Krijimtari

Loja me fjalën - Nga Flurans Ilia

Nga: Flurans Ilia

Loja me fjalën është një nga tiparet më të vështira të shkrimit. Për autorin në veçanti. Nëse loja me imazhin në rastin e pikturës apo kinemasë është një mjet që e merr shikuesin dhe e shpie drejtpërdrejt vendesh të tjera imagjinare të cilat, legjitimojnë tabllonë apo skenën si tërësi të pamjes, loja me fjalën ngelet një qorrsokak i veçuar nga planimetria e një teksti.

Shkrimi për nga natyra e vet ka një biodiversitet të ndryshëm detajesh nga mjetet që përdoren në arte të tjera. Dyzimi i fjalës bëhet akoma edhe më i pakalueshëm kur teksti luan në një terren dygjuhësh. Nuk është aspak njësoj po ta krahasosh me përzierjen e ngjyrave apo gjuhën filmike të cilat janë më universale.

Së pari për vetë autorin ky lloj qorrsokaku edhe pse i qellimshëm, nga ana e tij ngelet një barrierë ku mund të thyejë turinjtë. Për dy faktorë kryesorë. Ndeshja me syrin e lexuesit është sfida e parë ku loja me fjalën mund të rezultojë si një bllof. Kjo ngaqë lexuesi absolutisht ka të drejtën legjitime ta marrë fjalën në mënyrë të drejtpërdrejtë ashtu si është shkruar në kuptimin e saj të mirëfilltë. Lexuesi ka të drejtë po nëpërmjet fjalës të udhëtojë në një nivel krejt tjetër nga domethënia “legjitime” e saj.

Varet se çfarë kuptojmë me legjitimitet. Pra ta marrë fjalën me sportivitet, nëse na lejohet ky lloj shembulli. Sepse gjuha nuk fal. Gjuha është inkuizitori më i ashpër. Ajo ka rregullat e veta tiranike të cilat “ta presin gjuhën”. Ne kujtojmë se e udhëheqim gjuhën ndërkohë që është gjuha ajo që na tërheq zvarrë. Kemi mbërritur pa e kuptuar në një “zonë neutrale” si me qenë ballë për ballë në kufirin e ndaluar të një “zone ushtarake”!

Duhet kujdes nga ana e autorit për të shkelur në këto zona. Kërkohet kurajo nga ana e tij. Madje pa u zgjatur me shembuj konkretë, ky lloj tipi atipik autori ngelet për mua si lexues nga autorët më zbavitës. Sepse arti i të shkruarit po të përdorim një term bashkëkohor është i fatëzuar të “konsumohet” në vetmi. Dhe si i tillë po nuk pati ngasje është e kotë ka për të qenë gjith kohës si një pjatë e ftohtë e ndenjur.

Mora shkas për të shkruar këto rreshta nga një “aksident” i papritur me një lexues. Një karambolazh që më ka ngacmuar këto ditë. Po të mos ia bëja të qarta vetes të gjitha këto më sipër nuk do isha i sinqertë as me tekstin dhe aq më tepër me lexuesin. Kujdes, jemi sërish te loja me fjalën!

Në shkrimin tim “Contratiempo” ka një rrugëkalim të qellimshëm tip qorrsokaku. Në një nga fjalitë e atyshme shkruhet e zeza mbi të bardhë: “Në kafenetë e ditëve tona pothuajse të gjithë njerëzit janë të pajisur me hi pod, hi phone, smartphones. Që të gjithë marrin dhe japin me hi speed!”. Po të vërejmë me kujdes janë përdorime jo korrekte të anglishtes të cilat nuk bëjnë kuptim. Janë çibanë të hapërdarë mu në trungun e një teksti shqip. Si kërpudha magjike. Përfytyrimi i tyre në kuptimin më të ndershëm të fjalës vjen si një shpërfytyrim.

Nuk ka rrugë tjetër për autorin për ta vendosur kontekstin e fjalës në tërësinë e duhur të tekstit. Autori madje e ka paralajmëruar këtë nëpërmjet shejzave italike, fjalët janë vendosur ndryshe, të përkulura, si me qenë një shkelje syri miqësore për lexuesin. Por jo, lexuesi e thamë më sipër, ka absolutisht të drejtë ta marrë fjalën seriozisht ashtu si është në tekst. Kjo është e drejta e tij. Por mos harrojmë se edhe autori ka ca të drejta të veta. E drejta e tij më sublime është të tentojë dhe jo të jetë i tunduar. Kështu që dëmi është 50/50 në këtë aksident.

Për të riardhur sërish te teksti, po në të njëjtin shkrim autori vijon në mënyrë të qellimshme të justifikojë tashmë kërpudhat e veta magjike që i ka servirur lexuesit pak kilometra më sipër, kësaj here me një varg nga teksti i një kënge për të rinj ku thuhet: “Life's a bitch and then you die / So fuck the world and let's get high …”

Në një raport krejt tjetër perceptimi tashmë imazhi i fjalës pas këtyre vargjeve fillon e zhvishet në tekst mu përpara syve tanë. Pikërisht në këtë çast për çudinë tonë, Ne, si autor dhe lexues fillojmë të dallojmë tiparet reale se ku na ka shpënë tërësia e tekstit, thjesht duke i dhënë dorën njëri-tjetrit.