Dritën e futi në xhep mjegulla - Nga Kristaq Turtulli
Ëndrrën tonë të brishtë,
Për një fjalë dhe këngë më shumë,
E veshën me fustanin arna, arna.
Dhe e brodhën një copë herë,
Në sokakun e të marrëve.
Tu tregonin si ndëshkohet fjala e sinqertë.
Thanë, e rrëmbyen hijet e djeshme,
E futën në trastën e vjetërsirave.
Rrëmbyeshëm ikën, nëpër natë.
Por askush nuk e besonte
Kur rrugica ishte me plot kapuçonë.
Por a mund të zhduken tufat e hijeve,
Kur i kemi të e përdredhura nëpër këmbë!
Ndërkohë shpresa jonë e trishtë,
Si një foshnjë i vobektë, e lakuriqtë,
U ronit në degët pa lule të qershisë.
Sythi akoma s’ka mundur të buisë.
Pranvera e hirtë,
Si një femër aguridhe,
Me renë e zezë,
Mbeti mbarsë.
Bark jashtë
U zvarrit me paterica.
U tha që lindi një shtatanike.
Por askush s’e dëgjoi dhe s’e pa.
Mbasi kishte shumë zhurmë dhe rrëmujë.
Vera pa ardhur u mbush me mushkonja,
U infektua dhe u hutua te rrugica.
©Kristaq Turtulli



