"Bredh" për Vitin e Ri - Tregim nga Vangjush Saro
-Fshihuni djemaaa! Dhe shikoni me kujdes atë... atë burrin që po rri ngjitur pas bredhit.
Një dorë shkurresh, mjaftoi që ne të strukeshim; por duke përgjuar sy e vesh, siç ‘ishim porositur’. Në tërë Kodrën e Shetros* ishte qetësi. Nuk shikoje këmbë njeriu. Asgjë. Më së shumti, vetëm trumcakë që fluturonin ulur. Tek-tuk, dëbora kishte filluar t’ia kthente dheut ngjyrën e vet.
I nxorëm kokat nga ferra për një çast. Burri i ‘dyshimtë’ po rrinte vërtet mbështetur pas një bredhi. Ai kishte veshur një kapotë të madhe. Dhe kokën ia mbulonte tërësisht një kokore leshi. Njërën dorë e mbante brenda kapotës; me dorën tjetër thithte cigaren. Ishim mjaft afër për të ndjerë erën e duhanit.
-Kujdes, djemaaa! Kujdes! Ai mund të jetë diversant.
Këto fjalë tingëlluan si kushtrim lufte. Jo? Dhe ishte sërish Land D’Ardanjani që po na ngrehte si ndonjë komandant. Në atë heshtje dëbore.
Ne ishim katër shokë. Landin e thërrisnim kështu ngase gjithnjë na përralloste sikur gjyshi i tij paskej qenë mosketier dhe pat luftuar krah D’Ardanjanit. I dyti ishte Byreku. Babai i tij punonte në një mulli dhe me sa dukej, aty gjithmonë tepronte diçka për trastën e tij. Në shtëpinë e tyre gatuhej përherë byrek, të paktën njëherë në dy ditë. I treti, isha vetë. Ngaqë bëja vjersha dhe recitoja në shkollë, shokët më thërrisnin Poeti. I katërti, por jo i fundit, vinte Dinshumi. Në të gjitha klasat, kishte qenë i pari... Këtu, si të thuash, mbyllej rrethi.
Nëse më lejohet ta them tani, pas kaq e kaq kohe, atëherë nuk mbaheshim në dorë... Sapo që gjenim pak kohë të lirë, me vrap përjashta, ku të ishte loja dhe aventura; donim veç të endeshim. Kishte raste që zbrisnim tatëpjetë, merrnim rrugën për nga Kombinati i Trikotazheve, mandej drejt Dunavecit. (Më pas, atë lumë do ta vërvitnin nga krahu tjetër i fushës, derisa u tha fare.)
Por më shpesh, ne ngjiteshim përpjetë, për andej nga Panda**. Këtu e krehnim mirë gjithë vendin, sidomos poshtë tavolinave, sepse ndonjëherë gjenim monedha. Pastaj shkonim edhe te Fabrika e Birrës; (në atë territor, gjithandej binte erë bërsi). Nganjëherë, hidheshim edhe gjer te Fabrika e Qelqit. Pastaj bënim nga e majta dhe zbrisnim në përrua edhe e mbanim frymën te Çezma e Shetros. Aty pinim ujë sa shëmbeshim; sidomos në verë.
Por tani ishte dimër; nuk ishim nxehur ende. Kodrën e kishim ngjitur pa ndonjë mendje për të lozur. Ishte një shëtitje e shurdhër, në mund ta them kështu. As që na shkonte mendja se ç’do të na dilte përpara.
-Unë them t’i hidhemi, - propozoi D’Ardanjani.
-Kujt?
-Diversantit.
-Si t’i hidhemi?
-Në grykë, ore...
-Po ai nuk po bën gjë.
-Ai është i dyshimtë. Shiko si mban vesh përqark.
Burri pothuaj na pa edhe ne; por prapëseprapë dukej i përmbajtur. Në të vërtetë, ai kishte lëvizur për të hedhur cigaren. Ndërkaq, D’Ardanjani po shkumëzonte.
