Krijimtari

Shyqyr Zotit është e premte - Tregim nga Alket Xhakollari

Nga: Alket Xhakollari

Nisemi me Deivin për në pub, tek Duke’s, siç e kemi zakon të premteve pas pune.

Të rrëkëllejmë ndonjë birrë e të përhumbemi.

E premtja shënjon sinorin e ëmbël të fundjavës; është një hapësirë purgatori për njerëzit produktivë të këtij megaqyteti.

“Dy burra në kërkim të aventurës” - më qeshet, teksa shoh hijet tona të ecin çalë-çalë përgjatë Yonge Street, drejt destinacionit në veri të kësaj rruge.

“Si mund t’ia përktheja Deivit në anglisht gjendjet e mia në shqip?!”

Në Yonge me Eglinton, kullat e qelqta feksin të kuqërremtën në shuarje të diellit. Një masë njerëzore me shenjën purgatore të së premtes del si lumë nga Subway dhe derdhet ne trotuare me tërsëllimë.

Mjetet motorike zhurmojnë, boritë shfryjnë frustrimin e shoferëve. Restoranti i sushit dallohet së largu nga një radhë kilometrike me studentë aziatikë të Rajersonit.

Njerëzit, edhe për pak, do u ngjajnë atyre skulpturave të Xhiakometit, dhe si silueta do përvidhen nëpër natën e mistershme të Torontos.

Në koshat e gazetave, një foto e Sophie Trudeau buzëqesh për herë të fundit. Justin, është zgjedhur kryeministër sërish, pas një palë zgjedhjesh anemike që edhe njëherë më shumë vërtetuan frikën e publikut për ndryshim.

“Turp e faqezezë” - mërmërit Deiv.

Tek Duke’s është qetë, si ngahera në këtë orë.

Dekori dhe ndriçimi i ngjajnë një seti filmi që pritet të xhirohet. Në mugëtirë, një grusht aktorësh presin të mbërrijë regjisori. Të dhemb në shpirt ta shprishësh këtë moment që e pat krijuar mungesa jonë.

Një sy përgjues në horizont na përgjon, ndërsa unë dhe Deiv hutohemi enkas për të grishur vëmendjen e kamerieres.

“Tryezë për dy?” - shfaqet ajo me dy menu zënë si në grackë aty mes sqetullës dhe gjoksit të majtë, me një buzëqeshje televizive në fytyrë. Një aksent i lehtë i dallohet në të folur dhe një aromë enigme i vjen nga flokët gështenjë, të cilët i valëvit në rrotullim e sipër e na lutet ta ndjekim pas.

E ndjej ngazëllimin e Deivit, gati, çakmak për të hyrë në muhabete të kota, “pa bereqet” do thonim ne lindorët.

“Për dy natyrisht” - thotë ai, dhe zë i pëshpërit në vesh një qyfyre, ndërsa unë i ndjek mes stolave të lartë dhe tavolinave me atë syrin përgjues, plumb mbi supe.

Ajo qesh, siç bën rëndom me të tillë mesoburra të fundjavës.

Vajza na prin tek një qoshe rustike, në një tryezë ku syprina është trajtuar me llak të freskët, pranë një dritareje me xhama të gdhendur. I vendos menutë më një kujdes të veçantë në tryezë si të ishin Bibla. Era e llakut ndihet pakëz në ajër, si e vetmja risi në këtë pub, gati njëqindvjeçar të qytetit.

Na thotë se quhet Meri dhe është atje në dispozicion të kërkesave tona mbrëmësore dhe se jemi të lutur të marrim të gjithën kohën e nevojshme për të bërë porosinë. Me siguri Meri është nga Evropa Lindore, gjykuar nga aksenti dhe sjellja.

Kam përshtypjen se syri përgjues është fikur në mugëtirë, si ai dielli përjashta mbi kullat e qelqta.

Me Deivin më shumë se muhabeti, formimi a kultura, na bën bashkë afria fizike në zyrë, e cila për burokratët me kohë kthehet në një rutinë, në një marrëdhënie varësie, një iluzion ku të kanë dënuar, love-and-hate quajeni po të doni.

Unë jam pasiv, mirëpres pakënaqësitë e jetës së tij, dështimet, fëmijërinë e trazuar, triumfet dhe thashethemet. I sjell në mendjen time dhe i koleksionoj si copëza njerëzore pa kuptim diku nëpër sirtarët e trurit.

Deiv transferon përditshmërinë e tij tek mua me të vetmin qëllim, për të qenë i veçantë, interesant e të flasë qesim me një emigrant dashamirës, gati për të krijuar një skenë ku Deiv të performojë.

“Mendo, Sindi më kërkoi dje të marr pluhurat e ballkonit në apartamentin e saj. Me vacuum cleaner! A ke dëgjuar ndonjëherë për marrëzi të tilla?”

Syri përgjues në horizont aktivizohet sërish dhe më bën të ndjehem i përgjuar. Një muzikë blues ndjehet në ajër dhe ma zbut disi paranojën.

