O varri im tallës e mikpritës… - Nga Artan Gjyzel Hasani
…që syrin ia shkel atij që rri pas meje…
strehë e fundit e kujt s’mundi…
vdekje, dehje a çfarë je
a më pranon si bujtës të një nate të vetme?
më prit pra ti prehje…
po vi të të lodh
ma rëndon gjoksin ky ajër,
kafazin kjo frymë
ndaj e lë a dikur më lë
si gruaja veten
kur përton të jetë e bukur
dhe burrin
që s’ndjen më asgjë…
të çartura janë sonte fantazmat
dhe zhurmat e natës jetime…
nën qiparisa shpirtërat vallëzojnë
këtë kapriçio të verbër hungareze
me violina të marra borxh
te një rojtar zemërgjerë varreze
rreth zjarrit që ndezi një ferr i rremë
për mirëseardhjen time…
më prit pra ti prehje…
po vi të të lodh
do të vonoj sa një vdekje…
(nga "IMORALISTI", 2020)
©artangjyzelhasani



