Krijimtari

At e bir - Tregim nga Avdulla Kënaçi

Festohej dita e punëtorëve dhe ne nuk kishim shkollë. Dihej, në fshat kishte vetëm kooperativistë, megjithatë ne festonim duke brohoritur për klasën tonë punëtore që na udhëhiqte në shtigje të pashkelura. Vetëm një orë, kaq ishte festa në shkollë, pastaj u kthyem në shtëpi ku mëma ime më priste me trastë në dorë për t’i çuar drekën babait që ruante një kope delesh në kullotat e Tavanit.

U nisa fill i vetëm dhe pasi kapërceva lumin, që larg, duke ecur andej nga vinte kori i këmborëve, diktova kopenë e deleve. Ja edhe babai. Ishte ulur dikush tjetër pranë tij, një burrë shtatlartë, i veshur me rroba të leshta, xhamadan me qostek dhe një kasketë meshini të zezë mbi krye. Ishte një vllah. U fola me gjysmë zëri duke u thënë mirëdita, por ata ishin aq shumë të përfshirë në bisedë sa asnjeri prej tyre nuk ma ktheu përshëndetjen. U ula aty pranë duke u përpjekur të jem sa më i padukshëm.

- Domethënë ti, Visho thua që nuk ka truall më të mirë se sa aty rrotull burimit, - tha me njëfarë pezmi burri vllah me qostek argjendi.

- Shko hidhi më mirë një sy vetë, unë ashtu mendoj, dielli e zë që në mëngjes, është nga ana e lindjes, - i tha babai. Vllahu u kujtua të më hedhë një vështrim nga koka tek këmbët dhe pyeti:

- Po ky djalë, i kujt është?

- Imi, - iu përgjigj babai duke buzëqeshur nën mustaqe.

- Sa vjeç je? - më pyeti.

- Njëmbëdhjetë, - iu përgjigja unë.

- Kaq e kam edhe unë një djalë, quhet Leonidha, - tha ai.

Fshati Qelefun ishte i lumtur se do të shtonte kapitalin e do të forcohej nga pasuria e vllehve që po vinin varg. Ata nuk do të shtegtonin më “me shtëpi mbi samar të mushkave”. Më shumë i gëzuar ishte kryetari i kooperativës që nga mesi e poshtë ishte i veshur si ushtarak dhe nga pjesa e sipërme civil. Kur u prezantua përpara vllehve të sapoardhur, u vesh i tëri me kostum ushtarak. I mungonte vetëm kapelja dhe çizmet. Ishin tetë familje vllahe ato që erdhën tek ne, me një kope të madhe delesh, me një apo dy mushka për shtëpi dhe me jo më pak se pesëdhjetë frymë.

Pas disa ditësh ata shkarkuan plaçkat pranë burimit dhe ia nisën punës për ndërtimin e kasolleve vllaqiko. Punonin shumë shpejt dhe në heshtje. Ishin mjaft të organizuar, ngjanin me një koshere bletësh. Në fillim kasollet i ngritën si kërpudha, nga ato me xhufkë në majë, por vjeshta i zuri me ca kasolle të tjera edhe më të mëdha të cilat kishin kulm të drejtë dhe brenda ishin të shtruara me kurasan të rrahur me kopan. Ato ishin më të bollshme dhe me kthina ku vendosej avlëmendi, pjesë e pandarë e çdo familje vllahe. Sa herë që unë takoja ndonjë prej tyre, e pyesja për Leonidhën, emrin e të cilit e kisha mësuar prej babait të tij. Më thoshnin se kishte mbetur në Mursi tek një i afërt. Me të mbaruar viti shkollor, do të vinte në Qelefun.

Kaluan ditë dhe ai nuk bëhej i gjallë. E kisha harruar fare kur aty nga fillimi i Shtatorit, një moshatar i panjohur më preu rrugën. Vinte bardhosh, flokëdredhur, i gjatë, me sy të shkruar dhe vetulla të holla. Foli me një siguri sikur të ishim takuar edhe tjetër herë:

- Unë jam Leonidha, i biri i Kristos, më ke kërkuar?

- Xha Kriston e ka mik babai im dhe ai na tregoi për ty, - iu përgjigja unë i gëzuar.

- Tani ne nuk do të shtegtojmë më, na e ka ndaluar qeveria, - tha ai me një pikëllim të thellë në sy sikur të ishte një i rritur - do hedhim “rrënjë” në Qelefun.

- Mos u mërzit, ti më ke mua shok, as familja jonë nuk është nga ky fshat. Ne jemi nga Labëria. Kemi zbritur këtu para disa vjetësh. E sheh atë majën e lartë pas asaj grykës? Në të kaptë është fshati im.

- Uaa, qenka si malet në Gramoz, - tha ai. Pastaj ndërroi menjëhërë bisedë dhe pa pritur pyeti:

- Di të mjelësh dhën ti?

- Jo, po do të mësoj.

- Unë di, - tha me mburrje dhe ngriti njerën dorë lart. Shikoje sa të fortë e kam, gishtrinjtë janë bërë si dru. Po të therësh e të rrjepësh di?

- Jo, - iu përgjigja unë i ndezur shpuzë nga turpi, - do vazhdoj shkollën, nuk do bëhem bari.

Isha i humbur në sytë e tij deri sa nuk dija asnjë nga këto mjeshtëri të blegtorëve. U kujtova, nxora një kiliço nga xhepi, sajuar me kamardare biçiklete dhe ia zgjata, por ai nuk e mori. E pa me dyshim, si guak dhe unë kuturisa ta pyes:

- Gjuan dot me këtë, vret dot zogj si unë?

