Krijimtari

Plaku dhe guri - Nga Artan Gjyzel Hasani

Më në fund kishte ardhur koha që edhe atij t’i nevojitej një gur.

Një gur jo për varrin e tij, por për djepin, siç e quante zemrën e vet kur donte ta merrte me të mirë dhe ta vinte në gjumë.

Kishte disa kohë që po e shqetësonte një dhimbje e fortë dhe e pazakontë në gjoks dhe mjekët i kishin thënë që zemra e tij rrihte më fort nga sa duhej në atë moshë të thyer, ndaj duhet t’i bënte derman vetes, pasi asnjë ilaç nuk pinte ujë.

Siç ndodhte gjithnjë në të tilla raste, gurët më të afërt ndodheshin larg dhe kështu, plakut iu desh të ecte shumë.

Pas disa muaj rrugëtimi mes pyjesh të shurdhuar nga cicërimat e zogjve dhe verbuar nga dritë e diellit, lumenjsh të qetë, përrenjsh kapriçiozë, lëndinash luleshumë dhe pllajash të thata e të thepisura, u gjend para një mali të lartë.

Në majë të tij një gurore mbushur me shkëmbenj të thyer.

Zgjodhi njërin që ia mbushi syrin, e vuri mbi sup dhe nisi udhën e kthimit brenda gjoksit të vet për te zemra.

Por rruga ishte e gjatë, ai vetë i pafuqishëm dhe guri i rëndë. Ndaloi diku dhe për ta bërë më të lehtë, ia theu gurit ca pjesë.

Javë pas jave sa më shumë i afrohej zemrës, aq më shumë zvogëlohej guri. Kur arriti para saj guri e kishte madhësinë sa ajo.

Plaku qëndroi një copë herë duke menduar se në cilën anë do ishte më mirë t’ia vinte gurin zemrës, rrahjet e së cilës u bënë më të forta kur duart e ashpra të plakut ia vunë gurin përsipër.

Kur rrahjet filluan të dobësoheshin, plaku doli i qetë nga kraharori i tij dhe ra të flerë.

Në ditët e para hynte dhe e kontrollonte se mos kishte rrëshqitur guri nga vendi i duhur. Ndonjeherë e gjente gurin të rrëzuar pranë zemrës që hidhej përpjetë. E merrte dhe ia vendoste përsëri sipër.

Dhimbja në gjoks po i lehtësohej ditë pas dite.

Kohë më pas nuk e ndjeu më dhimbjen dhe zhurmen e mbytur në kubenë e gjoksit.

Vdiq më në fund, mendoi.

Për t’u siguruar u fut përsëri në kubè dhe doli që andej pas pak, i heshtur dhe më i pafuqishëm se kurrë, me vështrimin ngulur mbi gurin që tashmë kishte marrë formën dhe ngjyrën e zemrës, dhe lëvizte bashkë me të nën ritmin e rrahjeve të saj…

© artangjyzelhasani