Krijimtari

Ditë paradigmash - Tregim nga Alket Xhakollari

Nga: Alket Xhakollari

Ndërsa presim semaforin të bëhet jeshil, gruaja në krah më afrohet e më zgjat një fletushkë të kaltër:

“Mirëmëngjes zotëri. A je i interesuar të dish më shumë për… ngrohjen globale?”

Në sytë bojëqielli i vetëtin një dritë misionare, si e tjetër bote. Zonjë grua, s’ke çfarë thua; më fanepset e veshur me petka manekini.

“Double espresso - i them gjysëm-zëri, - për këtë jam i interesuar tani”. Ja kthej fletushkën mbrapsht.

Mëngjesi është i ftohtë; unë kam ëndërruar shumë për të patur qartësinë e një qytetari model. Pastaj, misioni i saj dhe nevojat e mia nuk përkojnë fare në kohë.

Gruaja sprapset me elegancë dhe i shuk fletushkat në çantë. Prania ime duket se i jep bezdi, tash e tutje. Me gjasë, mendon se njerëz të tillë e ndotin planetin me indiferencën e tyre. Semafori bëhet jeshil dhe gruaja nxiton hapat në zbrazëtinë urbane, me fletushkat e saj apokaliptike në çantë.

Është një e ditë konike, me pluhur dëbore që vorbullohet në trotuare. Preferoj të rri pezull tek “Rachel’s”, si avulli mbi çaj dhe të shpërhapem kur të dua vetë. Pa mision ju lutem, pa mision!

***

Ulem tek një nga tryezat e “Rachel’s”. Një roman i Houellebecq-ut me vete, një double espresso, një croissant, doreza meshini, kokore dhe celular.

Ngrohtë brenda. Dëgjohen ritme të Gipsy Kings dhe shfrime ekspresi në sfond. Drita natyrale përzihet me atë artificiale në një sinkron të habitshëm. Mos qofsh njeri, nëse nuk do të ndjeheshe nostalgjik në këtë hapësirë!

Një grua e bardhë bri meje, ka shpalosur mbi tryezë një libër të madh me diagrama; mban shënime me ngulm dhe herë pas here u gjegjet mesazheve në Iphone. Një filxhan i madh me cappucinno prehet në zgrip të tryezës si i lënë pasdore. Shkarazi, i shoh thonjtë fosforeshentë që gërvishtin xhamin e Iphone-it. Duket shumë e zënë, si për një të shtunë në mëngjes.

Jemi shumë pranë, pasi kështu janë konceptuar tryezat tek “Rachel’s”. E ndjej frymëmarrjen e saj të çrregullt. Frymojmë së bashku në një marrëdhënie ndijimi, në pamundësi për të patur një të tillë, kundrimi. Kundrimi pa takt ndalohet në Kanada. Filli i mendimeve më shpie tek nënndarjet e kundrimit, si të ishin klasifikime të krimit. Kundrim më paramendim, kundrim pa paramendim.

Porse, shikimi sy-më-sy mbiçmohet në kulturën e punës kanadeze; nëpër broshura informative persëritet në mënyrë acaruese: “make eye contact, make eye contact”. Në djall. Më pëlqen t’i përgjoj njerëzit, jo t’i shoh në sy. Në zyrë dhe jashtë saj.

Pikërisht aty, një frymë larg nga zonja e lëshuar mbi diagrame, në atë moment Houellebecq-u përshkruan me detaje një histori seksi në Tajlandën e nxehtë.

Sikur të përshëndetesha me zonjën dhe pastaj t’a shikoja në sy, çfarë do të kishte ndodhur vallë?! “Ulu aty, ky çast në heshtje është më interesant se çdo njohje banale”

Të zotët e “Rachel’s” janë koreanë. E çuditshme, por e vërtetë. Kanë ngritur një bar alla italian, me finesë e gjithë dritë. Punojnë të gjithë si familje, kryesisht shumë femra dhe një burrë. Biseda me ta është e njëjtë; një përshëndetje, një batutë e shumë miratime. Është e kotë të tregoj mbi jetën e tyre, pasi histori të tilla emigracioni janë tema dokumentarësh, kryesisht si histori suksesi dhe dramash. Ajo çka më intereson sot është Rejçëll, dhe gjithë ajri mistik që e rrethon brenda asaj rutine. Me siguri e kam ëndërruar gjatë natës, përderisa isha aq cinik me gruan e ngrohjes globale.

Burri i familjes koreane shkëmben batuta me një çift pensionistësh kanadezë që kanë veshur Tommy Hilfiger. Pleqtë në ikje, i rrëfejnë burrit për shtëpinë e tyre ne Florida, arratisjen e tyre jugore, në këtë sezon të ftohtë. Qeshin me një mirësi protokollare. Çifti përshëndet dhe largohet në niseshtenë e dimrit.

***

Porta çelet dhe një thëllim çan ajrin si teh. U-bu-bu. Ja beh ai, inxhinieri vrojtues i pallateve që po ndërtohen nga ana tjetër e rrugës Yonge. Si përherë, në të njëjtën kohë; në kulmin e harmonisë sime me mjedisin, gati për të mirëpritur Rejçëllin. Sikur ta kishte dërguar djalli vetë. E nis me një vështrim fodull 360 gradë. Më mblidhet një gulç në grykë. I ka shkundur këpucët e rënda që para portës, pastaj hyn dhe i shkund sërish brenda, duke shkaktuar një tërmet të vogël. Aq i bën.