- E pse t’i vras zogjtë, mua nuk më bëjnë gjë, mund të vrasësh ujkun që ha dhëntë, po jo zogjtë e pyllit, gjynah nga Zoti, - tha ai me faqet të ndezura prush.

- Unë nuk vras të gjithë zogjtë, po vetëm gargujt.

- Gargujt?! Ata janë zogjtë më të bukur mbi dhe, janë bishtgjatë dhe me ngjyra si të ylberit.

- Dhe vezët i bëjnë blu, ndryshe nga zogjtë e tjerë. Kanë sqep të fortë, si pincë, - vazhdova unë - ne kemi trembëdhjetë koshere bletësh, na sosën punëtoret, ato që bien mjaltë. Po i le të lirë e nuk i trembe gargujt, i bëjnë bletët, naa, fyt.

- Nuk e dija këtë, po nuk i pickojnë?

- Nuk arrijnë sepse ata i kullufitin në fluturim. Po unë e di se ku flenë ata mistrecë. Bëjnë fole në tokë, buzë lumit, me kamare të thella. Gjejnë toka të gremisura nga vërshimet e lumit në dimër dhe aty gërmojnë. Janë të çuditshëm. Aty ua zë pritën unë, ja me këto llastikat, baam.

Dhe për t’ia demonstruar nxora nga xhepi tjetër një zall të vogël lumi. E futa në kllapën e meshinit, tërhoqa llastikat dhe ia drejtova një peme akacie. Shënova një degë të hollë dhe nisa plumbin fluturimthi, domethënë zallin. Për fat dega u këput dhe Leonidha më pa me admirim. Me sa dukej ai nuk dinte të qëllonte me llastika. Një ditë tjetër i tregova ku i kanë foletë dhelprat, por ai më pyeti se ku mund gjenim lëndina me bar të njomë për qengjat kërthi. Një ditë tjetër e çova nga Gorricat e Kishës ku fshatarët vendas kishin frikë të lëshonin bagëtinë rrotull vakëfit. Me t’u shpalosur para syve tanë ajo luginë e valëzuar, i qeshën sytë e shkruar. I pëlqeu shumë ajo kullotë e bukur natyrale, me bar të njomë si mëndafsh. Dikur aty kishte qenë fshati i vjetër.

- Këtu po, edhe lumi është afër për të pirë ujë se qengjat janë si njeriu; kur mbushin barkun, duan edhe ujë, - tha ai si një bari me përvojë.

Kisha ndërmend edhe një plan të dytë në mendje; do t’i tregoja Kështjellën Romake, atje ku bashkohen dy lumenjtë. Me siguri ajo bina e madhe do ta patakste, por kur të vinte koha. Ne sa ishim njohur.

***

Ishte festa e Shën Spiridhonit. Vllehtë atë e festonin njësoj si Pashkët. Babai dhe unë u veshëm me rrobat më të reja dhe u nisëm për urim në Lagjen e re të Vllehve. Vura re se rrugicat ishin të fshira dhe dyert e kasolleve të hapura. Ne u drejtuam tek banesa e xha Kristos. Ajo binte në sy që larg ngaqë ishte me dritare të mëdha dhe gjendej fare në krye të lagjes. Zallmaahi e madhe, ishte citë më citë me njerëz. Kërkova me sy Leonidhën. Ja tek ishte në këndin e djathtë. Po më bënte shenjë me dorë të afrohesha afër tij. “Fiçor bun, kumeshti gjini?” tha një grua e moshuar ngjitur me të. Ishte dadaja, gjyshja e tij. “Ajo nuk di shqip, të pyet se si jeni me shëndet” më tha Leonidha me zë të ulët. E vura re me kujdes plakën. Ishte trupmadhe, me lëkurë të bardhë e gushë si brumë i ardhur. Pas ballit kishte shtërnguar një shami me ngjyra të shplara. “Mi dori kapu”, tha ajo sikur u ankohej mureve të kasolles. “Nuk shikon mirë nga njeri sy, vazhdoi Leonidha, i është verbuar nga puna e gjatë në avlëmend. I sheh këto sixhadetë nëpër mure? Nga dora e saj kanë dalë. Të pëlqejnë?”. Po, i thashë. Ato ishin ndryshe nga sixhadetë tona, kishin më shumë ngjyra blu, ndërsa neve të Labërisë preferonim dy ngjyra të theksuara, të kuqe dhe të zezë. “Këtyre vllehëve u pëlqen më shumë ngjyra blu, ngjyra e qiellit”, mendova unë.

Një vajzë e vogël, topolake, me faqet si luleshtrydhe të pjekura, u afrua me një shportë në duar; mbushur me simite të vogla e të rrumbullakta, shoqëruar me djathë. “Merr, janë turte me kukash!” më tha Leonidha dhe unë bëra si ai; e hapa më dysh një simite. Ndjeva erën e bukës së pjekur të grurit të situr. Ende ishte e ngrohtë. Me djathë haheshin me shumë shije. Ishin fare ndryshe nga ato që bënim ne, kishin një aromë të veçantë, por nuk ishte koha të pyesja se çfarë tjetër u kishin shtirë brenda.

- Do të dish një sekret? - më tha Leonidha me gojën tek veshi. Ishte afruar aq shumë sa ndjeva frymën e tij pas qafës - gjyshja nuk e pëlqen këtë ujin e fshatit tuaj, bie erë kulmak, zhuk, thotë.