-Me siguri, është e markës Gamel. Këta armiq pinë cigare të shtrenjta. Të jashtme. Yyy!
-Sikur të vinte njëri nga ne dhe ta kapte atë bisht... - Dinshumi po matte me sy distancën. Ishte mjaft larg.
-Po u desh, shkoj unë, - tha D’Ardanjani. - Por nuk është nevoja. Djemaaa, unë vë bast që ai është një diversant, - shpalli ai dhe ishte aq i paduruar.
-Çfarë do të thotë? - pyeti Byreku, që ishte më i vogli ndër ne.
-S’ke dëgjuar, o qyp? Janë armiq.
-Ata vijnë nga jashtë shtetit... - u përpoq të shpjegonte diçka më tepër Dinshumi. - Por ky këtu se si më duket. Është një burrë...
-Është aso, të them - ngulte këmbë D’Ardanjani. - Është diversant.
-Ku e di ti?
-E shikoj. Nxirr llastikat, ta bëjmë copë-copë...
-S’mund ta vrasim tjetrin kotsëkoti. - Unë i thashë këto fjalë me shumë mundim.
-Ehu! Poetët janë frikacakë! - shpërtheu D’Ardanjani. - Unë po ju them që ai është diversant.
-Po nga se e dallon ti?
-Nga se? Dallohen menjëherë reaksionarët, djemaaa...
-Çfarë domethënë? - pyeti Byreku sërish.
-Hm... atyre iu kanë marrë tapitë, - shpjegova unë.
-Po doemos. Janë armiq.
-Tokat, - saktësoi Dinshumi. - Tani ata vijnë nga Amerika.
-Nga e gjithë bota reaksionare, - tha D’Ardanjani. - Prandaj unë them... dy andej, dy këtej, ta bëjmë zap.
-Po sikur të ketë thikë?
-Pse nuk thua, revole...
Këtu u stepëm të gjithë. Edhe D’Ardanjani që mbahej për trim, filloi të gëlltitej. Heshtje. Ca trumcakë e gjetën kohën të shkundeshin përmbi kokat tona. D’Ardanjani mori sërish komandën.
-Po sikur... sikur të shkojmë në Degë? - propozoi ai.
-Unë nuk shkoj në Degë, - tha Byreku.
-Po pse, o kokë me miell?
-Më ka thënë babi, atje shkojnë spiunët.
-Ç’punë kemi me Degën ne! - u shmang edhe Dinshumi.
-Yyy! Ju... familje reaksionare! Klasa të përmbysura! - gati sa nuk po qante D’Ardanjani.
-Çfarë do të thotë kjo? - pyeti Byreku.
-Kështu flitet nëpër filma, - u përpoq të shpjegonte Dinshumi; pastaj befas e ngriti zërin. - Por familja ime nuk është ashtu...
-Xhaxhai im ishte partizan, - thashë unë. Dhe me të vërtetë, një nga vëllezërit e babait kishte qenë partizan dhe ishte vrarë në një fshat të Vlorës.
-Epo, partizanët ishin trima, - përfitoi D’Ardanjani - Apo jo? T’i hidhemi në grykë në qoftë se jemi... edhe ne...
Këtë unë nuk e dija me siguri. Babai më fliste për filmat e Çaplinit. Ai i pëlqente edhe operat italiane. Të gjitha historitë me Nastradin e Qeros i tregonte plot humor. Por për partizanët nuk më kishte folur ndonjëherë. Nuk dija që të mos i donte. Ai kishte pasur një dyqan, ishte një tregtar i vogël, një artizan në mund ta quaj kështu; bënte ëmbëlsira, llokume e bonbone. Ishte shpirt njeriu. Por... ai nuk fliste dot mirë për ata, pasi i kishin marrë dyqanin.
-Unë them të kthehemi në shtëpi, - propozoi Byreku.
-Ptu, dezertor! - e ngriti zërin D’Ardanjani; pastaj brriti edhe më - Kush m’i ka llastikat?
