Kanada

Kanada - Si perceptohen nga shqiptarët zgjedhjet e parakohshme të 20 Shtatorit?

  • Published in Kanada
Nga: Përgatiti Taulant Dedja

 

Nesër në Kanada zhvillohen zgjedhjet e parakohshme federale për 338 deputetë të Dhomës së Komunave, që përfaqësojnë 10 provincat dhe tre territoret e vendit. Në garë janë 6 parti, por në fakt vetëm dy mund të formojnë qeverinë të vetme (në mazhorance ose në minorancë), në varësi cila do dalë e para për nga numri i deputetëve që zgjidhen me formulën e mazhoritarit me një tur: Partia Liberale e Justin Trudeau dhe Partia Konservatore e Erin O’Toole. Katër partitë e tjera janë Block Québecois i Yves-François Blanchet, NDP e Jagmeet Singh, Green Party e Annamie Paul dhe People's Party e Maxime Bernier.

Edhe pse nuk kishte asnjë arsye ligjore dhe në kushtet kur e kishte mbështetjen për të qeverisur në minorancë prej Tetorit 2019, kryeministri në detyrë Justin Trudeau vendosi në mënyrë të papritur, në periudhë pandemie dhe krize sanitare, thirrjen e zgjedhjeve, duke e ngarkuar buxhetin në deficit si asnjëherë më parë edhe me rreth 650 milionë dollarë shpenzime të tjera. Arsyeja e vetme, sipas nesh, egoja e tij personale për një mandat të tretë mazhoritar.

Në këtë kontekst vendosëm si redaksi të përgatisim edhe një rubrikë tjetër speciale, pas asaj për portretet e liderëve kryesorë politikë. Kësaj radhe ftuam disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e vyer të Flasshqip të japin mendimet dhe të shpalosin perceptimin e tyre për këtë ngjarje me rëndësi maksimale për gjithë shoqërinë kanadeze. Të mos harrojmë, votimi është gjithashtu momenti më i rëndësishëm i ushtrimit të të drejtave demokratike për çdo qytetar. Forume të tilla diskutimi, ne besojmë se janë të vlefshme në çdo aspekt. Në aspektin e debatit transparent dhe demokratik të ideve, komunikimit dhe informimit të ndërsjelltë mes të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kanada, nga një oqean në tjetrin. Një falenderim i veçantë u shkon të gjithëve, nga Vancouver, Calgary, Regina, Ottawa, Burlington, Toronto, Laval, Montréal e Halifax, atyre që patën mirësinë të gjejnë kohën të kontribuojnë në këtë rubrikë.

Mishel Koçiu - Montréal, Québec

U pezmatova kur në mëngjesin e të Dielës së 15 Gushtit, u bë fakt çka kishte ditë që pëshpëritej. Shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme për Parlamentin e 44-t kanadez, e vlerësoj si aktin më egoist të Trudeau junior. Është jo etike dhe e papërgjegjshme që gjithçka të rrotullohet rreth egos së kryeministrit liberal Trudeau II pakicë, që pasi ka qenë Trudeua I shumicë, i teket sërish në mes-mandati pandemik, të bëhet Trudeau III shumicë. Të kuptohemi, nuk jam kundër taktikave të partive që qeverisin në minorancë, për të kërkuar të drejten e qeverisjes mazhoritare.  Por sivjet, në këtë kohë të pazakontë, çdo parti apo lider, duhej të privohej nga kjo e drejtë ashtu siç miliona kanadezë po privohen prej një viti e gjysmë, nga një pjesë e mirë e të drejtave dhe lirive të tyre themelore.

Këto zgjedhje ishin plotësisht të panevojshme për shkak se mund të evitoheshin në respekt të situatës së pazakonte pandemike.

Së pari, sepse nuk kishte një krizë paralamentare dhe qeveria liberale po qeveriste e qetë, megjithë kundërshtitë normale, gati-gati proceduriale, të opozitës. Qeveria liberale fitoi pikë në menaxhimin e krizës sanitare që kulmoi me lëvrimin në kohë rekord të vaksinave. Askush s’kishte ndërmend ta rrëzonte në Parlament. Askush s’ishte gati. As Erin O’Toole që as një vit pas zgjedhjes në krye te Konservatoreve, akoma s’ka përfunduar kohezionin e partisë së vet. As Jagmeet Singh që lundron rehatshëm në ujërat e isos ndaj më të fuqishmit. Kurse Blanchet kishte një vit që përpiqej për një votë kundër qeverisë (ose dorëheqjen e Bill Morneau dhe Katie Telford) por nuk arriti kurrë konsensusin me të tjerët.

Së dyti, sepse nuk do të jenë zgjedhje efikase. Siç u vërtetua edhe gjatë fushatës, nuk ka asnjë çështje të qënësishme që duhet zgjidhur me urgjencë, sa që të duheshin zgjedhje. Përderisa pandemia është kryefjala, as ndryshimet klimaterike, as kontrolli i armëve, as e drejta e abortit nuk kanë atë peshë që do kishin në kohë normale. Fundi i pandemisë duket larg, ka paqartësi për valën e katërt, për efektshmërinë e vaksinave kundër mutacioneve e pasiguri për rimëkëmbje të shpejtë ekonomike. Shto këtu situatën e rënduar psikologjike e ekonomike të njerëzve e bizneseve. Duke qenë jo të mirëpritura nga publiku i gjerë, dhe për shkak të ngurrimit e frikës nga pandemia, mendohet që mund të jene zgjedhjet me pjesëmarrjen më të ulët të dekadave të fundit. 1 në katër kanadezë sipas sondazheve të fundit, nuk do të votoje in-person. Më tepër se një milion kanadezë do votojnë me postë nga frika e pandemisë. Pra njerëzit ndjehen totalisht të parehatshëm me këto zgjedhje.

