Krijimtari

Një poemë e lodhshme për çka mbeti - Nga Artan Gjyzel Hasani

e gjatë shumë kjo udhë e jetës së shkurtër

ndërprerë nga ëndrra në ëndërr

këputur nga zgjime mediokre

banale si rutina

më lodhi rrugëtimi i lehtë drejt të nesërmes

i rremë si leximi i fatit në krahët e fluturës

dhe besova se ashtu ishte e shkruar

por ligjet e natyrës mbarojnë aty ku fillon dashuria

në peshoren e saj përmbysen të gjitha balancat e jetës

aty një njeri i vetëm

rëndon më shumë se miliona të tjerë

dhe nga të gjithë gurët që mbajtëm mbi shpinë

më i rëndi ishte guri i vetes

kur të tjerët i deshëm

herë shumë

herë pak

por kurrë sa duhej…

fryn erë brenda meje këtë natë

edhe pse i kam mbyllur dritaret e qiellit

por këto më vinë ndërmend

kur mëndjen dua të humbas

pa e vrarë për asgjë të mirë që ndoshta ka mbetur

kthinave të padukshme ku shpirti rreh si zemër

dhe i mbytur nga përgjigjet e pyetjeve që s’u bënë kurrë

zhytur në gjërat që dot s’i bëra

përpiqem të notoj anash vetes

pa e prekur…

(nga vellimi poetik "IMORALISTI”, 2020)

©artangjyzelhasani