- Çudi, edhe mëma ime kështu thotë, ajo nuk duron as llucën e rrugëve në dimër, - i thashë unë për t’i dëshmuar se gjyshja e tij kishte të drejtë.

Fqinjët u rralluan një nga një dhe thuajse kishin mbetur vetëm njerëzit e shtëpisë. Babai dhe xha Kristua ishin ulur këmbëkryq nga të dy anët e prushanës me nga një gotë raki përpara, djathë dhe ullinj. Vura re se këmba e djathtë e xha Kristos ishte disi ndryshe, kurora e saj ishte rrafsh.

- Leonidha, - fola me zë të ulët - të vënë e ka babai yt këmbën e djathtë, domethënë të rreme, prej druri?

Ai qeshi me zë të lartë dhe të dy burrat kthyen kokën nga ne të shastisur.

- Ç’keni ju zullapër, majmunë që vështroni si kulishër, - tha Kristua duke na u gërmushur lehtë.

- Baba, ky pyet mos e ke këmbën e djathtë prej druri, - ia ktheu Leonidha duke ia marrë fjalën nga goja të atit.

Ai qeshi me të madhe duke zbuluar edhe një dhëmb të veshur me çelik, inoks që unë nuk ia kisha vënë re më parë. Hoqi çorapen e leshtë me shpejtësi dhe ne pamë se gishti i madh i mungonte. Me sa dukej edhe im at e mësonte për herë të parë këtë fakt sepse po e ndiqte me kërshëri e sy të zgurdulluar. Xha Kristua nuk na la shumë të hamendësonim sepse u shpjegua vetë:

- Kam qenë 19 vjeç kur e kam humbur këtë gisht. Luftonim kundër fashistëve italianë. Desh lashë edhe jetën aty lart, në malet e Picarit. Kam qenë ushtar me forcat greke. Kur italianët i ranë Greqisë, më zuri kuraja në Mexhide, matanë kufirit. Atëherë një pjesë e ne vllehve veronim në Nemërçkën greke, pas Buretos dhe dimëronim në Mursi të Sarandës.

- Kujt i thonë kuraja, xha Kristo? - pyeta unë për atë fjalë të panjohur që m’u ngul si gozhdë në tru.

- Rekrutim i detyruar nën armë, - vazhdoi ai - ishim copë-copë, ushtri e sajuar, jo fort të pajisur me armatim e ushqime, por Greqinë, edhe atëherë e ndihmonin fuqitë e mëdha të Europës, sidomos Anglia. E thyem ushtrinë fashiste italiane, i vumë përpara si lopët. Italia kishte oficerë të përgatitur, por ushtarë qullashë dhe siç ju thashë, kishim arritur në malet e Kurveleshit. Aty ngecëm, nuk bënim dot as përpara e as mbrapa. Ishte Dhjetor i vitit 1940. Nuk kisha përjetuar dimër si ai i atij viti. Mbasdite moti u ashpërsua. Zuri lloha e borës. Temperaturat po uleshin gjithnjë e më shumë. Një erë e akullt niste që nga malet e Gramozit e mbërrinte mbi dy palë ushtri që ndesheshin për jetë a vdekje përballë njëra-tjetrës. Më shumë vdisnim nga të ftohtit se sa nga plumbi. U përleshëm bajonetë më bajonetë. Nuk di çfarë ishte ai mallkim që i ftohti i ngriu ushtarët e të dy krahëve në këmbë, duke luftuar. Të mos kisha qenë më parë bari dhe vllah, me siguri do ta pësoja edhe unë si të tjerët. Po ku të shkoja në atë natë të zezë kur as dy metra përpara nuk kishte fushëpamje?! Hë, më thoni ju…

Unë e Leonidha, duke përpirë çdo fjalë të tij, thuajse nuk merrnim as frymë, ndërsa babai lëshonte vazhdimisht tym të zi prej llullës së bërë me rrënjë shqope. Nuk po u besoja veshëve. Përpara syve tanë ne kishim një hero që kishte lënë kopene e deleve dhe po luftonte në malet e Kurveleshit. Xha Kristua pushoi pak, mori frymë thellë duke nxjerrë nga kraharori një ah të zgjatur. Ndezi një cigare, e thithi fort duke mos ia ndarë sytë prushit në vatër, pastaj ngriti kryet dhe vazhdoi:

- “Paradhosu Tepeleni!” thërriste një oficer grek i paralizuar me një zë si vajtim, domethënë “Dorëzohu Tepelenë!”, por a ngrihen të vdekurit të luftojnë?! Më duhet një kasolle të shpëtoj kokën, mendova, po ku, si? Vetëm ushtarë të ngrirë nga të gjitha anët. Ngrita një pirg me të vdekur. Nuk merrja vesh, ishin grekër apo italianë. Me trupa njerëzish sajova një si kolibe qeni. Ajo më mbrojti nga era dhe thëllimi. Këmbët thuajse nuk i ndjeja. Aty kalova natën. Të nesërmen stuhia kishte pushuar. Nën borën e bardhë preheshin përjetësisht ushtarët. Të gjithë të vdekur. Nuk flisnin as greqisht e as italisht. Dëgjova zëra mbrapa kodrës. Flisnin greqisht. Nga garnizoni i Gjirokastrës erdhën trupa të freskët për të mbledhur të vdekurit. U habitën kur më gjetën gjallë. Më futën këmbët në ujë të ngrohtë, por këtë gishtin e madh nuk e ndjeja fare. Duhet ta presim për të shpëtuar këmbën, më tha mjeku, të është gangrenizuar.