Së treti, duke qenë zgjedhje pandemike, janë edhe më të kushtueshme, për shkak të masave shtesë që duhen marrë për votime në kushtet e rregullave strikte të Shëndetit Publik. Deri tani bëhet fjalë për gati 700 milion kosto, gati 200 milion më tepër se zgjedhjet e vitit 2019.

Për shkak të situatës së pazakontë si dhe të mungesave të mëdha në administratën zgjedhore (rreth 48 mijë personel kerkohej ende edhe dy ditë para zgjedhjeve) rezultati i zgjedhjeve jo vetëm që është i pamundur të dalë natën e zgjedhjeve por mund të marrë dhe një javë a më tepër. Meqë sivjet s’bëhet fjalë për qeveri mazhoritare nuk po merrem fare me tezën se si do të ishtë më mirë.  Është fare e qarte që qeveria e dalë nga këto zgjedhje pandemike, do jetë qeveri në minorancë. Absurdi është tek gjasat që kjo qeveri të jetë liberale. Atëhere do kemi një Trudeau III, që do rifillojë aty ky ishte para zgjedhjeve 700 milionëshe, si miu që përshkoi kilometra të tëra për ti shpëtuar rrotës që rrotullohej në vete.

Por edhe nëse do të jetë konservatore, me kaq brekë-nëpër-këmbë që u bënë këto zgjedhje, nuk munda të shquaj ndonjë dallim thelbësor në programe a ide midis Liberalëve e Konservatorëve. Fyelli kanadez ka nja kater-pesë vrima të njëjta, të cilave u ranë me me rradhë të dy kandidatët për kryeministra, sepse tre të tjerët ishin aty vetëm për ison labe. Gjithsesi gjasat janë që qeveria e ardhshme të jetë: More of the same!

Plarent Islami - Burlington, Ontario

Para se të shfaq mendimin tim për zgjedhjet federale 2021, dua të theksoj se mendimi im sikurse i kujtdo, është në bazë të çfarë është e rëndësishme për mua. Çdo njeri duhet të votojë për çfarë është e rëndësishme për të si individ apo familje, pa u ndikuar nga të tjerët cilëtdo qofshin ata. Pse jemi në zgjedhje të parakohshme? As vetë Trudeau nuk ka arritur ta shpjegojë shkoqur. Kjo tregon se ai nuk do të thotë të vërtetën, sepse e vërteta mund të zbulojë qëllimet e tij egoiste. Unë në përgjithësi jam i djathtë përsa i takon ekonomisë dhe financave, i majtë përsa i takon problemeve sociale dhe antipolitik përsa i takon integritetit dhe ndershmërisë. Atëherë për cilën parti të votoj?

Analiza ime fillon me rreshtimin e problemeve sipas rëndësisë për mua: 1) Ekonomia dhe financat; 2) Ambienti; 3) Kosto e jetesës; 4) Shërbimet sociale; (shëndetësia, arsimi, rendi publik, siguria e jetës, pleqëria, etj.)

Pse ekonomia dhe financat publike jane numër 1 për mua? Sepse pa një ekonomi dhe financë të shëndoshë dhe në rritje, pikat 2 deri 4 më lart mbeten thjesht fjalë politikanësh.

Cilët janë politikanët në garë këtë vit?

1) Justin Trudeau, një njeri pa moral, që përveçse shpërdoroi fondet publike pa kriter për 6 vjet, vajti dhe përfitoi personalisht dhe familjarisht nga fondet e shoqatave bamirëse, fonde të krijuara nga donacionet e njerëzve të thjeshtë, që megjithëse vuajnë të mbyllin 15 ditëshin në familjet e tyre, prapë dhuruan kush 2 dollarë e kush 20 dollarë për njerëzit në nevojë. Margaret Trudeau nuk ishte në mendjen e kanadezëve të thjeshtë si njeri në nevojë.

2) Erin O’Toole një përfaqësues burracak i partisë që unë pres të ndryshojë kursin e shtrembër që ka marë ekonomia kanadeze që akoma bazohet kryesisht në burimet natyrore sikur të ishte Zimbabwe.

3) Jagmeet Singh, një burrë i pashëm që qan hallet e popullit dhe aq.

4) Yves-François Blanchet, nuk di shumë për të por në debatin në anglisht mu duk i vetmi njeri me integritet që tha shkoqur çfarë përfaqësonte. Kujdeset vetëm për Québec, kështu që për mua personalisht është jashtë votës sime.

5) Annamie Paul, që lufton për ambientin dhe foli më shumë për gjyshen e saj sesa si do e ulte emetimim e karbonit në atmosferë.

Debati në anglisht ishte niveli më i ulët i aftësive komunikuese të 5 njerëzve që duan ti dalin për zot Kanadasë. Të gjithë vetëm përmendën problemet dhe thanë që do t'i rregullonin punët, por asnjëri nuk tha si.

O’Toole tha do adresonte problemin e strehimit duke ndërtuar 1 milion banesa në 6 vjet. Së pari O’Toole nuk është developer. Së dyti qeveria federale nuk ka juridiksion në ndërtimin e banesave; as qeveritë provinciale madje. Housing development është nën juridiksionin e bashkive. Së treti asnjë developer nuk ndërton banesa me qëllim që të ulet çmimi; është budallallëk ta mendosh dhe developers nuk janë budallenj. Së katërti 66% e kanadezëve janë pronarë shtëpie. Pse duhet të votojnë të ulet çmimi i shtëpive të tyre ndërkohë që shtëpia që zotërojnë është 90% e pasurisë që u duhet ta likujdojnë për të përballuar pleqërinë me dinjitet?

