Fëmijë diaspore

Fëmijët e Diasporës: Kush është Davina nga Windsor?

Në këtë periudhë kur i madh e i vogël ndodhen mbyllur në shtëpi duke pritur ditë më të mira të vijnë, Flas Shqip ka ftuar fëmijët/adoleshentët e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’i përgjigjen pyetësorit "Fëmijët e Diasporës", një format standard me 31 pyetje. Qëllimi nuk është aspak t’i lodhim e t’u japim detyra shtëpie në shqip, por t’i angazhojmë pak nga pak në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Le të shohim një pas një kush janë fëmijët/adoleshentët shqiptarë që jetojnë në Kanada dhe çfarë mendojnë ata. Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët/adoleshentët për seriozitetin dhe çiltërsinë.

Pyetje 1:  Kush je ti, ku ke lindur dhe ku banon ?

Unë jam Davina Hali, kam lindur në Windsor, Ontario, dhe banoj në Windsor.

Pyetje 2: Në ç’klasë je?

Unë jam në klasën e shtatë.

Pyetje 3: Cili është hobi yt dhe lënda e preferuar në shkollë?

Hobi im është të luaj në piano dhe luaj volejboll. Lënda ime e preferuar është shkenca.

Pyetje 4: Çfarë mendon për shkollën kanadeze?

Shkolla kanadeze nuk është shumë e vështirë per mua, dhe kur ka gjëra të vështira punohet pas problemit kollaj me ndihmë.

Pyetje 5: Çfarë ke menduar të bësh pasi të mbarosh gjimnazin?

Unë kam dëshirë të studioj për shkencë ose mjekësi.

Pyetje 6: Po ëndrra jote më e madhe cila është?

Ëndrra ime më e madhe është të jem e lumtur dhe e shëndetshme me familjen time, dhe të bëj punën që më pëlqen.

Pyetje 7: Ma përshkruaj veten pas 10 vjetësh, në aspekte të ndryshme të jetës.

Duke ndjekur shkollën për mjekësi ose duke marrë diplomën.

Pyetje 8: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?

Shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe është ‘I bukri në thes me u fut, i bukur ngelet’.

Pyetje 9: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht/frengjisht?

Shprehja që përdor më shpesh në Anglisht është ‘it is what it is’.

Pyetje 10: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh më shumë shqiptar/e?

Tipari i personalitetit tim që më bën të ndihem më shumë shqiptare është humori im.

Pyetje 11: Ç’lloj punësh shtëpie bën?

Unë ndihmoj të shtroj tavolinën, të fshij shtëpinë, larjen e xhamave, pjatave, dhe rregullimin e shtratin.

Pyetje 12: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?

Jo, nuk kërkoj të shpërblehem për këto punë sepse nuk e bëj për lek, e bëj për të ndihmuar familjen dhe të mbaj pastërti në shtëpi.

Pyetje 13: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një tjetër që të pëlqen.

Një tipar që nuk më pëlqen te shqiptarët është se çdo shqiptar merret me politikë. Një tipar që më pëlqen është që shqiptarët janë shumë mikpritës dhe me humor.

Pyetje 14: Çfarë të ka bërë përshtypje kur ke shkuar në Shqipëri?

Që rregullat e trafikut janë shumë ndryshe nga Kanadaja.

Pyetje 15: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.

Të dal më shumë me shoqet e mia.

Pyetje 16: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?

Unë do shkoja te vëllai dhe prindërit e mi po të kisha ndonjë problem.

Pyetje 17: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që do doje ta kishe në bibliotekë?

Në bibliotekë do të doja të kisha librin me përralla në shqip “Aventurat e Çufos”, se kur isha e vogël mbaj mend që mami më tregonte përralla me derrkucin Çufo.

Pyetje 18: Si e kaloje kohën e lirë para Corona Virus?

Unë e kaloja kohën duke luajtur piano, volejboll, në moll, dhe ndonjëherë me shoqet.

Pyetje 19: Po tani çfarë bën gjithë ditën në shtëpi?

Tani unë shoh filma, luaj piano, lexoj me shumë, dhe bëj art.

Pyetje 20: Ke frikë se mos sëmuresh ?

S’kam shum frikë, sepse s’kam dalë shumë edhe marr vitaminat e duhura për të ndihmuar sistemin imunitar.

Pyetje 21: Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj periudhe kur gjithë bota ka të njëjtin hall ?

Më ka bërë shumë përshtypje që s’mundem të dal më, se isha mësuar të shëtitja pak gati përditë.

Pyetje 22: Cila është frika jote më e madhe ? (përjashto corona virusin)

Frika ime më e madhe është të humb familjen dhe shoqet, dhe të jem vetëm.

Pyetje 23: Kur të ndodh diçka e bukur, si e shpreh gëzimin?

Unë e shpreh gëzimin duke u lumturuar shumë dhe duke falenderuar atë që më dha gëzimin.

Pyetje 24: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?

Unë them që shumica e të rriturve duan fëmijë sepse fëmijët janë te lezetshëm dhe është gjë e bukur të mësosh fëmijët.

Pyetje 25: Sa fëmijë duhet të ketë një familje?

Kjo është ndryshe për çdo person, por për mua, unë them që 2 fëmijë sepse kanë njëri tjetrin për të luajtur.

Pyetje 26: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:

Motra- Shoqe

Qiell- Bukuri

Kanada- Shtëpi

Vëllai- Shok

Shkollë- Mësim

Internet- Domosdoshmëri

Libër- Botë tjetër

Pemë- Oksigjen

Shtëpi- Pranë të dashurve

Shqipëri- Udhëtim

Pyetje 27: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë!

Sepse në fëmijëri nuk ke aq shumë stres se sa kur rritesh.

Pyetje 28: Çfarë i streson më shumë të rriturit?

Të rriturit stresohen më shumë nga problemet me punën, shtëpinë, gjëndjen e familjes dhe lekët.

Pyetje 29: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?

Fëmijët mërziten shumë kur atë që i ke premtuar nuk realizohet.

Pyetje 30: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve dhe fëmijëve që po të lexojnë?

Rrini të qetë, lajini duart dhe bëni qejf në jetë, mos e lini virusin t’ju prish qejfin.

Pyetje 31: Nëse do mundje të shkruaje një artikull në shqip, për çfarë do të shkruaje në portalin FlasShqip?

Unë do të shkruaja për Shqipërinë, si e shoh, ku janë vendet më të bukura dhe të përshkruaja bukurinë e vendeve të ndryshme qe kam vizituar në Shqipëri.

 

Shënim:

Të dashur prindër dhe fëmijë, nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!

©FlasShqip.ca