Kishte qenë një film, që bënte fjalë për ndeshjet me diversantët; dhe personazhi kryesor (asnjëherë s’e kisha kuptuar pse) thoshte në një çast: “Kush ma ka çakmakun?” Pastaj ata përlesheshin. Këtë kishte parasysh edhe D’Ardanjani. Mirëpo llastikat i kishte Dinshumi.
-E zëmë se do ta qëllosh, - tha ai. - Po të shkoi huq pastaj? Nga do t’ia mbathim? Se është edhe dëborë...
-Ai po lëviz... - sekush tha.
Burri i dyshimtë diçka po nxirrte nga kapota. D’Ardanjanin s’e mbante vendi.
-E shikoni? Armiku është gati për luftë. Kush m’i ka llastikat?
-Ai nuk e di që ne jemi këtu, - thashë unë.
-Ne nuk kemi të drejtë t’i shtiem! - hodhi një frazë pak a shumë si urdhër Dinshumi - Më mirë tërhiqemi pak edhe nga pak...
-Të tërhiqemi? Kurrë! - D’Ardanjani nuk e donte veten - O ia tregoj atij vendin, o plas. Kush m’i ka llastikat?
Gjendja ishte me të vërtetë e nderë. Me sa dukej, një episod pak a shumë i tillë do të jetë bërë shkas për të krijuar atë shprehjen “Ç’sjell minuti, nuk sjell moti.” Ndërkaq, burri i dyshimtë e nxori dorën nga xhepi brendshëm i kapotës; bashkë me të, nxori edhe një latoshkë. Latoshkë! Po po. Ai nuk kishte kobure. Ishte një sëpatë e vockël. Pra, njëherë për njëherë, mund të merrnim frymë të lehtësuar. Por sytë nuk ia ndanim. D’Ardanjani po shkumbëzonte:
-Djemaaa, t’i hidhemi!
As që bëhej fjalë. Vetëm e vëzhgonim. Papritur, aty ku ndodhej e, pa lëvizur shumë, por duke vështruar përqark gjithë kujdes, burri kapi njërën nga degët e bredhit, atë që dukej si më e plotë; dhe filloi ta priste. Ne ngrimë. Në qoftë se ishte një diversant, për çfarë i duhej bredhi, dega, dreqi që e mori... Burri nxori shpejt e shpejt një thes të madh dhe e futi brenda tij degën e sapoprerë. Patjetër, nuk donte që t’i dukej. Pastaj, ai pa edhe njëherë sa majtas djathtas, ngriti jakën dhe iku.
Tani ne mund të dilnim nga ferrat. Dhe ashtu bëmë. Vetëm se nuk po gjenim dot fjalën.
-Kërkonte një degë për të bërë pemën e Vitit të Ri, - theu heshtjen Dinshumi.
D’Ardanjani u përgjigj me një gjest kundërshtimi.
-Megjithatë, - tha pas pak, turivarur - ai dukej shumë i dyshimtë...
Filluam të zbrisnim tatëpjetë për t’u kthyer nëpër shtëpira. Ç’mund të bënim më shumë! Ishte një ditë dimri me diell. Te Çezma e Shetros, uji gurgullonte paprerë. Trumcakët vazhdonin të uleshin e të ngriheshin kohë e pa kohë. Dhe cungujt e akullit përqark e nëpër degët e ferrave, po shkrinin...
.........................................................................................
*Kodra dhe Çezma e Shetros, vende të njohura në rrethinat e Korçës, në kufi me fshatin Mborje.
**Lokal dhe mjedis me emër të mirë në Korçë, pranë Fabrikës së Birrës; ka qenë i njohur për gjelbërimin dhe birrën cilësore e të freskët që servirej atje. (Më pas, katandisi si jo më keq; nuk mbahej pastër dhe s’gjeje dot një krikëll birrë, mbarohej shpejt, edhe pse fabrika ishte dy hapa larg. Me kohë, klubi u braktis nga qytetarët.)
©Vangjush Saro