Krijimtari

Vizita e Muzës - Nga Artan Gjyzel Hasani

ajo vjen të vizitojë poemën time të pambaruar

në këtë çast të vonë që nuk e tregojnë kalendarët

dorëzon veten, burrat, dashnorët

dhe të tjera gjëra të tepërta si këto

ornamentet, varëset, byzylykët, orët

të dorës dhe atë biologjike

te një metaforë sarkastike

që pret në hyrje të saj

dhe zhvishet lakuriq bukur ngadalë

pa i hequr mbathjet dhe këpucët

që më pas do të kumbojnë

në labirinthet akoma të pamobiluar

të asaj që mund të ndodhë…

ulu

jo, do të rri në këmbë,

kam ardhur veç për pak

ndërsa po shëtisja qenin

nga larg nëpër natë

pashë dritë në shpirtin tënd

dhe afrohet shkujdesur, tinëzisht,

si dora mes kofshëve nën tavolinë…

mos u mbështet pas atij vargu të lutem

akoma nuk e kam mbaruar

mund të rrëzohesh padashje

e të biesh në romanin tim të ardhshëm

mes personazhesh të ftohtë dhe cinikë…

ja sa të shtyj pak qiellin

e të bëj vend për ty…

nga këmbët e saj të gjata kuptoj

që i pëlqejnë lartësitë

dhe mbathjet ngjyrë resh

pas të cilave fshihet një Venus fjalëpakë

me ndriçimin e tij të zi…

fik dritën që ta dalloj më mirë

por kam frikë mos shoh më shumë nga sa duhet

prandaj ndez një abazhur

të marrë hua nga një poemë e vjetër

dhe nën hijen e saj të lëkundur

nis të shkruaj vargje të pahijshme…

©artangjyzelhasani

Nëntor 2020