- Lufta vetëm dëme, vetëm të këqia ka, - tha babai disi i menduar- çfarë kusur kanë ato nëna të qajnë tërë jetën për djemtë e tyre?! Më mirë kështu, secili në tokën e vet, secili me familjen e tij, ka për të gjithë vend në këtë dynja. Është syri tahmaqar që kërkon luftë e jo barku. Populli popla është, si ato bagëtitë, ecin nga i shtyn çobani.

Atë natë nuk më zuri gjumi. Rrija në errësirë me sy hapur. Përfytyroja një gropë mali plot me ushtarë që kacafyteshin me njeri-tjetrin. U thërriste Zoti ndaleni dorën, ndaleni luftën, por ata tërboheshin edhe më keq. Përziheshin dy gjuhë, greqisht e italisht. Krakullima e ulërima si në ferr. Ushatrët i nxirrin sytë njëri-tjetrit. Kur Zoti i pa që nuk po ndaleshin në atë turravrap egërshan, u dërgoi llohë e stuhi. “Ti kalo këtej, i tha vllahut, ti nuk ke ardhur me dëshirë të luftosh për grekun, ti do të shpëtosh, do të jetosh gjatë… Të presin fëmijët dhe qengjat për t’i veselitur e mëkëmbur…”

***

Fshati Qelefun nuk kishte shkollë 8-vjeçare dhe mua babai më çoi në vendlindje, në Labëri, tek gjyshja ku prindërit vinin herë pas here të më shihnin. Gjithnjë i pyesja për shokun tim vllah, Leonidhën.

- Do bëhet çoban i mirë, - më tha babai - ruan cangadhet e lagjes së vllehve së bashku me një kushëri më të rritur se sa ai. E do shumë gjënë e gjallë, ndërsa Kristua është bërë përgjegjës kopeje.

- Nuk do shkojë Leonidha në shkollë?

- Nuk ma do mendja, mendoj se nuk duan ta largojnë djalin jashtë shtëpisë.

Në pushimet e verës, kur kthehesha në Qelefun, unë rrija gjithnjë me Leonidhën. Ishte ai që më grishi të shkonim për të kullotur natën, në Vasilikua, kafshët e dorës. Me t’u errësuar, hanim darkën dhe kalëronim mbi samar të kuajve. Ne kishim një mushkë të zezë, xanxare, ndërsa xha Kristua një kalë të kuq me një njollë të bardhë mbi ballë. Sa arrinim në lëndinë, Leonidha me një shkathtësi të paparë, u zbërthente palldëmin, barkoren dhe hopa zbriste në tokë samarët që ne i përdornim si jastëk. I hidhte pengoren në dy këmbët secilës kafshë dhe i lëshonte hergjele nëpër lëndinat buzë lumit. Unë kisha frikë se mos flinim mbi gërthje, iriqë, gjarpërinj e nepërka, por ai më siguronte se vendi që zgjidhte ai, ishte i pastër si një sini. Nuk duhet të kisha frikë.

Kurrë nuk e mora vesh pse ishte aq i sigurt. Me sytë të kthyer nga kupa e qiellit, një copë herë të madhe, do flisnim për vendet që kishim më shumë për zemër. Unë cicëroja për kullotat në Gjeshnikosh, Buçet dhe pyllin e Zarelit, ndërsa ai fliste i përndezur për lëndinat e maleve të Gramozit dhe burimet me ujët të ftohtë që rridhnin nën lajthi. E merrte vazhdimisht malli për stanet në Gramoz, ishte pika e tij më e dobët. Pasi mbaronim me rruzullin tokësor, i ktheheshim qiellit. Unë i tregoja Kashtën e Kumtrit, Arushën e Madhe e të Vogël, ai ca yje të tjerë. Më tepër pëlqente Yllin e Mëngjesit.

Numëronim kometat, disa dukeshin sikur binin mbi majën e Qelefunit dhe nga çasti në çast pritej që kasollet e vllehve të merrnin flakë, por nuk ndodhte asgjë. Sa më shumë që afrohej mesnata, aq më shumë ndjehej kënga e bulkthit, shushurima e lumit dhe vzhap-vzhupet që bënin nofullat e kafshëve duke kafshuar me lakmi bar të njomë në Vasilikua. Peshqit nuk bënin gjumë përderisa herë pas here kërcenin mbi pasqyrën e ujit të lumit. Dëgjohej pllaquritja e tyre kur hidheshin në ajër e përsëri ktheheshin në ujë. Ndoshta ato ishin lodrat e tyre të preferuara nën dritën e yjeve, por ne na kishte zënë gjumi me kryet mbështetur pas samarit të kafshëve tona. Unë nuk kisha më frikë nga nata e mbushur me enigma, larg shtëpisë, nën qiell të hapur.

