Për prindërit

“Këshillë, pas një gabimi të vogël” - Një letër e rrallë e një gjyshi për nipin e tij

Këtë letër të rrallë në llojin e vet, të cilën po e publikojmë sot, na e dergoi në redaksi para disa ditësh Bamir Bebeziqi, miku i mirë dhe bashkëpunëtori i Flasshqip me banim në Ontario, me këtë shënim:

“Në materialet e shkruara që ruaj në arkivin tim, gjeta këtë letër të shkurtër nga profesori i shquar i gjuhës dhe letërsisë, Jorgji Çerepi, mik dhe koleg i tim eti. Mendoj se ia vlen të bëhet publike për vlerat dhe mesazhin që përcjell”.

Andi, nipi im i dashur!

Letra që më dërgove aq sa më gëzoi edhe më shqetësoi e më detyroi që të të përgjigjem menjëherë.

Më gëzoi për notat e mira që ke marrë në përfundim të simestrit të parë. Ato duhet të të nxisin për të mësuar edhe më mirë, me durim dhe dëshire dhe mos të bëhen kurrsesi qëllim në vetvete. Jo notat që na shënohen në dëftesë, por njohuritë që përfitojmë duhet të na japin kënaqësinë e shpërblimin e punës sonë.

Ndërkaq më dëshpëroi ngjarja me shokun e bangës. Ti e paske fshehur të vërtetën e mësuesi paska ndëshkuar një të pafajshëm për shkakun tënd? Jo Andi, nuk duhet t’ia kishe lejuar vetes një barrë të tillë! Nuk mjafton të pendohesh, siç me shkruan, por duhet ta ndreqësh gabimin. Mësuesit duhet t’ia tregosh të vërtetën, se kështu lehtëson shokun dhe vetveten.

Jam i sigurtë që ajo ngjarje e papëlqyer të ka prekur dhe duhet të të vlejë si një kujtesë për të mos rënë më në grackën e gabimeve të tilla të vogla, që nesër mund të bëhen të mëdha.

Megjithatë, nga grumbulli i mendimeve të urta që kam mbledhur ndër vite, zgjodha disa, që them se do të vlejnë si parime në jetë. Me shpresë se do të të shërbejnë, po t’i rreshtoj:

Sa herë merr një vendim, kaloje nëpër mend e nëpër zemër!

Vështro e dëgjo mirë, mendo shumë dhe fol pak e me vend!

Mos lakmo më shumë se ç’meriton!

Sytë e mendjen mos ia ndaj qëllimit e synimit fisnik!

Mos u bëj kurrë servil i dhunës... dhe së keqes, mos iu nënshtro!

Lufto pa ndërprerë të ligën e mos tradhëto të vërtetën!

Mos shqipto kurrë fjalë që cënojnë virtytin!

Ruaju mburrjes, fjalëve mikluese e lajkatare!

Mos lakmo dhurata e lëvdata të pamerituara!

Ji i çiltër e fisnik, prandaj qëndro larg smirës!

Ndihmo fatkeqin, jepi dorën të rrëzuarit!

Duaj njeriun dhe veprën e tij të mirë e të bukur!

Kur të vish për pushime, do të jap të gjitha shënimet që kam dhe ti vetë zgjidh ato që do të duken më të mirat e më me vlerë.

Mos harro, i dashur nipçe, se jeta është një udhë e shkurtër mbushur me ëndrra, përpjekje, ideale e ndonjëherë me zhgënjime… Pas një udhëtimi në shtigjet e saj të vështira, nuk mbeten veçse gjurmët dhe kujtimi i vepres së mirë dhe dashuria për njerëzit… pse jeta nuk është lodër, por mision i lartë që duhet përmbushur me devotshmëri.

Jam i bindur se këto fjalë do të shërbejnë si udhërrëfyes në shtigjet e jetës, ndër të cilët porsa ke nisur te hedhësh të parat hapa, i dashur Andi.

Të përqafon dhe të puth me dashuri,

Gjyshi yt

Në foto një grup pedagogësh të Filialit të Universitetit, në Durrës. Poshtë i ulur prof. Jorgji Çerepi, nga e majta lart, prof. Pertef Kruja, i dyti prof. Murat Dervishi e me radhë, prof. Petro Luarasi, prof. Remzi Tivari, prof. Danish Bebeziqi, prof. Petrit Velaj.