KALLZIMET E GJYSHE PASTËRTORES-Nga BEDRI DEDJA
Tregime për fëmijët e moshës parashkollore dhe të shkollës fillore
Kallzimi i parë :
Aventurat e furcës së dhëmbëve, pastës së dhëmbëve dhe sapunit
Si filloi historia e këtyre aventurave
Kjo histori nisi në një dyqan të Tiranës. Po të hedhësh sytë në vitrinat e këtij dyqani dhe të dish shkrim e këndim, mund të lexosh :
P A R F U M E R I
Në këtë parfumeri shiten sapunë, kolonja, parfume, pasta dhëmbësh, pudra e kremra të ndryshme e kushedi sa e sa gjëra të tjera.
* * *
Një ditë, në parfumeri erdhi një grua dhe pyeti :
- Shoqe, ju lutem më thoni, a keni furça të vogla dhëmbësh për fëmijë ?
- Sigurisht që kemi, - u përgjigj tetua e parfumerisë.
- A mund të më jepni një furçë dhëmbësh, një pastë dhëmbësh dhe një sapun, ju lutem ? Sa kushtojnë ?
“Kushtojnë aq e kaq… “ - tha tetua e parfumerisë.
Gruaja pagoi paratë, mori sendet e blera, siç ishin të mbështjella në letër, i futi në çantë dhe doli nga parfumeria.
- Urraaa ! – thërriti Furça e dhëmbëve brenda në çantë. – Sa u gëzova që më në fund kjo grua e mirë më bleu ! Atje në parfumeri u mërzita së ndënjuri kot… Vinin shumë njerëz, të mëdhenj e të vegjël, më shikonin dhe nuk më blinin. Unë nuk jam e keqe. Unë jam e bukur dhe e pastër. Çudi, si nuk më blenë që ditën e parë, kur dola në parfumeri për tu shitur !
* * *
Sa çudi, me të vërtetë ! Furçat e dhëmbëve nuk flasin. Kurse kjo ditka të flasë e madje, edhe të flasë shqip ! Kushedi si ka qëlluar !
Furca e dhëmbëve dhe shokët e saj përbuzen
Kur gruaja me çantë hyri në shtëpinë e saj, i biri, Enua i vogël, i doli përpara dhe ju hodh në qafë me gëzim :
- Mami, pse u vonove kaq shumë ?
- Jap pse u vonova, bir i mamit ! Se sot vajta në dyqanin e parfumerisë. Atje bleva për ty një furçë të vogël dhëmbësh, një pastë dhëmbësh dhe një sapun. Ti u rrite tani e duhet të fillosh të lahesh vetë.
Në fillim Enua u hodh përpjetë nga gëzimi, duke thërritur : “Eli-la, eli-la…Unë kam furçë, tra-la-la !“ Pastaj morri furçën, e mbushi me pastë dhëmbësh dhe shkoi te lavamani me mamanë për të larë dhëmbët. Këtë rradhë, meqënëse ishte hera e parë, ja lau mamaja. Por Enua, sapo ndjeu qimet e furçës në gojë, filloi të thërrasë : O le-le goja ! O le-le goja ! Ndoshta ai kishte kujtuar se pasta e dhëmbëve mund të ishte si çokollata dhe mund të hahej me furçë, prandaj dhe ishte gëzuar shumë. Por kur ndjeu që furça e gudulisi dhe i shpoi mishin e dhëmbëve, Enua zuri të qajë.
Kaloi një ditë.
Të nesërmen në mëngjes mamaja i tha :
- Eno, mendoj se tani duhet të marrësh furçën dhe të lash dhëmbët !
- Jo, jo, nuk i laj se më dhëmbin ! – u përgjigj Enua.
Mamaja i foli përsëri :
- Eno, mos harro të marrësh sapunin dhe të lash sytë !
- Jo, jo se më djegin ! – u përgjigj përsëri Enua i vogël, duke fërkuar sytë.
Furça e dhëmbëve, Pasta e dhëmbëve dhe Sapuni mbetën të përbuzura në sirtarin e komodinës.
(vazhdon ...)