***

Kishin kaluar pesë vjet qëkurse isha njohur me Leonidhën. Dy vjet më parë, në katundin ngjitur, ai kishte gjetur nën rrugë, hedhur në një ferrë, pesë këlyshë të vegjël të sapolindur, pikë të zinj. Dëgjoi diçka si vajtim të mekur dhe hapi me një shkop rrugën drejt kulluzmës së errët. Katër këlyshë kishin ngordhur, por ai që “vajtonte”, ishte ende gjallë. Nxori paguren me qumësht, hodhi pak në grushtin e njerës dorë dhe i dha këlyshit të pijë. Qenushi me sy të mbyllur nxori një gjuhëz si petale të kuqe dhe thithi qumështin nga grushti i tij. Nuk kishte të ngopur. Leonidha e çoi në shtëpi dhe ia besoi Dadasë. Deri sa u bë motak, nuk dihej se çfarë race ishte, por kur u pa që gushën, këmbët e para dhe barkun i kishte të bardhë, menduan se ishte një qen gjuetie, por nuk ishte i tillë. Ai ishte një qen shumë i shkathët, energjik, i zgjuar, vigjilent, i qëndrueshëm dhe me temperament këmbëngulës. Sipër syve si lajthi kishte dy njolla, si dy gjysmë hëna ngjyrë kafe. Nuk ishte langua, por as qen stani. (Pas shumë vitesh, kur nisi përdorimi i internetit, eksplorova dhe gjeta se ishte një racë “Border Collie” me origjinë skoceze). Ishte aq i lidhur me Leonidhën sa me ta lëshuar nga zinxhiri, do shkonte ta gjente kudo që të ishte. Sakrifikohej për të zotin dhe pronën e tij. Nuk kishte qen më besnik. Kurrë nuk u binte në qafë njerëzve, ndërsa me fëmijët lazdrohej.

- Vërja ti emrin - më propozoi Leonidha, - domethënë pagëzoje.

- Ky emrin e ka të shkruar në ballë, - thashë unë - Gusho.

- Nuk më pëlqen, vëri një emër që nuk e ka asnjë qen tjetër.

- E po mirë, ta quajmë “Majori Lik”.

- E ç’është kështu ky emër? Nuk e kam dëgjuar kurrë.

- Është ai udhëtari që ka zbuluar Kështjellën Romake të fshatit tonë.

- Dakord, është emër i rrallë, po ta heqim atë major dhe ta quajmë vetëm Lik, - sugjeroi ai me sytë që i ndritnin.

Atëherë, të dy kishim një moshë që na ngjante se bota ishte nën këmbët tona, aq më tepër për një djalë fshati që nuk ka më frikë as nga fshehtësitë e lumit e as nga errësira xëc e natës. Shpesh, kur në vapë shkonim të laheshim në thellësinë më të madhe të lumit Drino, na ndiqte pas edhe Liku. I vërtisnim në bujan një shkop të shkurtër, një pash të gjatë dhe ai shkonte me not, e merrte në dhëmbë dhe na e sillte tek këmbët. Të shikonte me ca sy lutës, sikur kërkonte me çdo kusht ta lavdëroje dhe ne përsëri e flaknim shkopin tutje, sa na hante krahu dhe ai përsëri shkonte plot zell dhe na e sillte në duar. Me të zotin e vet bënte edhe një marifet tjetër. Kur ai i thoshte “Hop, majtas!”, kërcente me një të hedhur në supin e majtë dhe kur ai i thoshte “Hop, djathtas!”, ai kërcente në supin e djathtë. Likut i mungonte vetëm goja për të folur.

Leonidha nuk vinte më në Vasilikua të kullosnim kafshët. Ai lodhej shumë duke punuar gjatë ditës. Po unë vazhdoja ritin e vjetër. Të tjerë djem të fshatit, më të vegjël, gjatë verës, sa ndjenin se unë nisesha në kullotat e Vasilikoit, më ndiqnin mbrapa me kuajt e tyre. Si të thuash më kishin emëruar “koçobash”, sidomos vllehtë. Vendin e Leonidhës e kishte zënë një vëlla më i vogël i tij. Kali i xha Kristos i ishte besuar atij për ta ushqyer. Nuk më ndahej këmba-këmbës dhe përpiqej të më imitonte në çdo gjë, deri edhe në mënyrën se si sokëllija për të trembur çakejtë. Kishte garanci miqësinë që kisha unë me vëllain e tij më të madh. Një mbrëmje më tha disi i brengosur:

- Nesër Leonidha nuk do të shkojë me bagëti dhe kërkon të të takojë.

- Ka ndonjë hall, e ka ngucur njeri? Duhet të marr me vete çomagen dhe thikën me sustë?

- Jo, do të të pyesë për diçka.

- Në rregull, me dy hostenë diell shihemi tek Burimi i Shtufit, i thuaj.

Takoheshim rrallë me të sepse unë kisha dy vjet që kisha nisur shkollën e mesme në Gjirokastër. Ai nuk vishej më me rroba të leshta, por ashtu si unë, me nga ato doqet e shplara të prodhuara në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” në Tiranë. Vetëm fanellën e leshtë nuk e hiqte dimër-verë. Atë punë e kishte merak Dadaja që e kontrollonte sa herë dilte jashtë banesës; nuk i besohej pa e prekur vetë me dorë nëse e kishte veshur apo jo. Dhe gjithnjë i thoshte: “Kjo të mbron nga të ftohtit dhe djersitja. Leshi, ashtu si ruan delen, ruan edhe ihsanin”.

U kuptua që vllehtë nuk do të iknin më nga fshati. Ata kishin filluar të ndërtonin shtëpi me blloqe betoni që i gatuanin buzë lumit. I linin ca ditë të thaheshin pastaj i mbartnin me mushka. Atëherë fshatarët e vjetër të Qelefunit besuan se vllehtë nuk kishin për të shtegtuar kurrë më. I pari e mbaroi shtëpinë xha Kristua. Pa ndihmën e të birit që kishte mësuar edhe zanatin e muratorit nuk do t’ia kishte dalë aq shpejt.

