Fëmijë diaspore

Cjapi dhe dhelpra!

Një ditë një dhelpër ra në pus. U mundua sa u mundua por nuk doli dot. Pastaj vendosi të presë, sepse nuk dinte si të dilte. Kalon aty afër një cjap i etur dhe ul kokën te pusi. Por cjapi aty brenda pa dhelprën të cilën e pyeti:
- O dhelpër, a është uji i mirë ?
Dhelpra filloi ta lavdojë e ta mburrë qartësinë dhe kthjelltësinë e ujit sa s'ka më. Pastaj i tha, 
- Hajde më mirë këtu poshtë, se këtu e shijon më mirë. 
Cjapi zbriti poshtë, pasi e kishte marrë etja por më pas kuptoi se nuk dilte dot nga pusi. 
- Si t'ja bëjmë tani? - tha cjapi. Si do të dalim prej pusit? 
Dhelpra i tha:
- Mos u bëj merak. Kam menduar unë për të dy. Shiko si do të dalim...
Ngriji këmbët e para në murin e pusit dhe afroji brirët. Kur të
ngjitem unë lart mbi kurrizin tënd, do të të tërheq dhe do të të ndihmoj edhe
ty. 
Cjapi pranoi. Dhelpra këceu në shpatullat e tij, qëndroi në brirë, doli prej pusit dhe filloi të largohet.
Cjapi i thirri: - O dhelpër, po mua më harrove? 
Cjapi e qortoi që nuk e mbajti fjalën e dhënë. Dhelpra u kthye e i tha:
- I dashuri cjap, sikur të kishe aq mend sa ke qime në mjekër, ti as
që do të zbritje në pus.