Krijimtari

Gosti dashurie - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko

Të shkruash për dashurinë nuk është kurrë vonë ashtu siç nuk është herët asnjëherë. Asnjë brez njerëzor s'mund të thotë se i tha të tëra që mund të thuhen për dashurinë. Ashtu sikurse nuk duhet të mburret se i këndoi më bukur se të tjerët.

Ndër këngët e para të shkruara, të ardhura gjer në ditët tona, është “Kënga e Këngëve” e Solomonit, që, çuditërisht, është përfshirë në shkrimet e shenjta të Testamentit të Vjetër.

Këtë shkrim po e shkruaj pasi kam lexuar shumë shkrime për dashurinë në poezi dhe në prozë. Shfletova edhe fjalorin e gjuhës për shpjegimin që i jep fjalës Dashuri dhe fjalëve të tjera në bashkëlidhje, siç janë fjalët: pasion, epsh, neps.

Po veçoj epitetet dhe metaforat që i shoqërojnë këto: e zjarrtë, e pastër (Dashuria), i fuqishëm, i thellë, i qëndrueshëm (pasioni), zjarr i madh i mishit dhe i gjakut (epshi), lakmi e tepruar (nepsi). Pra, bëhet fjalë për kategori ndjesore biologjike me një intensitet maksimal dhe për kategori morale të karakterit njerëzor. Dashuria si institucion biologjik dhe etik. Dashuria si përjetim intim dhe si gjykim moral. Raporti midis tyre në epoka të ndryshme, për breza dhe për njerëz të ndryshëm kurrë nuk ka qenë i barazvlershëm.

"Kënga e Këngëve" është himni i himneve të dashurisë tokësore. Është burimi i burimeve të dashurisë. Subjekti i saj është shumë i thjeshtë. Mbreti, i cili ka gjashtëdhjetë mbretëresha, tetëdhjetë shemra dhe vajza të reja të panumërta, dashurohet me një vajzë e që në vështrimin e pare, ata, pra, dashurohen me njëri-tjetrin vetëtimthi.

"Kënga e Këngëve" është kompozuar në formë dialogu midis Gruas dhe Burrit.

Është dhe Kori i Grave. Ja dialogu i përmbledhur i tyre:

Gruaja - Sa i bukur je, o i dashuri im, më ka sëmurur dashuria.

Burri - Sa e bukur je e dashura ime. Si shkëlqejnë sytë e tu nga dashuria. (Kënga I)

Gruaja - I dashuri im është vetëm i imi dhe unë jam vetëm e tija. (Kënga II)

Burri - Dashuria jote më jep kënaqësi, o e dashura ime, nusja ime. (Kënga III)

Gruaja - I dashuri im është i bukur dhe i fortë.

Burri - E dashura, ime je befasuese.Hiq pak sytë prej meje, se vështrimi yt më robëroi. Ti më ke bërë të etur për dashuri. Sa i bukur është i gjithë trupi yt. Sa të plota janë kënaqësitë e dashurisë sate.

Gruaja - Unë i takoj të dashurit tim dhe ai ka nevojë për mua. (Kënga V)

Gruaja - I dashuri im e di se bashkë me atë gjej kënaqësi dhe paqe. (Kënga VI)

Në këtë dialog zbulojmë veçoritë e kësaj dashurie-legjendë të lirikut të madh të dashurisë, të Solomonit, mbretit të Izraelit. Dashuria e çiftit solomonas është, në radhë të parë, mishërimi i kategorisë estetike të së bukurës. I bukur është i gjithë trupi i Burrit dhe ai i Gruas. Kjo bukuri ka jo vetëm veti magnetike, por edhe veti hedonistike reciproke. Ajo është një pleksje e cilësisë fizike, materiale me atë ndiesore, gati abstrakte, që, sëbashku, u japin të dyve "kënaqësi" dhe "paqe". Ajo është befasuese, mahnitëse, pasionante. Atë e shoqëron edhe "lektisja", "sëmundja", "zjarr i madh i mishit dhe i gjakut". E gjithë kënga është një ethe, kllapi. Në të gjen edhe nepsin, edhe epshin, edhe pasionin edhe, mbi të gjitha, Dashurinë. Një pyetje lind vetiu. A mund të ekzistojë dashuria pa këto “komponentë"?

Dashuria biblike, dashuria klasike, dashuria romantike, historikisht, i mishërojnë ato së bashku. Dallim bëjnë dashuria platonike dhe dashuria seksuale e shekullit tone.

Në të parën, për neps dhe epsh reciprok as që mund të bëhet fjalë, sepse dashuria platonike mbetet një dashuri në distancë, virtuale, platonike. E dyta absolutizon "epshin" dhe "nepsin", të cilat zëvendësojnë "pasionin". Dashuri të përjetshme dhe lidhje të qëndrueshme nuk ka, "prangat" e saj janë këputur; dashuria bëhet "endacake" duke bredhur, siç thotë populli, "lule më lule"; "liria e personit" arrin apo gjen çlirimin e plotë nga normat e moralit, duke iniciuar një moral të ri, ku ekzistenca biologjike e njeriut përcakton pasionin e tij. A mos dashuria po kthehet në origjinën e vet kur nuk kishte lindur akoma mekanizëm kontrollues i "epshit"? A mos është vjetëruar dashuria biblike e Solomonit?