Jagmeet tha se do shtojë taksat mbi të pasurit. I dashur Jag, të pasurit shkruajnë ligjin e taksave. Na pëlqen apo jo, kështu ka qenë për qindra vjet, kështu do jetë për qindra vjet të tjera.

Annamie, unë ngas Hyundai Accent 1.8L engine. Kur të heqësh qafe atë 3.5L engine SUV që përdor ti, atëherë hajde më fol mua për mjedisin.

Unë do votoj PC jo se O’Toole ma mbush mendjen, por sepse pa u rregulluar ekonomia dhe financat publike, nuk do këtë para për gjë tjetër. Nuk mund të marrësh borxh pa e shlyer gjithë jetën se përfundon si Zimbabwe që venin me një çantë sporti plot me cash për të blerë një bukë. Do na duhet dump truck të vemi te dentisti. Dëshira ime është qeveri në mionorancë e PC me përfaqësim substancial të NDP, Block Québecois, Green dhe PP në parlament. NDP do shërbejë si sindikatat që nuk ofrojnë zgjidhje në tryezë, por detyrojnë korporatēn të gjejë zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.

Ardian Lagji - Vancouver, British Columbia

Zgjedhje krejt të papritura dhe në kohen e gabuar do të thosha pikësëpari. Gjithsesi me këtë situate kur kemi një qeveri në minorancë, mbase është edhe e domosdoshme, por shpenzimet financiare të një fushate të tillë nuk e justifikojnë ngadalësimin ekonomik për shkak të pandemisë së zgjatur. Tani është vonë, ne jemi në hapat finale të zgjedhjeve dhe çka vërej është që njerëzit nuk janë të prirur për të votuar. Kanë akoma të tjera gjëra për të zgjidhur në jetën e tyre. Primare për shumë familje nuk janë votimet, por qëndrueshmëria financiare e familjes.

Kam mendimin dhe shpresoj që të jem i saktë (por edhe mund te gaboj) që do të jenë zgjedhje me pjesëmarrje të ulet. Këtë pritshmëri negative mendoj se e bie edhe pamundësia e partive për të bërë fushate masive. Takimet me grupe të vogla nuk më duken se entuziazmojnë. Në British Columbia situata është si kudo në Kanada. Shumë pak besim për ndryshim. Duket se partitë nuk kanë mbërritur të çojnë mesazhin e duhur për ndryshim. Dy nga idete e hedhura, njëra për armët dhe tjetra për strehimin dhe situatën me Real Estate nuk është se ngjallin ndonjë pritshmëri.

Ndërkohë jam i mendimit se në Kanada njerëzit janë më pak impulsivë se p.sh. në Amerikë. Ka shenja "revolte", por s’ka mbështetje të gjerë. Njerëzit duan ndryshim, por edhe nuk kanë besim se kujt t’ia japin voten. Siç duket, asnjëra nga partitë nuk e ka gjetur veten të votohet nga një masë e madhe. Kam dyshim se mund të kemi përsëri një qeveri në minorancë. Shpresa ka edhe për ndryshim, por kjo mund të ndodhë vetëm nëse ka koalicione partish. Shpresoj që kushdo që t’i fitojë zgjedhjet, t’u kushtojë rëndësi premtimeve që jep gjatë fushatës, në mënyrë që ekonomia dhe jeta sociale të përparojë.

Rushan Xhaferi - Laval, Québec

-A ishin të nevojshme këto zgjedhje?

-Jo!

-Çfarë pret ti si qytetar prej tyre ?

-Asnjë gjë!

Në këtë rast, përgjigja është sa më e shkurtër dhe sa më e qartë dhe mbi të gjitha nuk ngelet më gjë tjetër për të shtuar. Pak a shumë, se kur je shqiptar edhe kur nuk ke asgjë për të thënë, e gjen mënyrën për të dhënë mendimin në një fushë ku nuk ke ide se për çfarë flitet. Po kjo është punë e gjatë dhe do shumë praktike ndër vite.

Kush u habit që Justin Trudeau do shkonte drejt zgjedhjeve ? Që në Janar 2021 vinte era zgjedhje. Ndoshta dhe më parë. Partia Konservatore kishte frikë se do të humbiste edhe një herë. NPD nguronte sepse do të zhdukej si parti pasi Trudeau morri vendime shumë sociale për Kanadanë por edhe për Kebekun, gjë që trembi akoma më shumë liderin e Bllokut Yves-François Blanchet i cili nuk kishte më arsye të sulmonte Trudeau.

Por mbi të gjitha, çdo lloj zgjedhjesh janë të nevojshme. Sidomos në një sistem që e konsideron veten si demokraci. Fatkeqësisht, ky sistem akoma nuk ekziston sepse nuk mjafton të vendosësh emrin «demokraci» për të jetuar në një sistem të tillë. Një pjesë e diktaturave nëpër botë përfshijnë këtë fjalë në etiketën e tyre. Gjatë 18 muajve të fundit, çdo shtet pa përjashtim ka marrë vendime me dekrete duke eleminuar çdo konsultim jo vetëm të popullit, por edhe të parlamentit me justifikimin shëndetësor.