Është diku tek 50 vjeç; shkurtabiq, skalitur me muskuj e vetëkënaqësi italo-jugore; me një xhup të shkurtër bezhë që i mblidhet ushkur tek beli, një t-shirt jakë V në trup, xhinse Denim, dhe sikurse thashë më parë, këpucë shumë të rënda punëtorësh ndërtimi me mburojë metali.

Përshëndet koreanët me një zë buçitës dhe i skanon sërish të gjitha tavolinat më një vështrim prej biri kurve. Më pas, fillon të bëjë muhabet me pronarin e “Rachel’s”, për dimrin e sivjetshëm dhe ndeshjen e djeshme. Shikoj me tmerr tryezën ngjitur nga ana tjetër e zonjës me diagrame; është e lirë dhe e ndjej se rondokopi do vijë e do ulet aty, ashtu gjithë zhurmë, si ortek.

Ulet dhe mëton ta përshëndes, duke më parë me sy hetuesi. Nuk kam nevojë ta shoh për ta pëshkruar. Zhytem në libër si murg.

A e dini se çfarë porosit?! Dy vezë të ziera, “as shumë të squllta e as shumë ardhura”. Në një bar alla italian! Ja kështu rondokopi. Vjen porosia. Fillon e qëron vezën me ato duart e çelikta me një ritëm të avashtë. Një nga gratë koreane e ndjek me ankth në zemër: “a do të jetë veza e zierë ashtu...as e squllët e as ardhur?!”

Një vajzë kalimtare teshtin tre herë aty në rradhë për kafe to-go. Dëgjoj gruan e diagrameve përbri t’i thotë: “Bless you!”. Dhe pastaj shton një lumë fjalësh në lidhje me ilaçet e pështatshme për llojin e alergjisë të cilën tjetra thotë se bart. Prezantohen dhe marr vesh që gruaja bri meje quhet Nikolë.

Nikola për çudinë time, jepet pas kotësisë së bisedës dhe e gozhdon vajzën e teshtimave me fjalë pas muri. Tjetra e dëgjon me kërshëri. Pastaj merr kafen dhe bën të largohet. Nikola i zgjat një kartë biznesi.

“Më telefono të të them emrin e ilaçit” – i thotë. “Dhe ishte kënaqësi që u njohëm” - shton me një nënzë prej lesbikeje.

Njëra nga vezët e inxhinierit vrojtues ka dalë e squllët (veç të shikoni fytyrën e tij idhnake). Gruaja e vogëlth koreane është skuqur nga turpi. Racë me sedër. Rondokopi e bën me dije. Pres t’i bëjnë ndonjë tjetër, por ai, hatërmbetur tashmë, thotë se nuk ka gjë dhe vazhdon të mbllaçisë avash, mu në veshin tim të mëngjërt.

***

Shfletoj Houellebecq-un i rrethuar nga Nikolë dhe rondokopi me dy vezë. Para nesh një foto e stërmadhe bardh e zi ka fiksuar njerëz të ulur në një bar veror të Romës, diku nga vitet gjashtëdhjetë. Ata na kanë kthyer shpinën, e ja ku jemi së toku, ulur në trenin e ndërkohës; ne në Toronton e mijëvjeçarit të ri dhe ata në Romë në vitet e arta me diell. Sapo kanë parkuar Alfa Romeo-t dhe po shijonë aperitivët nën diellin roman. Një turist tymos një puro kubane si për inat të mijëvjeçarit të ri.

Pas ikjes së vajzës së teshtimave, dëbora ka rreshtur dhe dielli çan tejpërtej tryezave të “Rachel’s”, duke sjellë ndijime të tjera. Nga përtej fasadës së qelqtë, shoh gruan e ngrohjes globale që bisedon me çiftin e moshuar kanadez me destinacion Floridën. Dëgjojnë profeten me një seriozitet solid.

Ndihem pak fajtor për cinizmin tim mëngjezor; pakëz fare.

***

Në portë shfaqet Rejçëlli im. Është tejet enigmatike, si hënë e bukur për ata që kanë sy të shohin nuancat. (Mbase dashurohemi ne të dy, më vjen për mbarë të mendoj këtyre muajve të fundit). I shkund këmbët në tapet pa shkaktuar as më të voglën zhurmë. Rrëshqet si peshk i rrallë në sytë e klientëve, deri sa ngec në rrjetën e rondokopit pranë meje:

“Hej Rejçëll, çkemi moj mjaltëzë?!”

Ajo e përshëndet me sharm, pa harruar të më përfshijë në protokollin e syve.

Puth me dashuri të jatin dhe drejtohet kah tuneli që të çon tek dhoma e zhveshjes. Duke bluar kushedi ç’mendime. Do desha ta zgjasja këtë skenë përtej mërzisë, si në ato filmat e Tarkovskit.

***

Nikolë është ngritur dhe mbush një gotë ujë nga kontenitori me fllucka aty pranë. Ka veshur streçe te zeza dhe diçka e purpurt mëndafshi i mbulon kurmin e gjatë. I hedh një vështrim prej Houellebecq-u. E shoh të plotë, si skicën e parë të një pikture. Më duket ndryshe; e lajthitur dhe e përmbajtur, elegante dhe harbute, e bukur dhe e shëmtuar.

Me gjithë të panjohurat e njohura.

(Një variant i shkurtër i këtij tregimi është publikuar para disa vitesh tek peshkupauje.com me titullin “Rachel’s Coffee”)

©Alket Xhakollari