Të nesërmen, Leonidha kishte dalë tek burimi i Shtufit më herët se sa unë. E vura re që larg. Ishte ulur mbi një gur dhe rrinte i menduar. Më tha një mendje se mos Xha Kristua kërkonte ta martonte pa dëshirën e tij, por jo, kishte tjetër hall. I ra drejt e drejt:

- E njeh mirë Qorrin? Atë që ka qenë mësues dhe para një viti e pushuan nga puna sepse nuk ka arsimin përkatës?

- Po, ai e ka të nxjerrë gllomaqen e njërit sy në aksion për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Peqin. Duket sikur thotë nxirreni edhe ju se sheh më mirë me një sy. Quhet Taqi, po gjithë fshati i flet me këtë emrin tjetër. Ka qenë edhe për ca vjet anëtar këshilli dhe kooperativistët i ngritën një këngë: “Na u zgjodh këshilli i ri/ Tre veta me pesë sy…”. Thonë sikur ka luajtur nga fiqiri qyshse u pushua nga puna dhe rrugëve flet budallallëqe.

- Babai dyshon që ai të jetë i çmendur, siç hiqet. Hej bela, shkon në çdo oborr të shtëpive tona dhe numëron shollët. Këtë e bën çdo ditë. Në fillim ne dyshuam se mos donte të na vidhte, por jo. Detyroheshim edhe ne t’i numëronim se mos na mungonte ndonjë palë, por ncëk. Liku një ditë, kur e diktoi që vinte rrotull shtëpive tona, e përndoqi dhe e kafshoi në këmbë, i grisi pantallonat. Ai u ankua në Kryesinë e kooperativës dhe ne na dhanë urdhër ta mbajmë Likun në zinxhir. Po ku mbahet ai qen në zinxhir?! Sa e shikon Qorrin, gërmushet dhe kërcet dhëmbët. E urren për vdekje.

- Mirë ia ka bërë Taqi-Qorrit, ai rob e ka zemrën vrer, është qen bir qeni. Sa herë më takon mua, më thotë: “Ty asgjë nuk të lidh me llacifacët, pse nuk bëhesh shok me djalin tim?!”, por ju mos i lini shollët përjashta, tani keni shtëpi të mëdha, i lini në korridor siç bëjmë edhe ne.

- Nuk po më kupton, gjetkë fle lepuri…

- E përgjojmë - vazhdova unë në timen - dhe me t’u afruar tek lagja juaj, i japim një dru të mirë, ta mbajë mend për jetë. Sa të dëgjojë emrin vllah, t’i shpëtojë shurra në brekë.

- Jo, babai nuk do të hapim sherr me të. Dikush tjetër fshihet pas tij, thotë. Sa ia kujtojmë, nxihet në fytyrë dhe ka vendosur të blejë një qen stani nga ata që shqyejnë ujqërit. Ka ca njerëz të ngatërruar likësht ky fshat.

- Deri sa babai yt mendon kështu, ne nuk kemi të drejtë të vendosim me kokën tonë ndryshe, - i thashë në fund të bisedës - gjithsesi mua më ke gati, por edhe vetëm e bëj pelte Qorrin.

- E mbyllim këtë mesele, unë t’i thashë këto me kokën time nga që shoh babain të mërzitur. Ne vllehtë nuk i biem në qafë asnjeriut. Mos ia trego kujt çfarë të thashë, ndryshe babai do të zemërohet keq me mua.

Pastaj lëvizi pëllëmbën drej ballit sikur kërkonte të dëbonte një mendim të lig nga koka. E kaloi fjalën gjetkë. Dukej sikur u pendua që më shprehu merakun e babait të vet dhe unë e pashë të arsyeshme të mos ia zgjatja. Vazhduam të flasim për motin, duke ecur gjatë rrugës, paralel me lumin Drino, në drejtim të Kështjellës së lashtë:

- Thonë që ne vllehtë kemi origjinë romake. Flasim gjuhën popullore latine dhe kemi ardhur në Ballkan për të siguruar rrugët ushtarake dhe tregëtare të Perandorisë Romake. Zanati ynë i parë ka qenë shpata dhe i dyti blegtoria, - tha ai me një lloj mburrje sikur të recitonte një poezi.

- Unë kam pyetur mësuesin e historisë dhe ai më tha se vllehtë e Shqipërisë janë me origjinë nga Dakia e Rumanisë, - shtova unë.

- Nuk e di, kjo është e ngatërruar, çfarë thotë njeri, nuk thotë tjetri, - tha ai.

Kështjella Romake gjendet aty ku bashkohet lumi i Kardhiqit me lumin Drino. Në lashtësi, prej aty mbrohej rruga e Skërficës që përfundonte në qytetin e vjetër Foenike, ndërsa rruga në drejtim të Tepelenës vazhdonte në Bylis e përfundonte në Apolloni. Tjetra në lindje shkonte në qytetin antik Antigone. Njeri lumë vjen i rrëmbyeshëm e fodull, ashtu siç janë labërit e krahinës së Kardhiqit dhe tjetri, i shtruar e i qetë siç janë minoritarët grekër të Dropullit. Kështjellat në mes të fushës e në anë të lumenjve, janë të rralla, por kjo jona ishte e veçantë sepse ishte pikërisht në mes të luginës ku ajo vjen e ngushtohet.

