Decubitus Cerebral - Nga Artan Gjyzel Hasani
mbështetur si romakët mbi jastëqe truri im
në dorë kupën e verës mbushur me mendime
ku një shërbëtor i arsyeshëm ka hedhur pak helm
mjaftueshëm për ta mbrojtur nga madhështia e mermerit
dhe gjinjtë e hijshëm të dëshirës nazike
e unë përballë tij fle i qetë
kokë e boshatisur jep gjumë pa ëndrra
truri nën kafkë është një kërmill
që na vonon në udhën për te vetja…
të parët arrijnë gjithnje ata pa tru
ndonjëherë pa kokë dhe prandaj të lumtur
por tani është një mëngjes kaq i bukur blu
e unë jam nisur për udhë të gjatë
ndoshta kam arritur e nuk e mbaj mend
dhe vetja ime gjithnjë mbetet larg
në një tjetër kohë
në një tjetër vend
kujtim i harruar tek e ardhmja…
(nga vellimi poetik "Imoralisti.", 2020)
©artangjyzelhasani