“Po, po, të marr pluhurat e ballkonit. Sindi është e marrë, një maniake e sëmurë”

Unë bëj një gjest me dorë, sikur dua të them: “Gratë!”

Në tryezën ngjitur, një zotëri kruan fytin çdo 20 sekonda me një përpikmëri kronometrike. Burri me xhinse lexon një libër religjioz dhe është shpërfillës ndaj gjindjes përreth. Fyt-kruarja duket si simptomë e ndonjë tiku nervor dhe me kalimin e kohës bëhet një rutinë normale. Si hapja e portës vjen fjala.

Meri na sjell dy Guinness dhe na pyet nëse do marrim ndonjë gjë për të ngrënë.

Biem dakord për një porcion të madh nachos me jalapeno përmbi dhe me salcra të ndryshme përanash.

Vështrimi i Deivit është njësuar me qelqet e syzeve, nga kënaqësia që i jep pritshmëria e së ngrënës dhe të pirës. Është bon vivant i çuditshëm, një karakteristikë që nuk e gjen lehtë nga këto anë. Në zyrë, gjithmonë merr më shumë kohë në pushim të shijojë ushqimet që ka paketuar me kujdes një natë më parë. Jo më kot ka në deje gjak italiani.

“Cheers i them, shyqyr Zotit është e premte sot Deiv. Sindi është me fat që të ka në jetën e saj”.

Portën e çel një zonjë e ëmbël e shkuar në moshë, që me siguri ka lënë takim në ndonjë platformë online. E shoh se si tkurret nga syri përgjues, ndërsa ecën drejt skajit më të largët të banakut.

Deiv më vështron si për herë të parë në jetën e tij.

“A e di mik qe ke shpatulla të mira për sport, për karate përshembull. Je marrë ndonjëherë me sport?! Me siguri. Kam filluar yoga me një instruktore, të njohurën time; i vetmi burrë mes një dyzine femrash. Falë fare, vetëm dyzet dollarë në muaj. Kuptohet filmat janë prioriteti im gjatë kohës së lirë. Sindit i pëlqeu shumë peizazhi që më dhurove. I gjeta një kornizë dje, dhe shiko ku e vendosa”

Më tregon në celular foton ku duket peizashi im abstrakt në mes të një muri ngjyrë ulliri.

Fotografia në mur rri bukur dhe i them se ka bërë zgjedhjen e duhur. Ai nuk e fsheh gëzimin e tij prej koleksionisti.

Deiv ka tashmë një lidhje të gjatë me Sindin. E ka njohur fill pas divorcit të saj të vështirë. Ende heziton të zhvendoset me të në apartamentin e saj të ri, që ajo e ka blerë me paratë e ndarjes nga i shoqi. Arsyeja është e thjeshtë në dukje por ku i dihet me njerëzit. Deiv nuk mund të heqë dorë nga koleksioni i tij i disqeve, revistave, CD-ve, kolazheve e ku e di unë çfare rraqesh të tjera. Është një hoarder i vërtetë. Ndonëse nuk duket si i tillë.

Duke’s është mbushur me shpirtra. Pa u ndjerë, gumëzhima e tyre na ka bërë të flasim me tone të larta, ca fjalë kuptohen e ca merren me mend. Nëpër tryeza gjuhët dhe historitë bëhen fluide si birra. Asgjë s’ka mbetur nga ai momenti i parë i zanafillës.

Syri përgjues duhet të jetë diku i përgjumur mes avujve të alkolit dhe unë për herë të parë ndihem Zot mbi fronin tim irish.

Një dekadë në këtë qytet mendoj: Tiranë -Toronto. Dy qytete që nuk mbivendosen por që jetojnë tek mua, njëri si mall e tjetri si shkak i mallit. Kush do, e ka qytetin e tij me vete. Banorët e tij, kryebashkiakun, sheshin, pemët… Përtypem. Dhe sërish nuk mund t’ia përkthej dot Deivit gjendjen time.

Marrim nga një Guinness tjetër.

Deiv më tregon pafund për Sindin dhe pavendosmërinë e tij për të bashkëjetuar me të full-time. Sa e vështirë qenka të ndahet robi nga rraqet vetjake. Unë kurrë nuk e kam patur këtë mani, më shumë kam dashur t’i hedh gjërat e vjetëruara dhe të gëzoj sende të reja.

Krahas zyrës, Deivi gjen edhe role figurantësh nëpër filma ose aktron nëpër shfaqje teatrale me buxhet të vogël. Madje prej vitesh ka edhe agjentin e tij.

Ka dëshirë të më rrëfejë fëmijërinë e tij të trazuar, e cila për arsye kohe do të lypte një tregim më vete.

Duke’s ndodhet pranë godinës ku ne punojmë si “gjarpërinj zyrash” - do thonte një miku im i fëmijërisë. Është një zonë që po pushtohet nga kulla të larta dhe po ndyshon dita-ditës. Kemi humbur shumë vende takimi në këto vite, por Duke’s ka mbetur aty gati ç’prej njëqind vitesh me një armatë studentësh kamarierë me minifunde dhe bluza dekolte.