Justin Trudeau hodhi bast se do të fitonte zgjedhjet e 20 Shtatorit. Ky bast është akoma i hapur. Ajo që është e çuditëshme ngelet fakti që partitë opozitare patën frikë pikërisht se Trudeau do të fitonte. Në vënd që të gëzoheshin sepse po u jepej shansi për të dalë më të fortë, u stepën dhe nuk dinin se si të reagonin. Kjo tregon se asnjë nga këta liderë politikë nuk ka forcën për të fituar dhe sidomos programin e duhur për të marrë pushtetin. Nëse Partia Konservatore fiton, kjo tregon se votuesit nuk zgjodhën Trudeau, këtë here, dhe jo sepse Erin O’Toole u tregua një lider i jashtëzakonshëm. Prandaj dhe votuesit një ditë para zgjedhjeve janë 50% totalisht të përhumbur dhe nuk e kanë akoma idenë se për kë parti do të votojnë.

Demokracia nuk qendron në faktin se bëhen zgjedhje një herë në dy apo katër vjet dhe sepse ka koalicion, qeveri mazhoritare apo minoritare. Demokracia përfshin popullin në vendime që çdo qeveri merr. Konsultimet, referendumet apo çdo lloj mënyre tjetër që përfshin njerëzit, përbëjnë thelbin e saj. Pëndryshe ne jetojmë në një sistem i cili përmban një ambalazh të bukur ku brënda ndodhet një dhuratë greke, një kalë Troje, për popullin. Një përmbajtje që dëmton besimin e popullit tek përfaqësuesit që nesër do të votohen për të mos bërë edhe një herë atë që premtuan vite më parë që do të realizonin.

Të jesh cinik është një gjëndje vetëmbrojtje e qytetarëve që nuk votojnë sepse nuk pranojnë më të abuzohen nga politikanë ku u rritet hunda sa herë marrin në dorë një mikrofon.

Duket sikur shqiptarët në Kanada janë joshur nga Partia Konservatore dhe të mbushur me një urrejtje disi të pakuptueshme kundrejt Trudeau. A do kenë kurajon të votojnë O’Toole dhe më pas të "rimbursojnë" ndihmat që Trudeau u ka dhënë tërë këto vite? Si është ajo shprehja? Të hash bukën e Trudeau dhe të bësh davanë e O’Toole. Lol.

Alban Rrahmani - Ottawa, Ontario

Zakonisht qeveritë në minorancë e kanë jetëgjatësinë 1 deri në 3 vite. Meqenëse nuk e rrëzoi qeverinë NDP, Trudeau u detyrua që të kërkojë një mandat të fuqishëm. 

Në situatën që ndodhemi përgjegjësia duhet të mbahet nga një lider me mandat të plotë e jo me konsensus, pasi situata është shumë fluide dhe vendimet duhet të merren me një shpejtësi të jashtëzakonshme.

Ajet Nuro - Laval, Québec

Kanadaja do të votojë të hënën më 20 Shtator 2021, për të rinovuar Dhomën e Komunave apo parlamentin. Zgjedhjet zhvillohen në një periudhë pandemie të shkaktuar nga COVID-19. Zgjedhjet e 19 Tetorit 2019 nxorrën në krye Partinë Liberale, por pa mundur të marrë shumicën e parlamentit. Tradicionalisht, partitë që fitojnë pushtetin por jo shumicën, mbijetojnë mesatarisht 18 muaj. Edhe pse kishte një konsensus nga të gjitha partitë për të mos thirrur zgjedhje përgjatë pandemisë, kryeministri aktual, Justin Trudeau, që ka të drejtën e shpërndarjes së parlamentit dhe caktimin e dates së zgjedhjeve, duke “nuhatur” një fitore, i thirri ato duke shkaktuar edhe një polemikë rreth këtij vendimi. Kanadaja është një nga demokracitë më të përparuara në botë dhe një gjë nuk diskutohet në Kanada, numërimi i votave. Duke thënë këtë, ajo që përcakton fituesin janë faktorët ekonomikë dhe socialë. Në rastin e këtyre zgjedhjeve, qeveria aktuale i ka shpresat tek vlerësimi pozitiv që kanadezët duhet t'i bëjnë përballimit të pandemisë nga qeveria.

Duhet thënë se se qeveria kanadeze iu përgjigj me shpejtësi efekteve të mbylljes së ekonomisë për shkak të pandemisë, duke krijuar programe për ndihmë ekonomike të menjëhershme, gjë që në fillim ishte e domosdoshme. Por, deficiti i krijuar nga Kanadaja për programet e ndryshme të ndihmës së urgjencës i ka kaluar 360 miliardë dollarë dhe krijoi efekte të padëshiruara si mungesat e krahut të punës dhe inflacioni. Skandali i dhënies së një kontrate prej miliona dollarësh nga ana e qeverisë një organizmi si UNIS, përforcon mendimin se qeveria aktuale nuk është e përgjegjëshme për menaxhimin e fondeve publike. Historikisht liberalëve u është ngjitur etiketa e skandaleve, tek kujtojmë skandalin e madh si ai i sponsorizimeve i njohur si “Scandale des commandites”.

Nga ana e saj Partia Konservatore dhe kandidati i saj për kryeministër Erin O’Toole u drejtohen kanadezëve si kampionë të menaxhimit të parave të publikut. Konservatorët, që nën Stephen Harper drejtuan Kandanë mes 2006 e 2015, përballuan një nga krizat më të mëdha si ajo e vitit 2008 duke realizuar një deficit prej vetëm 56 milliardë dollarë. Menaxhimi i parave të publikut dhe rikthimi në një ekuilibër buxhetor janë premtimet e tyre.

Ambienti, shëndetësia, burimet njërëzore, siguria dhe qëndrimi ndaj armëve, mundësia e kanadezëve për të blerë shtëpi janë sfida të tjera të këtyre zgjedhjeve. Kush do fitojë?

