Fëmijë diaspore

Gjuha Shqipe për fëmijë me mësuese Danjelën: Mësimi 1-Unë jam

Përshëndetje të dashur bashkëatdhetarë!

Unë jam Mësuese Danjela Lumani.

Një nga lajmet më të bukura që kam marrë gjatë periudhës së emigrimit tim dhe të familjes time është mundësia e të paturit një rubrikë te portali FlasShqip, ku të mund të ndihmoj brezin më të ri të shqiptarëve të vegjël të mësojnë gjuhën tonë të bukur shqipe. Dëshirë që e kam jo vetëm unë, por shumë prindër të tjerë të cilët për shkak të stilit të jetesës, e kanë pothuajse të pamundur të angazhohen duke i çuar fëmijët e tyre te klasat ku mësohet gjuha jonë amëtare. Atëhere në këto kushte, ne si përcjellës të dijeve në gjuhën amëtare kemi për detyrë të gjejmë zgjidhje, të cilat i mundësojnë shumë prindërve në diasporë të ndihmojnë fëmijët e tyre për mësimin e shqipes. Ne sot hapëm shkollën shqipe online përmes rubrikës Gjuha Shqipe për fëmijë me mësuese Danjelën.

Kjo rubrikë është konceptuar si ditar mësimor ku çdo artikull do përmbajë një orë të caktuar mësimore me kompetencat respektive mësimore, burimet mësimore, fjalët kyçe si dhe teknika dhe strategji për mësimnxënien. Në këtë mënyrë çdo prind do mundet jo vetëm të mësojë fëmijën e tij gjuhën me të cilën ai përveç se përfiton njohuri linguistike në një gjuhë të dytë, por dhe që mund ta përdorë atë kur flet me gjyshërit apo me të afërm të tjerë në atdhe. Prindi në këtë mënyrë kalon më shumë kohë cilësore me fëmijën e tij. A jeni gati për orën e parë?

Tema mësimore: Unë jam

Situata e të nxënit:  Prezantimi i vetes dhe familjes

Rezultatet e të nxënit:

Prezanton emrin para familjes kur ata e pyesin.

Lexon plotësisht emrin e vet dhe të familjarëve.

Shkruan emrin të plotë.

Fjalët kyçe: Emër, unë, jam, gjyshi, nëna, mami, babi

Teknikat: Bashkëbisedim; punë individuale; lexim global; shkrim global

Mjete pune: Laps, fletore, mjete vizatimi, etiketa me emrat e familjarëve (të cilat përgatiten paraprakisht), karton, gërshërë

Lidhje me fusha të tjera: Arte

Veprime paraprake: 5 minuta

Bashkëbisedim me fëmijën

Si kalove sot?

A u kënaqe?

Cila ishte loja që të pëlqeu?

A mund ta vizatosh lojën tënde të preferuar (Ilustrimi shërben për t’ia lehtësuar këtë përshkrim në gjuhën shqipe të fëmijës, duke patur parasysh vështirësitë. Prindi merr me mend se çfarë ka ndërmend fëmija të ilustrojë, duke e përshkruar me fjalë në shqip)

Hapi i parë: 10 minuta

Pas këtij hapi prindi prezantohet

Unë jam Leonardi. Babi yt.

Prindi ka përgatitur etiketa me emrat e familjarëve.

Për shembull: 

Suzana  

 Agimi  Mira  Leonard      Tedi


Te etiketat nga ana e përparme e tyre ndodhet një figurë (të cilën prindi edhe mund ta vizatojë vetë) që nis me shkronjën e parë të atij emri. (meqë fëmija është në hapat e parë të mësimit të gjuhës, figurat e kanë emërtimin në anglisht)

Suzana - Star

Agimi -Aeroplane

Mira -Mouse

Leonard -Lion

Tedi -Train (Tedi është vetë fëmija)

Prindi ia shpjegon fëmijës rregullat e lojës. Pra, fëmija shikon figurën, thotë se me çfarë shkronje nis secila prej tyre dhe më pas kujton emrat e familjarëve në bazë të shkronjës së parë.

Hapi i dytë: 10 minuta

Pasi i gjejnë të gjithë emrat, (duke e ndihmuar) bëhet prezantimi i secilit prej tyre.

Prindi: Kush është Suzana?

Fëmija: Nëna

Prindi: Kush është Agimi?

Fëmija: Gjyshi

Prindi: Kush është Mira?

Fëmija: Mami

Prindi: Kush është Leonardi?

Fëmija: Babi

Prindi: Kush është Tedi?

Fëmija: Unë jam Tedi.

Prindi: Po unë kush jam?

Fëmija: Ti je babi.

Prindi: Si quhem unë?

Fëmija: Ti quhesh Ardit.

(Prindi i përsërit disa herë fjalitë e mësipërme që kanë lidhje me prezantimin)

Hapi i tretë: 5 minuta

Nëse gjyshërit nuk ndodhen aty, mund të telefonohen dhe bëhen pjesë e prezantimit.

Tedi, kush jam unë?

-Ti je gjyshi.

Si e kam emrin unë?

-Ti e ke emrin Agim.

Tedi, po unë kush jam?

-Ti je nëna.

Po nëna si e ka emrin?

-Suzana

Hapi i katërt: 10 minuta

Fëmija shkruan emrin e tij dhe të familjarëve të tjerë në fletoren e tij. Më pas lexon secilin prej tyre.

Detyrë shtëpie

Do vizatojnë bashkë pemën e familjes. (Prind & fëmijë)

Duke ju falenderuar për vëmëndjen ju lë takim të premten më datë 27 mars për të vijuar me mësimin e dytë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela.

23 mars 2020

©FlasShqip.ca