Krijimtari

Imoralisti (një poemë skiç mbi ferrin pa flakë) - Nga Artan Gjyzel Hasani

jo, mos i falendero ata…

…ata që të deshën të mirën

ata që u përpoqën pafund për ty

ata që kur kishe frikë të thanë “guxo!”

ata që të mësuan si të dhurosh lule

por jo përdorimin e thikës

ata që të mohuan të drejtën për të gabuar

ata që pranë të erdhën kur të tjerët kishin shkuar

jo mos i falendero…

ata që të bënë kokën e të rritën

ata me të cilët ndave fëmijërinë

dhe shpirtin ta dehën me gëzimin e tyre

ato që me mëngjese t’i mbushën netët

ndërsa nga djalë ngadalë u bëre burrë

ata që në pëllëmbët e tua qiejt i zbritën

sa herë që zgjasje duart e nuk mund t’i arrije

balonat e tua fillkëputura…

ata që të thanë se duhet të jesh zotëri

edhe mes atyre që Zot nuk kanë

ata që të mësuan të mos përdorësh brrylat

dhe që tjetri është vëllai yt

ata që të thanë se paraja e prish njeriun

dhe varfëria është shenja e të ndershmit

ata që të thanë mos njjih urrejtje

se dashuria zbut edhe të ligun

jo, mos i falendero…

të gënjyen...

 

bëhu djali i keq i shtëpisë, i rrugës

lagjes, qytetit, më i keqi i gjithë botës

me bukën e përditshme haje turpin

ndryshe në gosti për ty nuk do të ketë vend

do të vdesin ata që të bënë mire

do të vdesin ata që të ndriçuan aresyen

do të vdesin ata që jetën ua nxive

do vdesësh dhe ti

bashkë me të këqinjtë dhe të mirët

prindërit, edukatorët dhe predikuesit

do vdesin edhe ata që u mbajnë mend..

jo, mos i falendero

të gënjyen...

 

se nderi yt s’vlen as dy lekë, o njeri,

as ndershmëria me të cilën të rritën

do mbetesh në cep të ringut një jetë

me kurrizin mbështetur pas litarëve të lagur

pa u mbrojtur dot nga ata që fort të goditën

dhe mbi altare do të bien të djegur trarët

si dritë e bordellit mbi katedralet

kur te të shkelin me këmbët e tyre të palara

kur të poshtërohesh nga harbutë dhe kodoshë

kur të të qëllojnë pa mëshirë në fytyrë

dhe pasi t’u kesh kthyer faqen tjetër,

do të të kërkojnë edhe bythën…

 

në emër të kujt do të bëhesh bir i mirësisë

cila dritë hyjnore e jotja do të arrinte të ndriçonte

gjirizet e jetës ku as dritë e diellit s’hyn dot

nuk i ke parë të mirët se si zvarriten rrugës pa fund

gjithnjë në radhë pas një maskarai që lehtësisht

arrin çdo gjë që ti nuk e fiton dot as me mund…

dhe mireqenia e pasuria e tij veç shtohet

makuteria e tij kurrë nuk vdes…

do kalosh nëper të gjithë rrathët e ferrit, njeri,

para se të kuptosh se ndershmëria jote

nuk është virtyt

por ves…

 

jo, mos i falendero ata

ata që të mësuan të falësh e të mos vjedhësh

e pastaj të dorëzuan te turma e batakçinjve

që të plaçkitën xhepat, ëndrrën, jetën…

ata që të ushqyen me fisnikërinë

edhe ndaj atyre që të çuan në djall

ata që të mësuan të bindesh, por jo të luftosh

ata që të thanë se hamsteri dinjitoz e ka vendin veç në rrotë

ata që të mësuan mirësjelljen dhe jo ligjet e burgut

ata që të thanë që xhungla u përket vetëm bishave

dhe njerëzve veç ungjinjtë e shenjtë

por kjo botë është versioni pa flakë i ferrit, o njeri,

ku një si ty nuk mbijeton dot…

 

një ditë të fundit kur fundin ke takuar

s’do të kesh përgjigje kur të të pyesin fëmijët

dhe çka falenderove një jetë të tërë

me nofulla të shtrënguara ke për ta mallkuar…

sikur s’jetove kurrë

humbanak do të ikësh

kur jeta të të thotë “shko!”

dhe i lodhur per vdekje

do të mbyllësh sytë

dhe do të ndjehesh keq

nga poema të vonuara

të padobishme si kjo...

 

(nga vellimi poetik “IMORALISTI”, Tetor 2019)

©artangjyzelhasani