Unë personalisht mendoj se Kanadaja ka nevojë për dikë që të tregojë lidership dhe të dijë të nxjerrë vendin nga kriza e pandemisë që ende është prezente. Mendoj se Kandaja duhet të ndryshojë pushtetin për të korrigjuar situatën në të cilën ndodhet sot. Për të kuptuar diferencën që Konservatorët mund dhe duhet të bëjnë po citoj Ronald Reagan që në fjalimin e tij inagurues si president tha: “In this present crisis, government is not the solution to our problem; government is the problem” (Në krizën aktuale, qeveria nuk është zgjidhja e problemeve tona, qeveria është problemi). Duke ditur edhe reaksionin se Kanadaja ka ekonomi të forte dhe se borxhi nuk është gjë e keqe, u kujtoj se çdo shtet duhet të jetoj me mundësitë që ka. Futja në borxh e brezave që vijnë nuk është e mire. Shtetet ashtu si dhe individët duhet të shtrijnë këmbët sa kanë jorganin… Shembulli i Greqisë të bënë të mendosh.  Kandezët do t’a peshojnë këtë çështje të hënën. Më i miri fitoftë!

Artan Gjyzel Hasani - Toronto, Ontario

Me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, Trudeau nxorri asin nga mënga, të vetmen kartë që i ka mbetur pa përdorur. Një lëvizje e përllogaritur e dikujt që nuk ka çfarë të humbasë. Një lëvizje arrogante, që shpreh vetëbesimin futurist të një kryeministri të dështuar. I dështuar në të gjithë planet që përcaktojnë një qeveri si të suksesshme. Përveç militantëve liberale dhe përfituesve të politikave të tij të emigracionit, Trudeau mendon se do të votohet edhe nga një kontigjen jo i vogël njerëzish që u paguan nga qeveria për të mos shkuar në punë. Është fakt që dembelët dhe humbanakët votojnë majtas, meqë janë gjithnjë përfitues të qylit nga politikat e majta sociale të cilat gërryejnë buxhetin e një shteti deri në eshtër.

Mendoj se në periudhën që po kalojmë është më mirë një qeverisje mazhoritare konservatore , e cila nuk duhet të ketë pengesa numerike për të zhbërë sa të mundet dështimet e qeverisjes liberale të Trudeau, sidomos në politikat lidhur me pandeminë dhe çeshtjen e strehimit, dhe rimëkëmbjen e bizneseve të vogla dhe të mesme, që pothuajse po shkojnë drejt shkatërrimit nga pandemia e kufizimeve, e cila për mendimin tim është më e rrezikshme se pandemia e COVID-19.

Rob Kore - Toronto, Ontario

Të Hënen shkohet në zgjedhje të parakohshme, zgjedhje të cilat nuk i duheshin askujt në Kanada, perveçse kryeministrit Justin Trudeau. Megjithëse kishte premtuar që nuk do shkonte në zgjedhje në mesin e një pandemie, ai përseri e bëri. Po shkohet në një palë zgjedhje ku nuk kishte asnjë arsye serioze në Kanada për të thirrur zgjedhje të parakohshme. Do harxhohen mbi 600 milionë dollarë, pa qenë nevoja, në një kohë që këto miliona mund t’iu jepeshin spitaleve, të cilat kanë nevojë më shumë. Arsyeja pse Trudeau po shkon në zgjedhje është që ai të sigurojë edhe një 4 vjeçar tjetër për interesat e tij personale. Prandaj Trudeau duhet ndalur këtë herë.

Kanadaja nuk mund ta perballojë një qeveri tjetër Trudeau edhe për 4 vjet të tjera. Sepse kjo qeveri në këto 6 vjet ka shkuar nga skandali në skandal. Vetë Trudeau ka qenë në qendër të çdo korrupsioni. Kanadaja aktualisht ka papunësi të lartë dhe po dëmtohen bizneset e mesme dhe të vogla. Prandaj na duhet një qeveri e cila ta nxjerrë Kanadane nga kriza ku ndodhet. Na duhen politika ekonomike të kujdesshme për të ndihmuar biznesin. Na duhet një qeveri Konservatore dhe O’Toole duket se ka një program ekonomik të qartë për daljen nga kriza dhe që ndihmon direkt çdo familje kanadeze në të gjitha provincat dhe territoret. Na duhet një qeveri e shumicës, e cila të angazhohet seriozisht për të punuar në të gjithë sektorët e ekonomisë kanadeze.

Artan Abazi - Halifax, Nova Scotia

Nuk mendoj që zgjedhjet në kohë pandemie ishin aq të nevojshme. Përveçse e dëmtojnë buxhetin nuk do të sjellin ndonjë gjë pozitive tek votuesit. Konsideroj se një qeveri mazhoritare do të ishte në dobi të qytetarëve për ndryshime kapitale, por gjasat që ndonjë prej partive të fitojë mazhorancën janë minimale, pothuajse zero, sepse dy partitë më të medha, ajo Liberale dhe ajo Konservatore do të jenë shumë afër për nga përqindja e votave që do t’i fitojnë, pra si duket, do të ketë përsëri një qeveri në minorancë.

Hajro Çini - Toronto, Ontario

Në zgjedhjet e provokuara artificialisht (dhe të pajustifikuara) nga kryeministri Trudeau ndeshen tre rryma kryesore. Dy të majta dhe një konservatore. Preferencat e mia politike në Kanada janë më të zbehta se ato në Shqipëri dhe USA, për arsye që do të më duhet shumë kohë që t'i sqaroj dhe këtu nuk është as koha as vendi për sqarim. Sidoqoftë, unë kam përjetuar disa qeveri konservatore dhe disa të majta si në nivel provincial ashtu edhe federal.