Gruaja në ato epoka ishte skllave dhe "pronë e burrit". E, megjithatë, Gruaja e Këngës është "e zeshkët si tendë beduini", atë e kanë detyruar "të punojë në vreshtë"; ajo është e mbuluar me ferexhe, "i shkëlqejnë sytë pas ferexhesë që ka hedhur"; "pas ferexhesë që ke hedhur, buzët të kuqëlojnë". Por në dashuri ajo na qenka e barabartë me burrin. Të dy e respektojnë njëri-tjetrin, përgjërohen njëlloj duke ndier "kënaqësi e paqe". Të dy vlerësojnë dhe çmojnë bukurinë.

Në dashurinë e vërtetë njerëzore nuk ka "skllavopronar" dhe "skllave". Dashuria e vërtetë jeton në "perandorinë e barazisë së ëndërruar"!

Burri - Sa të bukura janë këmbët e tua. Vija e lakuar e kofshëve të tua është si një vepër arti. Gërshetat e flokëve të tua shkëlqejnë si atllasi më i mirë, bukuria mund të robërojë mbretin. (Kënga V)

Gruaja - Dashnori im është i bukur dhe i fortë... Trupi i tij si fildish i lëmuar...Kofshët e tij janë si shtylla alabastri... Ai është i madhërishëm si malet e Libanit, cedrave të tyre ai u ngjan për nga hijeshia. (Kënga III)

Edhe sharmi i pasionit i deh plotësisht ata të dy.

Burri - Dua të rri në kodrën tënde të mirrës, në kodrën tënde të temjanit, gjersa të fryjnë flladet e mëngjesit dhe të zhduket errësira... (Kënga IV)

Gruaja - Më pëlqen të rri nën hijen e saj (mollës në mes të pyllit) dhe t'ia shijoj frutat e ëmbla e plot me lëng...Dora e tij e majtë është nën kokën time dhe dora e djathtë e tij më përkëdhel. (Kënga I)

Dashuria si ndjenjë, si përjetim biologjik dhe shpirtëror, mbetet ai instrument kompleks me të cilin na ka pajisur Krijuesi ynë që në zanafillën tonë, dashuria "lakuriq". "Rrobat" që vesh ajo në epoka të ndryshme, është tjetër gjë, ato nuk janë gjë tjetër veçse "modat" e dashurisë.

Nuk e di se sa mund të këndonte më ëmbël dhe më bukur, më me pasion për këto çaste intime një poet a poete e ditëve tona!

Dashuria, na thotë Solomoni, është e fuqishme si vdekja: "Ndizet dhe digjet si zjarr bubullues. Uji nuk mund ta shuajë, asnjë baticë nuk mund ta përmbytë". (Kënga IV)

Kushti i parë për një dashuri të tillë, sipas personazhit Grua, është "privatësia" e dashurisë, ajo këndon: "Mbylle zemrën tënde për çdo zemër tjetër, veç zemrës sime, mos mbaj në duar askënd përveç se meje. (Kënga VI)

E thotë këtë gruaja, por ka edhe frikë. Ose ka merak.

Në "Këngën e Këngëve" personazh është edhe Kori i Grave, që ndërhyn herë pas here duke këshilluar dhe ndihmuar, duke sugjeruar apo edhe duke pyetur.

Në fund të këngës së dytë, Gruaja i drejtohet Korit të Grave: "Më premtoni, o gratë e Jeruzalemit; betohuni në emër të gazeleve të shpejta që nuk do të na e ndërprisni dashurinë."

Kjo lutje përsëritet edhe në fund të këngës së pestë: "Më premtoni, o ju Gratë e Jeruzalemit, që nuk do të na e ndërprisni kurrë këtë dashurinë tonë."

Pra, dyshimi, frika, kërcënimi për të prishur këtë "privatësi" qëndron pezull gjatë të gjashtë këngëve.

Një këshillë dhe sugjerim bën Kori i Grave: ”Hani, pini, o dashnorë, deri sa të deheni me dashuri." (Kënga III)

Gostia e dashurisë është e magjishme: "Kam hyrë në kopshtin tim, e dashura ime, nusja ime. Kam mbledhur rrëshirën e mirrën time; po ha mjaltin e hojet e mia... Po dridhem. Më ke bërë të etur për dashuri, si luftëtarin për betejë". (Kënga III)

Solomoni nuk na thotë se a do të mbarojë dhe kur mund të mbarojë kjo gosti e magjishme dhe pasionante e dashurisë. Na thotë se vetëm dashuria ka fuqinë e vdekjes, që jep verdiktin e fundit, ajo dhe askush tjetër. Kaq e fuqishme dhe e pamatshme është kjo dashuri, që i bën dashnorët, të dy dashnorët njëkohësisht edhe skllevër edhe sundimtarë të njëri-tjetrit!

"Kënga e Këngëve" e Solomonit mbetet një dashuri e gërshetuar natyrshëm e biologjikes me moralen, e ndjenjës me arsyen, e pasionit dhe e logjikës. Ajo e quan të shenjtë jo vetëm besnikërinë reciproke në dashurinë vepruese, por edhe në një aspekt tjetër moral, ruajtjen në tërësi të parimeve, normave dhe rregullave që përcaktojnë sjelljen e njeriut shoqëror.

"Në qoftë se ndokush do të kërkonte ta blinte dashurinë me pasurinë e tij, ai do të fitonte vetëm përbuzje", e mbyll dialogun e saj Gruaja e kësaj poeme biblike për këtë dashuri jo vetëm njerëzore, por njëherësh dhe kaq hyjnore.

Këngë më e bukur dhe më realiste për Dashurinë nuk është shkruar! Sa mirë kanë bërë që e kanë përfshirë edhe këtë në Testamentin e Vjetër! Dashuria është e shenjtë! Është ndjenja më e magjishme, më e madhërishme dhe më intime me të cilën na ka pajisur Krijuesi.

Nga vëllimi “PERSIATJE”

©Vangjush Ziko