Sipër, ngjitur me të, matanë lumit Drino, ka një kodër të lartë të quajtur Tabor. Sigurisht që emri “tabor” nuk është latinisht, por osmanisht dhe do të thotë formacion ushtarak me njëmijë ushtarë. Interesant se edhe arkeologët kanë zbuluar se kjo kështjellë sipas fjetores, ka mbajtur një legjion ushtarak romak me njëmijë ushtarë. Në Majë të Taborit ka qenë ndërtuar një minikështjellë rrumbullake, si një kullë me frëngji nga të katër anët e horizontit e cila ka nën kontroll gjithë luginën, sidomos atë që zgjatet nga ana e Hormovës. Unë kisha mësuar në shkollë se në vitin 1835 këtë kështjellë e kishte vizituar majori anglez Lik dhe ai kishte përcaktuar se nën këto rrënoja fshihej qyteti ilir Panot dhe pas ndërtimit të kështjellës nga romakët në shekullin e V-të, ky vend u quajt Phanotcastron (Panotkastër).

- Domethënë këtu është folur latinisht si kjo gjuha jonë vllahçe, - më tha Leonidha. Mbeta i habitur nga ky arsyetim i tij. Ai e kuptoi habinë time dhe vazhdoi:

- Deri sa të gjithë ne flasim një latinishte popullore dhe Italia nuk e përdor më këtë gjuhë, tregon që ne nuk ndryshojmë kaq lehtë, por kemi marrë edhe disa fjalë shqip, thotë babai im. Kryeqyteti ynë para më shumë se dyqind vjetësh ka qenë Voskopoja afër Korçës.

U zura përsëri ngushtë. Atëherë unë dija shumë pak për historinë e vllehëve. Dinim vetëm se në prag të Pavarësisë së Shqipërisë vizionari Abdyl Frashëri kishte propozuar krijimin e një shteti arumun në malet Pindi dhe mbreti i Rumanisë Aleksandër kishte thënë se vllehtë duhet të kalonin nga ana e Shqipërisë sepse Greqia mund t’i asimilojë.

- Kjo kala, - i thashë unë - ka katër hyrje dhe 14 kulla vrojtimi, shiko fjetoren e njëmijë ushtarëve, ja ndarjet, ja edhe dy kisha që janë ndërtuar më vonë.

- Kjo është e rrafshuar, mos e kanë rrënuar osmanët? Ku janë gurët? Muret janë të rrëzuar.

- Jo, nuk është rrënuar nga luftrat, gurët janë të gjithë në fshat, me to janë ndërtuar shtëpitë e Qelefunit.

- Sa mirë do të ishte sikur kjo kala të ishte e ruajtur dhe e mirëmbajtur si ajo e Gjirokastrës, - tha ai më shumë sikur i foli shushurimës së Lumit të Kardhiqit se sa mua.

***

Babai erdhi pikë e vrer nga kullotat verore në malet e Trebeshinës. Nuk na pyeti me radhë për shëndetin, si zakonisht dhe as nxori shëllirë kaçupi për të na veselitur. Duket që e kishte një hall të madh, por ne nuk guxonim ta pyesnim.

- Shko dhe më gjej Kriston, e kërko ku të jetë dhe thuaj të lërë çdo punë, njoftoje se e kërkoj unë, - më dha urdhër babai.

Të parën gjë që bëra ishte të shkoja pa bërë zë në Lagjen e Vllehëve. Dadaja më tha se ai dhe Leonidha ishin duke prerë driza në Tavan; po pastronin kullotën dimërore të dhënve. Atëherë unë e kuptoja pak gjuhën vllahe. Leonidha kishte tentuar disa herë të ma mësonte. Kapërceva lumin dhe i gjeta të dy, babë e bir duke punuar. Drizat u ishin mpleksur nëpër këmbë, por që të dy ishin veshur me pantallona të leshta për t’u mbrojtur nga bezdia e gjembave të handakosur. I tregova çfarë më porositi babai. Xha Kristua nuk bëri pyetje, por e vura re se u mvrejt, iu shtuan rrudhat në ballë dhe një hije e errët i endej nën vetulla. I la në dorë kosorin Leonidhës dhe i tha të vazhdonte edhe ca, gjer sa të kapërcente dielli majën e Cepos. Ecte aq shpejt dhe i hidhte hapat aq të gjatë, sa mua disa herë m’u desh të vrapoja pas tij. Dhimua, vëllai i vogël i Kristos, ishte bari në të njëjtën kope delesh me babain tim. Ai kishte mbetur në stanet e Trebeshinës, ndoshta diçka ishte e lidhur me të deri sa babai po kërkonte me ngut xha Kriston. Mos, o Zot, ndoshta babai ishte grindur keq me Dhimon?!

Mbërritëm në shtëpi. Dy miqtë e vjetër u përshendetën ngrohtësisht dhe babai ma bëri me shenjë të largohesha. Realisht dola jashtë murit dhe u ula poshtë dritares me një xham të thyer. Nuk ishte thjesht kërshëri, por e ndjeja veten të aftë për t’i ardhur në ndihmë në çdo lloj halli e sikleti tim eti. Dhe doja të dija. Dhe vura veshin të dëgjoj. Babi e nisi bisedën kështu:

- Në Ujë të Ftohtë të Tepelenës, u ktheva për të pirë një kafe tek klubi dhe mushkën e lidha në rrugë, pas një shkoze. Aty kishte ndalur edhe një autobuz me turistë të huaj. Shkojnë dy prej tyre me franxholla të bardha në duar dhe ia zgjatin mushkës në turi, për t’i ngrënë. Hukubet. Ti e di, franxholla e panine ka për turistët, por nuk ka për fëmijët tanë. E gjithë Shqipëria po punon dimër behar për të prodhuar bukën në vend. Pikë e zezë, turistët ushqejnë kafshët me franxholla.