Kam ardhur kur kryeministër ishte Mulroney, politikan mjaft i aftë, dinak, tinzar dhe i korruptuar. Edhe pse i djathtë, ai e dobësoi ekonominë e Kanadasë. Ai kishte mundur bindshëm Trudeau babain, i cili ishte kthyer në legjendë në politikën kanadeze. Ndryshe nga i biri, i cili është një sharlatan i pavlerë, Trudeau babai, edhe pse shumë i majtë, ndoshta në limitet e komunizmit, ishte njeri me parime, të cilat i mbronte, me kurajo, edhe kur ato nuk gëzonin popullaritet. I biri nuk ka parime, por shkon pas berihajt.

Mulroney u ndesh me një ish-ministër të Trudeau-së së parë dhe humbi rëndë, për t’i hapur rrugën një regjimi hibrid të gjatë. Jean Chrétien ishte super i korruptuar, në nivelet e kampionit, shpërdoroi mbi $300 milionë nga buxheti i shtetit dhe nuk la mik të tijin pa e bërë milioner. Por çuditërisht, ai ndoqi politika fiskale të djathta dhe mbajti një nivel zhvillimi të respektuar. Në politikën e Jashtme, ai e rriti shumë prestigjin e Kanadasë, veçanërisht kur nuk iu bind diktatit amerikan për të sulmuar pa prova Irakun.

Pas Chrétien dhe Martin, kryeministër i Kanadasë erdhi Harperi. Padyshim kryeministri më i ndershëm që unë jam qeverisur këtu, i aftë, i mënçur, me shtyllë të fortë kurrizore dhe me parime dhe integritet të pacënuar. I vetmi gabim i tij ishte lidhja e ngushtë me Netanjahun, që zbehu përkrahjen e votuesve. Por në çdo aspekt tjetër ai ishte brilant.

Por asgjë nga këto nuk ka rëndësi më 20 shtator. Alternativa qeverisëse është shumë e rrezikshme, sepse Trudeau i ri, jo vetëm që nuk e kupton ekonominë, jo vetëm që ka shpërdoruar dëmshëm buxhetin, por nuk ka asnjë plan të mirëmenduar fiskal. Përkundrazi, druaj se Kanada do të ndeshet me vështirësi të mëdha në se ai rifiton. NDP është edhe më e rrezikshme, sepse në se Trudeau nuk ka plane dhe shkon pas berihajt, NDP ka agjendë, të qëllimshme, shkatërruese. Dhe ata e ndjekin agjendën e tyre me shumë këmbëngulje. Partinë Konservatore e udhëheq një ish-ministër i Harper-it, i cili po tregon se mund të sjellë një ndryshim shumë pozitiv në ekonomi. Unë e mbështes dhe i uroj fitoren!

Ilir Kuqi - Calgary, Alberta

Këto zgjedhje në këtë kohë Covid-i ishin pa lidhje, por qeveria kërkoi të përfitonte nga kjo situatë duke përkrahur njerëzit me ndihma sociale dhe shpreson tani të marrë votat e duhura për mazhorancë. Personalisht unë mendoj që gjithmonë duhet të ketë një opozitë të fortë për të kërkuar transparencë.

Ajdin Kozmaqi - Regina, Saskatchewan

Së pari e falenderoj Flasshqip për ketë rubrikë. Ndaj mendimin se zgjedhjet e parakohshme dhe vendimi për shpërndarjen e Parlamentit në kohë pandemie ka qenë i gabuar, megjithë faktin që mekanizmat shtetërorë janë duke bërë punët e tyre. Edhe këtë herë do të zhvillohet garë e ngushtë mes Liberalëve dhe Konservatorëve. Neodemokratët do të jenë aty për pazare politike si gjithmonë. Në bazë të sondazheve që po i shohim, nën liderin e ri Erin O’Toole, Konservatorët janë në një avantazh të lehtë. Megjithatë, rezultati paszgjedhor do t’iu imponojë fituesve, qofshin ata Liberalë apo Konservatorë, formimin e Qeverisë së Pakicës me koalicion ndoshta edhe me dy parti të tjera.

Kam lexuar programet e tyre zgjedhore. Jam fokusuar në shëndetësi dhe ekonomi. Të gjithë premtojnë se do të rrisin fondet për shëndetësine dhe do të hapin vende të reja të punës. Në shëndetësi, Konservatorët premtojnë se do të rrisin kapacitetet prodhuese të vaksinave dhe do të shtojnë transfertat provinciale për shëndetin mendor dhe shërbimet në qendrat për trajtimin e toksikomanëve. Liberalët synojnë të dyfishojnë planin për vaksinimin e detyrueshëm duke trajnuar personel shtesë mjekësor. Duke e bërë vaksinimin të detyruar, shpresojnë se do t’i japin një shtytje rimëkëmbjes së ekonomisë me një fond prej një miliard dollarësh për sistemin e pasaportave të vaksinave. Janë këto dy proritete të dy konkurentëve kryesorë për të dalë të parët, të cilët jam duke i përcjellë me vëmendje.

Mendoj që Partia Liberale si gjithmonë në provincat përendimore do të pësojë humbje. Këtë herë edhe më shumë. Arsyeja kryesore është dështimi i projektit të naftësjellësit dhe investimeve në shfrytëzimin e fushave të rërës bituminoze. Andaj mendoj dhe shpresoj edhe unë që këtë herë zgjedhjet të fitohen nga Konservatorët. Me dëshirën që ju, stafi i juaj dhe gjithë shqiptarët ngado që jetojnë, të jenë më së miri me shëndet, ju përshëndes!

