si fshatari dhe zezaku rriheshin me kërbaç, kur punonin në arë. Unë kësaj i them të mos dish vetëm teori e të mos flasësh vetëm duke lexuar libra. Po ti dish të gjitha edhe nga praktika, që do të thotë, t’i shohësh edhe me sy e t’i prekësh edhe me dorë, t’i dëgjosh me veshë dhe pastaj të të dalë edhe ty një barrë djersë duke punuar, ose të të përshkëndritet fytyra nga baruti duke luftuar… Prandaj them se atje në Barcelonë të Spanjës u habita dhe u stërhabita. Gjithë ajo Amerikë ! Gjithë ata milionë amerikanë të bardhë mundën ta zënë vëndin e dytë në olimpiadë vetëm nga sportistët e tyre zezakë që i përfaqësuan me aq zotësi… Si kështu, moj Amerikë ? Ju sot thoni se “Ne jemi demokracia e të bardhëve dhe të zinjve!" Shumë bukur! Po kush e pagëzoi këtë demokraci? Ju ua falët të zinjve, apo të zinjtë ua rrëmbyen me mëndjen e tyre të ndritur?

Dale, dale, mos i nxehni gjakrat! Do të bisedojmë përsëri bashkë dhe jo një herë…

Këtu, Kacimicrri i vuri pikën përrallës së parë dhe të fundit në këtë libër. Na ishte se ç’na ishte, një Amerikë që sportistët thuajse të gjithë zezakë i kishte…

Shpjegime: 

[1] Pezeta spanjolle ishte monedha e vjetër e Spanjës nga 1868 deri në vitin 2002, kur u zëvendësua me euron.

(vijon..)

 

Copyright © Të gjitha të drejtat mbi veprën e autorit Bedri Dedja i takojnë familjes së tij.