Krijimtari

Maçoku - Nga Artan Gjyzel Hasani

Nga: Artan Gjyzel Hasani

Pak kohë pasi vuri putrat në shtëpinë ku jetoja i vetem, maçoku ia arriti të fitonte gjithë dashurinë dhe përkujdesjen time. Ishim bërë dy frymë brenda atyre mureve.

Ishte i gëzuar dhe luante e vraponte nëpër katet e shtëpisë dhe kur i vinte gjumë dremiste në të njëjtin krevat me mua, në të njëjtin jastëk dhe nga hunda e tij e vockel dhe e lagësht ngjyrë rozë dilte nje avull i ngrohtë që më përkëdhelte gjumin.

Por një ditëzaj gëzimi iu fashit dhe nuk luante më si më parë. Rrinte gjithnjë e më shumë në dritare me vështrimin tretur përtej xhamave dhe netëve flinte ngjitur me dyert e jashtme të shtëpisë.

Duke e konsideruar lirinë e tij po aq të rëndësishme sa dashuria ime për të, vendosa ta rrethoj me gardh një pjesë të bahçes së hapur dhe për herë të parë ta lejoja të luante jashtë, duke i dhuruar kësisoj një territor të ri lirie. Hapa edhe një deriçkë në derën e pasme, në mënyrë që maçoku të hynte e të dilte sa herë të donte.

Ai iu gezua shumë hapësirës së re. Vraponte përseri i gezuar brenda gardhit, si dikur brenda mureve, derisa një ditë entuziazmi i tij mbaroi. E kalonte tërë ditën duke u përpjekur të gjente ndonjë të çarë në gardhin e pakapërcyeshëm.

Por unë e doja shumë maçokun tim dhe kur e shihja ashtu të pagëzim e të merzitur, duke fjetur netëve anash gardhit, më këputej zemra.

Kështu, një ditë prej ditësh, e shtyva pjesën fundore të gardhit edhe disa metra më tutje, duke përfshirë në territorin e ri edhe disa pemë të mëdha në të cilat lodronin ketrat dhe këndonin lloj lloj zogjsh. Maçokut iu kthye gëzimi dhe filloi të lodronte si më parë. Ndiqte pas ketrat që nuk i kapte dot, kundronte lepujt e egër që i afroheshin butësisht dhe u vërsulej kot në ajër zogjve që e joshnin me këngët e tyre nga degët e pemëve.

Pak ditë më pas maçoku përsëri filloi të kërkonte përtej gardhit. Dhe avazi, tashmë i njohur, përsëritej nga e para. E shtyja gardhin akoma më shumë. Gardhi vjetër ia linte vendin të riut e kështu erdhi dita ku nuk kisha më asnjë mundësi për ta zhvendosur më tutje gardhin. Fill pas tij ndodheshin shinat e hekurudhës.

Ditët kalonin dhe maçoku i ishte larguar pothuajse krejt shtëpisë dhe unë e shihja veçse në ato pak minuta kur hynte brenda për të ngrëne dhe për nevojat personale, e pastaj lëshonte një mjaullimë dhe me shpejtësi dilte jashtë nga deriçka e tij e parë e lirisë.

Flinte ngjitur me gardhin që tashmë ishte rreth dyqind metra larg shtëpisë ku orët e vetmisë sime mezi kalonin. Kisha filluar të ndjeja mall për të, më merrej fryma në gjumë dhe e kapja vazhdimisht veten në vramendje.

Një ditë vendosa t’ia jap lirinë, edhe pse i druhesha shumë trenit që kalonte disa herë në ditë aty pranë. Mora një sharrë të mirë elektrike dhe fillova ta rrëzoj gardhin e madh me të cilin kisha rrethuar lirinë e maçokut tim. Brenda dy orëve nuk kishte mbetur asnjë dërrasë apo gardh në këmbë, por në bar dalloheshin qartë gjurmët e të gjitha gardheve që kishin rrethuar shtëpinë gjatë muajve të fundit.

Maçoku u gëzua shumë dhe sa nuk i këputej bishti nga kënaqësia. Kur arrinte te gjurmët e gardheve të mëparshëm ndalonte hapat, merrte erë, tundtte bishtin dhe pastaj me një kapërcim në ajër, a thua se gardhi ishte akoma aty, vazhdonte shëtitjen e tij të hareshme drejt hapësirës së paanë.

Vraponte, hidhej, bëhej njësh më tokën, mjaullinte dhe lodronte i gëzuar me dhelprat, ketrat, lepujt dhe zogjte dhe, më në fund, për të parën herë pas shumë javëve si bredharak jashtë shtëpisë, sot erdhi të luante me mua, dhe, tani që ka rënë mbrëmja, po fle mbi prehërin tim, në kolltukun ku jam ulur e po shkruaj këto rreshta…

©Artan Gjyzel Hasani 2020