Në front të parë, ulen pijetarët e përnatshëm të rrethinës, që shkëmbejnë batuta me baristen legjendare me vragë ne vetull. Me një mimikë mafioze, ajo dirigjon ritmin e natës, ku ti luan pjesën tënde të konspiracionit. Kur nuk është në banak, e gjen në oborrin e pasëm, duke tymosur me ndonjë nga pijetarët.

Ajo të jetë syri përgjues vallë, në këtë hapësirë shpirtrash?

Ashtu natyrshëm, unë dhe Deiv kemi ardhur çakërqejf pas disa gotave me Guinness.

Orjana më ka dërguar disa mesazhe celulari për çikërrima që duhen blerë në kthim, tek shitorja kineze në Yonge me Davisville.

Kemi dy vjet të martuar. Për Orianën këto dy vite në Toronto kanë qenë një turizëm i stërgjatur dhe shkollim. E dua, pa ndonjë ngazëllim të veçantë. Më bezdis varësia e saj ndaj meje, sikur unë të isha bashkëshorti i saj. E vërtetë, ai jam formalisht, por le të sillemi ndryshe - i them me mendjen time - le të bëhemi më kreativë.

Deiv vazhdon e flet në tym nga ana tjetër e tryezës me erën e llakut.

Orjanën e kam njohur në Sarandë (lidhja jonë nuk e zhvillua në skenën urbane të Tiranës). Atëbotë, jeta ime në Kanada po vihej në shina dhe gjatë pushimeve në Shqipëri ajo u shfaq krejt rastësisht, dhe më bëri të besoj se e paskësha mbajtur një sy të hapur për martesë. Të kuptohemi jo për dasëm, ndonëse Orjana do ta kishte dashur një të tillë.

“Nesër - i dërgoj një tekst - shyqyr Zotit është e premte sot”. Oriana buzëqesh përmes një figurine.

Ç’matufëri është të ndihesh superior pas këtij momenti. Të dëgjosh ankimet e Deivit me fëmijëri të trazuar e të ndjehesh mirë që je ai që je. Njerëzit dëgjojnë njëri-tjetrin për të peshuar jetët e tyre. Po cili është etaloni?! Ndjehem djall, dhe porosis një birrë tjetër.

Duke’s është mbushur përplot dhe mes muzikës dhe zhurmës njerëzore zëri i Deivit vjen i largët sa vetë fëmijëria e tij.

“A ta kam rrëfyer ndonjëherë ndarjen me Do….” - thërret ai nga përtej. Xhamat e syzeve pjesërisht kanë zënë një shtresë avulli.

Unë tregoj me gisht nga veshi për t’i thënë se nuk e dëgjoj mirë.

“Donën, gruan time të parë”.

Për herë të parë gjatë njohjes tonë, Deiv ka përmendur emrin e ish-gruas.

Nxjerr nga xhepi një pece, pastron qelqet e avullta, i sistemon mbi hundë dhe me një zë të lartë aktori vazhdon:

“Ditën që varrosëm qenin tonë të shtrenjtë, Dona më uli në divanin e kuzhinës dhe më tha:

“I want out of this marriage!”

Gumëzhima njerëzore në pub zbehet, ose mua më duket ashtu ngaqë zëri i tij është i lartë si gulçim.

“Ishte si rrufe në qiell të pastër. Asnjë shenjë e mëparshme; nuk kisha kuptuar asgjë. Ne duheshim shumë, por shumë ama. Sigurisht unë jam ai që jam, ti e di fëmijërinë time. Pas dy ditësh, i mblodha të gjitha rraqet, koleksionet nga shtëpia jonë në Burlington dhe i hodha në një furgon të madh, që u nis pa kthim drejt Torontos, në shtëpinë me qira ku jam sot e kësaj dite. Mbase mungesa e një fëmije, mbase flirtet e mia nëpër grupet teatrale, mbase...”

Deivi hesht një çast por diçka tjetër i kujtohet:

“Pasi Dona mbaroi atë fjalinë e kobshme aty mbi divan, u kyç në rutinën e përditshme me një ftohtësi vrastare. U zverdha, u hutova, fillova të bëja gjëra që nuk i kisha zakon t’i bëja më parë. Fillova të laj enët (Deiv qesh hidhur), të laj shtëpinë, të hekuros. Me shpresën se do ta zhbëja atë ëndërr të keqe”.

“Më kot. Bashkë me qenin kisha vdekur edhe unë për Donën. Ja ashtu.”

Deiv mbaron dhe më shikon gjatë me një Guinness në dorë. Me gjasë shikon supet e mia dhe rreket të gjejë se cili sport do t’u përshtatej atyre. Karateja apo boksi?!

Nuk pyet, por rri e vështron. Edhe pasi ai syri përgjues është fikur diku në horizont.

©Alket Xhakollari