Addio - Nga Artan Gjyzel Hasani
kalendarët nuk janë 12 fletë me lule që çelin
gjethe që bien mbi vjeshtën supedjegur
dete marramendës nën diej verbues
dëborë e bardhë dhe oxhaqe të ndezur...
as drerë që tërheqin karrocën e burrit me të kuqe
udhës së jetës nga njëra vete te tjetra
kur i gezohemi gjeldetit të pjekur në furrë
gurit kilometrik të udhës sonë drejt fundit…
kalendarët nuk janë të mbushur me ditë
por me njerëz që u janë holluar vështrimet
dhe gishtërinjtë e palodhur të shpirtit...
një herë në vit zbukurojnë veten si pemën
me xhingla mingla të vjedhura nga ëndrrat
në dorën e gabuar të fatit kërkojnë njeriun e duhur
parajsat e vockla ku mbyten hallet e mëdha
këmbëngulës sikur qërojnë orizin...
të tepërt në mjaftueshmërinë e tyre, të kotë
si fjalët e dashurisë kur ka mbaruar dëshira
shpresa se pasqyra e thyer do të na tregojë
më të bukur nga sa ishim brenda lotit…
dhe tani më duhet t’u buzëqesh atyre
që u ngjasojnë ditëve aq bukur e lehtë
me tiparet në fytyra si shtatë shqisat e javës
365 të ndryshëm për një urim të njëjtë...
nuk e dinë se jeta është fjalë e shkruar gabim
që kalendarët çdo fundviti përpiqen ta lexojnë
ndërsa në kanapenë time ulur pi “Chardonnay”
dhe tymos “Selected Belmont”
e nuk u them më “gëzuar” viteve që vinë
por veç “addio” atyre që shkojnë…
(nga “IMORALISTI”, 2020)
©artangjyzelhasani




