Krijimtari

Një histori me Romanovë - Nga Artan Gjyzel Hasani

Zhenia është shoku i ngushtë rus i tim biri këtu në Toronto.

Kur erdhi për herë të parë në shtëpinë tonë më bëri përshtypje mbiemri i tij i famshëm Romanov. Mbiemri i carit të fundit rus të pushkatuar familjarisht nga bolshevikët.

E pyeta nëse familja e tij kishte lidhje gjaku me familjen e carit apo ishte një rastësi. Dhe Zhenia më tregoi këtë histori që unë po e ndaj me ju:

“Mbiemri Romanov ishte i familjes së carëve prej 300 vitesh. Atë mbiemër nuk mund ta kishte askush tjetër përveç familjes perandorake, madje kjo gjë ishte vendosur me një dekret perandorak që në kohën e Katerinës së Madhe të Rusisë.

Katragjyshi im nga ana e babait ka qenë kolonel në ushtrinë e carit të fundit, Nikolai II. Merrej vetëm me sigurimin e jetës të familjes perandorake, të cilën e shoqëronin kudo që ajo lëvizte brenda dhe jashtë perandorisë ruse.

Pak ditë para arrestimit, Car Nikolai u përpoq të ndihmonte njerëzit më të besuar të tij që të largoheshin nga Rusia drejt Anglisë ose shteteve të tjera e të shpëtonin nga persekutimet që i prisnin nga regjimi Bolshevik që po instalohej.

Me një dekret të fshehtë që nuk u bë publik kurrë sa ishte gjalle, car Nikolai iu dha mbiemrin Romanov njerëzve më besnikë të tij, ndër ta edhe katragjyshit tim.

Varka në të cilën po udhëtonin drejt vendeve skandinave një grup i vogël "Romanovësh" i përbërë nga tre shërbetorë dhe katragjyshi im, bashkë me familjet e tyre u kap nga marinarët e Shën Petërburgut. Meqë kishin në dokumenta mbiemrat Romanovë, marinarët i rreshtuan buzë molit për t’i ekzekutuar në vend. Por shërbëtorët treguan historinë e ndërrimit të mbiemrit dhe kështu shpëtuan jetën.

Katragjyshi këmbënguli që ishte Romanov dhe marinarët bolshevikë e pushkatuan në sy të familjes dhe fëmijëve. Familjen tonë dhe sherbetoret i çuan në një zyrë të policisë revolucionare ku i morën në pyetje. Për të shpëtuar familjen tonë, pas vrasjes së katragjyshit, shërbëtorët treguan që as familja jonë nuk ishte Romanov. Por policia bolshevike i tha familjes sonë që meqë koloneli kishte vdekur si Romanov e tërë familja do mbante për ndëshkim atë mbiemër.

Dhe kështu nisi kalvari i familjes sime si "Romanovë" në disa breza për dekada me radhë deri sa erdhi dita që ne të krenoheshim përsëri me atë mbiemër. Internime pas internimesh stepave të Rusisë e Siberisë, derisa përfundimisht na lanë në një fshat të vogël në Kazakistan ku edhe kam lindur une.

Kur erdhëm në Kanada ua treguam këtë histori oficerëve të zyrës së emigrimit. Ata na pyetën se cilin mbiemër dëshironim të mbanim përfundimisht këtu në Kanada, të vërtetin apo Romanov. Babai vendosi të mbanim Romanov në shenjë kujtimi për gjestin fisnik të carit, për besnikërinë prej ushtaraku të katragjyshit, por më shumë në kujtim të kalvarit të vuajtjeve dhe persekucionit në disa breza të familjes sonë gjatë epokës sovjetike pikërisht prej atij mbiemri të mallkuar prej bolshevikeve…”

Këtu Zhenia mbaroi rrëfimin dhe, si për të ndërruar temë, më pyeti nëse kisha dëgjuar për Majakovskin…

©artangjyzelhasani