Fëmijët

Të vegjlit 

  • Published in Fëmijët

Të vegjlit - nga Naim Frashëri

Lerini gjithë të vijnë 
të vegjlit pranë meje. 
Ah! mos i bëni të qajnë, 
kurrë të mos mallëngjehen, 
sytë ulur të mos i mbajnë 
dhe të meken e të ndehen, 
po të qeshin, të nxitojnë, 
të bredhin e të gëzohem, 
të prehen e të këndojnë 
e kurrë të mos mendohen. 
Më të vjen keq t'u mardhë dora 
e faqëza bukuroshe, 
kur bie e shkreta dëbora, 
dhe këmbëza vogëloshe. 
Më k'ënda t'u mbaj në duar... 
................................................ 
N'atë sy kurrë mos shtjerë 
lotin e hidhur e të shkretë 
dhe mos e lerë të bjerë, 
po falu në buzët gaz 
dhe në sythit bukurinë, 
e rriti cazë nga cazë 
duke u dhënë urtësinë. 
Epu jetëzën e gjatë 
edhe mos i lerë kurrë 
pa mëmëzë e pa atë 
dhe në brengë e të sëmurë. 
S'mund t'i shohë të mallëngjyer 
a të varfër e të mjerë! 
Dhe të grisur e të shqyer 
kurrë, kurrë mos i lerë! 
Falu gjithë mirësitë, 
të rrojnë me nder në jetë, 
të mësojnë dituritë, 
të bëhen të vërtetë 
të ndërtojnë mëmëdhenë, 
vlerat t'ia lartësojnë, 
mbi gjithë botën ta ngrenë, 
si lule ta zbukurojnë!