- Çfarë të keqe ka këtu, ata vijnë nga vënde kapitaliste dhe ashtu janë mësuar të ushqejnë edhe kafshët me bukë, - tha Kristua - nuk shoh ndonjë gabim këtu.

- Prit, ka akoma. Mua më erdhi shumë keq që po e bënin bukën dëm, lashë kafenë pa pirë dhe shkova e i hoqa franxhollat nga dhëmbët e mushkës. Ata menduan se ia hoqa kafshës për t’i ngrënë vetë dhe m’u veshën me fotografi, frap njëri e frap tjetri. I vura gjysmë franxhollat e ngrëna në një ledh, rrëmbeva mushkën nga kapistra dhe ika pa kthyer kokën pas.

- Shumë mirë ke bërë, ne e kemi bukën të shenjtë, ne bëjmë be “Për këtë bukë!”, por të huajt nuk na kuptojnë. Me siguri kanë pasur edhe shoqërues shqiptarë dhe ata kanë për t’ua shkoqitur pse e bëre atë veprim. Po t’i kishe marrë, do kishe bërë gabim të madh politik.

- Mirë thua ti, Kristo vëllai, por kur fotografia ime të dalë në gazetat e tyre dhe ato gazeta me çobanin e Trebeshinës të vijnë në Tiranë, do thotë udhëheqësia jonë se ky bari është armik se ka dashur të na diskreditojë në sy të Perëndimit. Nuk kam frikë për vete, por për djalin në shkollë, mos ma përjashtojnë.

- Por mund edhe të mos ndodhë asgjë. Vetë mos shko asgjëkundi sepse shejtani fle dhe ti e zgjon nga gjumi. Të presim edhe ca ditë. Duke parë e duke bërë.

Ashtu ishte si tha Kristua, neve nuk na ndodhi asgjë dhe mua nuk më përjashtuan nga shkolla. Megjithatë kaluam ditë të sikletshme, plot tension duke pritur nga çasti në çast të na trokiste polici në derë. Por diçka edhe më e rëndë ndodhi me vllehtë. Polici i lokalitetit, Shemja, po ekzekutonte qentë një nga një me pretekstin se shtëpitë e vllehëve ishin në rrugë dhe forcat kooperativiste nuk shkonin dot andej nga frika e qenve. “Majorin Lik” nuk e gjetën aty sepse ai shkonte kudo pas Leonidhës. Lere më që ai ishte një qen aq paqësor. Me përjashtim të Qorrit që i kishte grisur pantallonat, nuk kishte kafshuar asnjeri tjetër. Mirëpo polic Shemes eprorët e tij ia bënë tetë me dy; e akuzuan se kishte pirë raki me Kriston, prandaj e kishte kursyer qenin e tij. Shemja nga ana tjetër, pa pyetur eprorët, i ishte lutur Leonidhës ta fshihte “Majorin Lik” sa të kalonte e të shuhej kjo valë antiqen vllehësh. Likun, me shumë dëshirë, e strehuam ne në shtëpinë tonë dhe Leonidha vinte aty çdo ditë për ta takuar e ushqyer, megjithse as ne nuk i linim gjë mangut. Na habiti të gjithëve ai qen, nuk po lehte më. Tamam sikur ta dinte se ishte në kërkim dhe duhet të jetonte në ilegalitet. Frikën e spiunimit më shumë ia kishim Qorrit se sa Sheme policit. Në vend të na survejonte ne Taqo Qorri, ishim ne që përgjonim lëvizjet e tij tani e tutje.

***

Nuk di, por kisha një dyshim se diçka fshihej pas asaj fushatës së egër për zhdukjen e qenve, vetëm tek vllehtë. Pas shumë kohësh, një mbrëmje, pyeta babain. Ai, disi i pikëlluar e i merakosur, m’u përgjigj kështu:

- Eh, mor bir, gjërat nuk janë ashtu siç duken nga larg. Kristua ka një vëlla në Mexhide, në Greqi. U nda bota më dysh, u ndanë edhe vëllezërit. I përcëlluar nga malli për të ëmën, ai paskësh thënë se do të hyj fshehurazi nga kufiri i Nëmërçkës e do të takoj nënën sa është ende gjallë. Asaj që Leonidha i thotë Dada. U mor vesh, bënë këmbë fjalët dhe erdhën deri këtu. Qeveria i vuri vllehtë nën përgjim. U numëronin shollët. Donin të dinin se kush u hynte e u dilte, por i pengonin qentë, gjersa me urdhër nga lart i sosën të gjithë duke i pushkatuar një nga një, pa gjyq fare.

- Po kush e solli lajmin këtu që nga Greqia?

- Oficeri i sigurimit të fshehtë, Sulo Jorgaqi që hynte e dilte fshehurazi nga kufiri në Kakavije. Kristua është burrë me mend dhe sa i ra në vesh kjo, i dërgoi haber të vëllait të bëntë lutje në ambasadën tonë në Athinë për ta lejuar si vizitor që të mund të takonte hapur të ëmën plakë, sa ishte gjallë. Ia dogji kështu kartat në duar Sulo Jorgaqit. Vllah i mençur Kristo Xhima.

Toronto, Tetor 2020