Krijimtari

Si u festua 1 Maji në Republikën dembele të Semaforëve - Nga Artan Gjyzel Hasani

Fragment nga romani satirik "Republika e Semaforëve", 2013

Informacioni më i fundit nga Njerëzit e Presidentit bënte me dije se greva do zhvillohej ditën e parë të Majit. Presidenti kishte një alergji të kahershme nga kjo datë.

Në mungesë të proletarëve bythëgrisur dhe të nënprodukteve të tyre inkandeshente, si dhe në mungesë të punëtorëve genuinë në Republikën dembele të Semaforëve, Një Maji, kjo ditë e rëndomtë që akoma shumë idiotësisht quhej festë, zyrtarisht festohej nga llapaqenët, (siç i kish pagëzuar ai që në të ri të tij), duke mos përmendur këtu masën e shtëpiakeve të dëshpëruara dhe amvisave të lodhura që me të drejtë atë ditë e ngatërronin herë me 8 Marsin e herë me Ditën e Verës.

Llapaqenët ishin lloj-lloj dhe përgjithësisht të rinj. Të majtë, të djathtë, centristë, të kuq, blu, rozë, blu e zbardhur apo edhe të zinj. Djem, vajza, transvestitë, heteroseksualë, homoseksualë, biseksualë, gay dhe lesbike. Bionde, brune, natyrale dhe të lyera. Kaçurrelë, tullacë, qose, leshatorë e të depiluar, këmbëleshë e qafëleshë, me apo pa baseta, mjekroshër e mustaqellinj. Malsorë e fusharakë. Qytetarë, katundarë, periferikë, urbanë, suburbanë, ruralë, vendas e jabanxhinj, si dhe shumë kryeqytetas të vonuar apo të një ditënate të vetme. Ortodoksë, myslimanë, katolikë, të krishterë, dhe më së shumti ateistë. Analfabetë, të shkolluar, të pashkolluar, gjimnazistë, studentë, universitarë, pasuniversitarë, mastera e akademikë. Amatorë, gjysëmamatorë, profesionistë dhe superprofesionistë. Me fjalë të tjera, një diversitet dhe një larmi ngjyrash që do e kishte ëndërruar çdo arixhofkë për fustanin e saj.

Tërë këtë turmë amorfe shumëngjyrëshe, përveç dembelizmit të trashëguar proverbial, e bashkonte edhe diçka tjetër: zelli anarkist për një revolucion imagjinar, të cilin, siç dukej, duhet ta bënin me domosdo. Ideologët e kësaj turme zakonisht ishin kamerierë të paarsimuar, të cilët tek-tuk kishin arritur të mësonin disa emra filozofësh nga bisedat e disa klienteve të kollarisur që, ndërsa hanin të babëzitur sanduiçet bajate, mallkonin Niçen dhe Shopenhauerin si fajtorët kryesorë për mungesën e parkingjeve në kryeqytet…

Në fakt Presidenti nuk shqetësohej edhe aq nga llapaqenët. Mitingjet e anarkistëve prej kohësh u ngjanin agjencive martesore. Siç thoshte shpesh në meditimet e tij, nëse do që të njohësh ndonjë surrat të ri, shko në miting! Ky lloj i ri “idealisti” çuditërisht hiqte dorë nga idealet sapo në mitingun e rradhës njihte të vluarën e tij të munguar, njësoj epileptike edhe ajo. Pas disa ditësh e sheh duke bëre pazarin e zarzavateve. si një mëz i urtë, përkrah një thatanikeje kapriçioze, dhe pas një muaji, nëse përballesh në rrugë me një krijesë të squllur e pa formë, dije se eshte ai, i riu “idealist” i pazarit.

Kësisoj shpjegohej edhe aksioma e njohur: sa më shumë mitingje anarkistësh të bëhen, aq më shumë zvogëlohet numri i tyre në sheshe. Kjo do vazhdonte deri ditën kur dikush do t’iu fliste epileptikëve të shesheve për dobinë e ilaçeve dhe për të mirat që sjell të paturit e një farmacie pranë shtëpisë.

E kështu, deri sa të vinte ajo ditë, Presidenti do bënte mirë të dëgjonte ndonjë çardash hungarez dhe, duke ngrënë kokoshka, të shpresonte se në kalendarët e viteve të ardhshëm muaji Maj do të fillonte me datën 2.

©artangjyzelhasani