Krijimtari

Social distancing - Nga Artan Gjyzel Hasani

1

para se të rrëmbesh pishtarin, ik gjej errësirën

kështu më pat thënë një zjarrvënës pyjesh

një të dielë me diell e plot dritë

ku askush nuk e vuri re flakën time

ndërsa nxitonte urtë e butë

në hidhërime afatshkurtëra 

dhe gëzime dalëboje…

2

Pasqyrat avulli s’i turbullon si dikur

nuk dimë më ku jemi dhe a jemi

vijë e fatit ka humbur udhën në lëkurë

shndërruar në re nga e cila lind jermi

alergjikë nga fryma, prekemi në ajër

si duart e statujës në Playa Del Carmen

ku pinim birrë, duheshim dhe ankoheshim

pakënaqësia për ditët që iknin shpejt

privilegji i vetëm i atyre që s’do të takoheshin

3

dhe tashmë bëjmë kujdes të mos afrohemi

më shumë nga sa duhet, më pak nga sa thonë

më tepër nga sa mban ajo fije e hollë

që duke na ndarë na bashkon

e padukshme, e pashmangshme

me miliarda njerëz që na rrethojnë

rastësisht padashur, pa e ditur as vetë

e vërtetë paska qenë veç ndarja jonë

se bota përtej e ndarë ka qenë gjithnjë…

4

nuk jam plakur, por jam neveritur

më lodhin njerëzit inteligjentë po aq sa idiotët

të ndershmit po aq sa maskarenjtë

kaloj ditën time pa kokëçarje

se kush ka gabuar e kush ka të drejtë

ngjesh armët dhe hyj ku të doni

në drama, komedi a tragjedi

tragjeditë njerëzore, oh ç’fjalë e madhe,

kjo shpikje teatrore për spektatorë

por sot spektatorë nuk ka, vdekur janë të gjithë

kanë zaptuar skenën, secili regjizor i imazhit të tij

qelbur nga zullumi dhe vetëkënaqësia

nuk ka Arman që na bën derman

provo Lalique, Hugo Boss, oh no…

jemi të gjithë shishe parfumi bosh

mbushur me etiketa që fshehin zbrazëtinë

në vitrinën tonë dhe koshin e një tjetri…

5

ndalohet, jo, mos, nuk, snuk

ndalohet hyrja, edhe dalja ndalohet,

ndalohet zëri i lartë, rrezik zjarri,

tension i lartë, këtu ka helme,

vija të bardha në hundë dhe në rrugë

ndalohet duhani deri 9m larg ndërtesës

e thënë ndryshe tymos nën rrotat e makinave,

o Zot ç’komfort!

në qytete, pyje, plazhe, parqeve kudo ndalohet

ndalohet duhani në Everest dhe alkooli në Amazonë

ndalohet pështyma, mos kalo, mos vrapo në korridore

ndalohet fryma

ec ngadalë, pa zë, pa shikuar, pa prekur, pa zhurmë,

në mundsh zvarritu, do të të pranojnë menjeherë

e kur të zvarritesh akoma më shumë ke fituar

inkurajohen përshëndetjet dhe buzeqeshjet

por mos shiko dikë në sy më shumë se 16 sekonda,

mos fol me xheste, mbaji duart mbrapa,

mos përdor fjalën Q dhe K dhe P

mos prek, mos përqafo, mos kthe kokën anash

këtu nuk flasim por pëshpërisim, 

ndalohet mbi 60 km/orë, 100km/orë,

mos guxo të arrish shpejtësinë e dritës, o njeri,

se edhe atë do të ta ndalojnë

arrogantët zvarranikë trushplarë…

6

I lodhur nga pikat e presjet, shenjat e pikësimit

në fytyrën vrarëlije të gramatikës së jetës

nga rregullat, kufijtë, telat, kodet,

i lodhur nga mirëditat dhe mirëmëngjeset

që ua paskam borxh tërë të panjohurve të botës

nuk e di nëse do kem fuqi dhe dëshirë

të të them edhe ty natën e mirë

dhe ty të vjen t’u hedhësh duart në grykë...

është ai sikleti që na zë në fyt

kur duhet të hiqemi më fisnikë nga sa jemi…

7

shpikim terma me ndarje dhe luajmë me to

si dikur me tituj filmash, oh ç'mirëkuptim,

ndarje fizike për të shpëtuar lëkurën tonë

njerëzimin si ornament, por jo shpirtin,

po kush po çan më kokën për të?

nuk ka më udhëkryqe, as mëdyshje,

njeriu postmodern nuk ka dilema

dhe ne nuk jemi primitivë apo jo?

jemi i pari qëllim dhe i fundit

punë e paqme, mision i kryer...

në këtë botë të hekurosur globale

në qarkullim ka veç dele

të gjitha njësoj borë të bardha

lindim si meridianë që përqafohen

jetojmë dhe vdesim si paralele…

(nga vellimi poetik "IMORALISTI", 2020)

©artangjyzelhasani