Endrit Mullisi - Toronto, Ontario

Të Hënën Kanadaja voton sërish se në çfarë drejtimi do të shkojë. Kjo falë kryeministrit Trudeau, që në një situatë të tillë me shumë probleme që kërkojnë zgjidhje, vendos për të patur zgjedhje të parakohshme. Jam i sigurt që analistë që punojnë për të i kanë thënë që ka qenë momenti i duhur. Ndoshta! Nëse po, veç për Trudeau, jo për Kanadanë. Për të synuar marrjen e një mazhorance ku mund të bëjë atë që do, ai dhe ata që e ndjekin janë gati për të harxhuar para të tjera që nuk ishin në plan për t’u prishur dhe me atë që tregojnë analizat paraprake nuk duket që do ta realizojnë qëllimin.

Pse e ka dashur mazhorancën Trudeau tani? Unë dua t’i mëshoj të paktën një arsyeje. Në një epokë ku është kthyer dëshira për qeveri totalitare, pa kuptuar kjo ka kapur dhe njerëz që drejtojnë kampin Liberal, të cilët duan që e gjithë Kanadaja të mendojë, flasë dhe veprojë siç duan ata. Me disa prej ligjeve të kaluara dhe vendimeve të fundit për vaksinim të detyrueshëm, ma do mendja që një mazhdorancë e tillë, në bindje totale të kryetarit është ajo që Trudeau ka patur në mëndje.

Unë nuk jam mbështetës i asaj që Trudeau promovon në disa prej fushave shumë të rëndësishme të shoqërisë sonë dhe kjo përpjekje e tij për të synuar shumicë parlamentare nuk është mbështetur aspak nga unë. Mbi të gjitha synimi i tij për të vaksinuar apo izoluar gjithë kanadezët, është një nga eksperiencat më të hidhura që kam përjetuar këto 12 vjet në këtë vend të begatë.

Dëshira ime personale do të ishte që kanadezët t’i votojnë JO planit “forward” të Trudeau, si për të thyer planin e tij "krenar" dhe për t’i dhënë mësim të gjithë politikanëve që nuk mund të luash kështu me një popull të edukuar. Unë do të doja që Trudeau të pësojë fatin e Liberalëve të Ontarios dhe me shfaqjet e tij të fundit ku nuk mbizotëron ajo buzëqeshja e tij e zakonshme, duket që ai e pret një mundësi të tillë. Elektorati i vet besnik duhet ta dënojë me votë. Sidoqoftë në mendimin tim, ai mbetet i dështuar në këtë përpjekje edhe nëse fiton në minorancë. Kjo do provojë që ai bën lojëra dhe nuk është politikan i mirëfilltë, por e konsideron buxhetin e shtetit si të tijin.

Eshtë prezente ideja që një qeveri minorance mund të jetë më mirë se sa një në mazhorancë. Mund të jetë e mirë kur ata që bëjnë politika dinë të bëjnë kompromise dhe kur partitë janë të njëjtit spektër politik. Pak vështirë me mentalitetet që po shikoj këto vjet. Një mazhorancë e Liberalëve me Socialistët e NDP dhe Të Gjelbërit është më e mundshme në aktualitetin e sotshëm. Një mazhorancë e konservatorëve me BQ dhe Partinë e Popullit do të ishte shumë interesante po ashtu.  Shpresoj që të Martën të dëgjoj lajmin që Trudeau do shfronësohet!

Ermir Dardha - Montréal, Québec

Në prag të zgjedhjeve federale në Kanada dy partite e medha debatojnë për shumë tema. Doja të veçoja dy tema delikate atë të "Strategjisë për strehim" dhe "Buxhetin". Gjatë pandemisë çmimi mesatar i shtepive në Kanada është rritur me 30%. Ndërsa prej ardhjes në pushtet të Liberalëve në 2015 e deri më sot çimet e shtëpive janë rritur përafërsisht me 70% referuar Asosiacionit Real Estate Kanadez. Pra kjo teme është e nxehtë sepse sidomos brezat e rinj e kanë të vështirë në një ekonomi pandemie të sigurojnë shtepinë e parë.  Liberalet në programin e tyre propozojnë të ndertojnë, ruajnë dhe riparojnë 1.4 milion shtëpi në 4 vite. Sistem ndihme për pronarët e shtëpive për herë të parë me dy taksa te kredituara si dhe 25% zbritje në për sigurimet e hipotekave. Konservatorët planifikojnë të ndërtojnë 1 milion shtëpi në 3 vite. Gjithashtu dopio kreditim takse dhe krijimin e sigurimin e kredive hipotekore 30 vjeçare. Të dy partitë e mëdhaja Liberalët dhe Konservatorë propozojnë ndalimin për 2 vjet të të huajve për blerje shtëpie.  Ndërsa NDP planifikon 500'000 shtëpi të përballueshme në 10 vjet. Ndërsa për të huajt që investojnë në blerje shtëpie në Kanada propozojnë një taksim shtesë prej 20%.

Specialistet janë të ndarë në pikëpamjet e tyre, për sa i përket planeve të mësipërme apo edhe të trajtimit të pronarëve aktual të shtëpive. Ky diskutim mbi ekonominë është i lidhur me inflacionin dhe buxhetin dhe perspektivat e ndryshme për zhvillimin ekonomik të Kanadasë. Kjo na sjell në temën tjetër më të nxehtë debatit mbi buxhetin. Liberalët kritikohen nga Konservatorët për shpenzime të panevojshme. Me pikëpamjet e tyre ata kërkojnë votëbesimin që të balancojnë defiçitin në 2031 me buxhetin që propozojnë. Ndërsa Liberalët që kërkojnë nje qeveri mazhoritare me buxhetin që është më i kushtueshëm në krahasim me Konservatorët.

