Krijimtari

Madhështia e vogël e varreve - Nga Artan Gjyzel Hasani

Fragment nga nga romani satirik "Republika e Semaforëve", 2013

"Presidenti nuk kishte qenë kurrë ithtar kortezhesh, por përvjetori i vdekjes së Klarës e kishte shtyrë atë të shkonte të vendoste një tufë me lule mbi varrin e saj.

Varrezat ndodheshin në një kodrinë të mbuluar nga qiparisa të lartë që krijonin ndjesinë e një paqeje të blertë absolute.

Por kjo ndjesi zgjaste fare pak.

Varreza ngjasonte me një atelie gjigande të mbushur plot e përplot me skulptura, buste dhe monumente.

Varri i thjeshtë i Klarës ishte rrethuar nga një mori varresh më të reja që u përkisnin kontribuesve më të mëdhenj të luftës civile të disa viteve më parë. Çdo i rënë kishte tashmë nga një monument dhe bust gjigand. Semaforasit vdisnin për pak mermer dhe bronx të cilin zakonisht e fitonin pas vdekjes në mënyra nga më të ndryshmet.

Majtas ishin varret e dy vëllezërve që kishin rënë heroikisht duke vjedhur shtëpinë e një ish-oficeri që i kishte palosur dy të paftuarit me antitankun e tij. Vëllezërit e bronxtë mbanin në duar kallashnikovë dhe shprehja e fytyrës së tyre, sidomos e syve, nënkuptonte vendosmëri dhe largpamësi. Dukej sikur skulptori në çastet e kompozimit sapo kishte lexuar Eposin e Kreshnikëve. Pak më tutje, një tjetër bust luftëtari, pa kokë, por i armatosur me një granatëhedhëse. Në pllakën e mermertë ishte shkruar “Fli i qetë, nipçe! Veprën tënde do e vazhdojmë ne. Me dashuri për ty dhe urrejtje për armikun! - nga Gjyshi e Gjyshja”.

Varri tjetër ishte një kompozim monumental që jepte një tablo nga beteja ku kishin rënë tre heronj të tjerë, vëllezër edhe ata. Betejë në të cilën kishin mbetur të vrarë të dyja palët. Kishte mbetur gjallë veç molla e sherrit, një vajzë dikur miturake, që më vonë kishte dëshmuar në një gjykatë se heronjtë e mermertë kishin dashur ta trafikonin si prostitutë në një vend fqinj. Dy nga heronjtë, përveç armatimit, mbanin në duar një motor skafi, ndërsa duart e të tretit tregonin larg horizontin mbi det…

Ja. më në fund busti i dikujt që qëndronte ulur mbi një kolltuk të stërmadh prej bronxi. Nga larg dukej sikur mbante në prehër një libër. Presidenti u bë kurioz dhe iu afrua.

Kishte menduar se ishte monumenti i një poeti të njohur, të vrarë shumë vite më parë nga diktatura. Por nuk ishte e thënë që në atë varrezë të kishte diçka poetike.

Heroi mbante në prehër jo një libër, por një flakëhedhëse, nga e cila Presidentit iu duk se akoma dilte tym…."

©Artan Gjyzel Hasani