Çdo floknaje në veçanti - Nga Flurans Ilia
- Nga: Flurans Ilia
Avioni zbret në aeroportin e Montrealit dhe kontrolli i bezdisshëm i pasagjerëve merr fund. Në portat e aeroportit dëbora e parë e këtij fillim dimri të gjatë ka filluar në orët e para të mëngjesit. Qyteti fillon e zgjohet dhe i befasuar e gjen veten të mbathur me një vello të bardhë.
Me dorën e ngritur në ajrin e ftohtë të dimrit ndalon taksinë e parë që del përpara. Zhytemi brenda saj dhe fillojmë të përshkojmë rrugët e mbuluara nga bora duke u puthur në sediljen e pasme të taksisë.
Nga radioja burojnë tingujt e “A Thousand Kisses Deep” të Leonard Cohen.
I jemi rikthyer sezonit. Këtij të vërtetit. Bashkë me ty.
Pa dashur në xhepin e pantallonave të mia ka përfunduar guacka ime e vogël e detit. E harruar aty, prej asaj dite teksa vështroja vijën e bregdetit dhe vetes i thosha se pak e nga pak, çdo histori merrte pak a shumë trajtat e një feste të vogël që e mbart gjithmonë me vete, brenda çastit, te një sezon i ri, ndërsa koha, koha ikën, koha e shtegtimeve ja ka mbërritur dhe je në kërkim të vazhdueshëm të pamjes, përgjatë vijave të larmishme të saj.
Kujt pamje në fund të fundit?
Fillon të pyesësh vetveten. Ndien ankth. Fillon të bëhesh nostalgjik. Fillon e bëhesh ëndërrimtar. Fillon të zhytesh me gjoksin e mbushur plot oksigjen njëmijë e më tepër puthjesh thellë.
Megjithëse dyshon te bota. Ngelesh ky që je. E jeton jetën si me qenë e vërtetë. Nuk është faji yt. Nuk është as faji i stinëve në të gjithë këtë histori.
I kujt? Më thuaj. I kohës që ikën e fashitet? Ndërsa guacka e mbetur në xhepin tënd është pikërisht nga ato që thonë me zë të ulët se po të vendosësh veshin brenda saj dëgjon detin?
Ajo, e mbështetur mbi gjoksin tënd, me veshin e puthitur në krahun e zemrës, dremit e qetë përgjatë kthimit në shtëpi.
Ftohtë. Krejt i ftohtë e hap dritaren e pasme të taksisë dhe vendos veshin tek guacka e së bashku me guaskën në vesh drejt e në ajrin e akullt verior të mëngjesit me shpresë se mos dëgjon detin prej kaq e kaq mijra miljesh larg.
Veç era e veriut dëgjohet.
Puhiza dëbore shpërndan era.
Ndijon qartë rënien e çdo floknaje në veçanti. Nga majat e kullave. Gjer mbi tokë. Ndërsa taksia ballas çan erën dhe përhumbet së bashku me ne në rrugët e bardheme të këtij qyteti të bardhë, të bardhë, mbuluar nga bora.
Montréal, dimër, 2011