Dy idetë që përplasen janë: Ajo liberale që kerkon tu qëndrojë më afër në kohë të veshtira kanadezëve, por që në kohë më të mira kjo përkthehet në më tepër taksa që kjo faturë pandemie të paguhet. Ndërsa ajo konservatore tregohet më e kujdesshme në shpenzime, por duke bërë që kjo faturë të shlyet nga rritja ekonomike në vite. Plani konservator propozon të mbajë një nivel më të ulët të shpenzimeve, me 53.8 miliardë dollarë në shpenzime të reja dhe ngarkesa shtesë të borxhit deri në në vitin fiskal 2026, dukshëm më të ulëta se 80.7 miliardë dollarë që propozojnë Liberalët gjatë pesë viteve në shpenzimet e programit dhe  ngarkesat e shtuara të borxhit që rezultojnë.  (Liberalët po propozojnë gjithashtu rritje taksash që paguajnë për disa nga ato shpenzime shtesë.) Konservatorët gjithashtu thonë se nuk do të dyfishojnë zakonin e Liberalëve për të shpenzuar rritje të papritura të të ardhurave. Sidoqoftë zgjedhjen në fund e bën elektorati kanadez.

Ilir Gjini - Toronto, Ontario

Këto zgjedhje u provokuan nga kryeministri Trudeau, pasi qeveria e tij në minorancë ishte e brishte. I varur në gjithë vendimet nga koalicioni me NDP dhe nga grryerja e buxhetit për shak të krizës dhe politikave fiskale të gabuara, Trudeau vendosi të futet në zgjedhje për të marrë një rezultat më të mirë për Liberalët. Por të gjitha sondazhet flasin për një rezultat të njëjtë me dy vite më parë. Liberalët kryesojnë lehtë në Ontario, Québec dhe Atlantic Canada, ndërsa Konservatorët ne Prairies, Alberta dhe British Columbia. Suprizë eshte rritja e NDP në Alberta dhe Prairies, duke u renditur partia e dytë para Liberalëve.

Trudeau do të duhet serish të varet nga NDP dhe sa më shumë të zgjasë kjo aleancë pushteti, aq më tepër do rrudhet Partia Liberale. Vota të cilat shkojnë në favor të NDP. Me mire do të ishte një qeveri në minorancë, që nuk mund të ndërmarrë ndryshime që kërkojnë shumicë të thjeshtë. Në situatën e vështirë me të cilën përballet ekonomia, lajmi më i mirë do të ishte zbutja e pandemisë, përmes zhvillimit të antiviraleve (pasi vaksina nuk bën mrekullira) dhe hapja e kufijve për t’i dhënë frymëmarje biznesit. Sa i perket Partisë Konservatore, lideri i saj, sipas meje, është një figurë që nuk mund të bëjë diferencën për të përsëritur suksesin e Stephen Harper.

Prend Tanushi - Laval, Québec

Këto zgjedhje mund t’i quajmë “të vaksinës”. Nuk mund të mbahen zgjedhje politike në kushtet e emergjencës sanitare e cila ka paralizuar ekonominë dhe ka mbingarkuar rrjetin e sistemit shëndetësor kombëtar. Ato, gjithashtu po mbahen në një periudhë të papërshtatshme në kontekstin ekonomik, ku dificiti buxhetor është më i larti i të gjitha kohërave dhe këtij hendeku finaciar po i shtohet edhe kostoja prej 650 milionë dollarë që do shpenzohen në këto zgjedhje. Me të drejtë të gjitha partitë politike ishin kundër, përveç Liberalëve.

Qeveria Trudeau është në minorancë dhe në përgjithësi në raste të tilla, sipas kulturës politike kanadeze, qeveritë mbijetojnë vetëm 12-18 muaj. Prandaj me të drejtë partitë e tjera politike bashkëpunuan me Partinë Liberale në pushtet, në rrethana të jashtëzakonshme, për të kaluar krizën sanitare dhe jo vetëm që nuk e rrëzuan qeverinë, por ishin për zgjatjen e mandatit në koherencë me zhvillimet pandemike të vendit. Por për çudi të të gjithëve, Trudeau vendosi që ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Ky ishte një vendim politik në interesin politik të Partisë Liberale dhe jo në interesin ekonomik të vendit. Liberalët shfrytëzuan pandeminë duke menduar që do të fitojnë mazhorancën dhe që të qeverisnin pastaj për katër vite të qetë.

Dy janë arsyet që Liberalët mendojnë se mund të marrin shumicën e votave: 1) ndihma ekonomike që u dha qeveria qytetarëve dhe kompanive që kur filloi pandemia; 2) sigurimi i vaksinës dhe fushata e vaksinimit që rendit Kanadanë në krye të listës së vendeve me përqindje të lartë vaksinimi të popullsisë.

Mendimi im personal është se nuk do të kemi një fitues mazhoritar. Fituesi do të jetë në minorancë përsëri dhe unë do të dëshiroja një koalicion qeverisës, pra një qeveri të gjerë dhe strategjike, që të ndryshojë filozofia e domosdoshmerisë së të qënurit mazhoritar për të kompletuar mandatin, pra të ndryshojë kultura politike në të mirë të zhvillimit ekonomik dhe shoqeror të  vendit.

©Flasshqip.ca