Ode për verën e shkuar - Cikël poetik nga Flurans Ilia
Pëlhurë
Buka e thekur si zgjimi i blirit
bulkthat në jug zbusin kthetrën
lugat i ngujuar në muzg
gjer në zverk zvarrisin zefirin
imazh zafir prej kafeje të fortë
në xhezve të bronxtë
gjurmët mbi rërën e shkrifët
lëçisin filxhanin
Bunaca e Gushtit ç’vesh
gjuhën e konstelacionit
gjumi i galaktikave gllabëruar
si një ballamar i kruajtur
me dhëmbë nga Ballabani
Kështu mëtohet nisja, këmbëzbathur
Ball këtij muri të vjetër përpirë detit
Përtej gjumit të galaktikave fle
Madhërishëm gjiri i Rodonit
Si çdo gji Hyu mbart në gji
Praninë e zehfirit mbi trup të hyjnisë
A thua se po shkel një sarkofag?
Aty ku busulla kapton kuptimin
te kjo liburnë e mbytur në det
humbet me fushqet
duke kërkuar 8-këmbëshin e fjalës
që duhet plandosur 40 herë mbi gurë
duke i lëshuar tendinat e varur jargët
si një kërmill nën hënën e gushtit
ku nata nis e bëhet pëlhurë
Dita e Blumit
në kohë të ndryshme
ne nuk jemi i njëjti lexues
i të njëjtën orë
këtu e 24 metafora më parë
si do të ishin jetët tona pa praninë
e zogut të ëmbël të paradoksit?
Aty janë të lidhura të gjitha foljet
për ata që duan folinë
folenë. Ky vend arktik
prania e njeriut përngjan si çudi
midis bishave dhe brigjeve
çast dilemë vramendje violonçel
borë e pashkelur fleta e bardhë
të gjithë jemi qiraxhinj mbi këtë tokë
me një kile «të ardhme»
në trastën e ushqimeve
zverku i njeriut dhe putra e zgjimit
gështenja midis bishës dhe shikimit
romeopatisë dhe tragjedisë
lind papritur një histori
nga ato me dedektivë dhe arratisje
me shërrrr dhe kafshime
me puthje të avullta afshime
me ndukje me penetrime
Të urrej dhe të dua
I hate you and I love you
era e veriut me njerëz të mërkurash
kur mërkuri bie
dita më e vetmuar e të gjitha ditëve
e mërkura si ishull as andej as këndej
as në fillim as fund as e hënë as e premte
as ngrohtë as ftohtë temperaturë zero
Për një të vetme ditë si kjo Gjithkush
Duhet të mbartë brenda vetes
Pak Irlandë
Ode për verën e shkuar
Vera mbretëron
të gjitha përvojat poetike të gjakut
terapi e gjatë e qytetërimeve
trupi i dimrit tashmë zgjatuar sa mështekna bri
kapitullit të një gjetheje në rënien e ditëve
zgjatim i natës si brymë mbi kapilarë
temperatura bëhen varkë mbi pellgje të vakët
përrenjtë kërrejnë oksigjenin e syve
mbarsur me një birrë çeke
Ca foto të hershme kur zbulove Amerikën
nga fundi i shekullit të shkuar
në gjurmët e gjumit të humbur.
Xhota
Hapësirë midis dy notave
Kjo luginë e heshtur ku rrjedh lumi
Më kujton Xhotën, shef-orkestre
Dirigjent virtuoz e njeri babaxhan
Kur një kordë dilte prej ngastre
I kthehej korit të zërave - Hajvanë!
“Mos më qini veshin”
Mos më qini veshin
Këtë ditë dhjetori pse m’u kujtua
Me sy kujtimesh, sërish Xhota?
Ftohet qiellza fellë zgafellës sime
“Flurans, mos i kthe shpinën lumit”
Nën pardesynë e zërave
Partiturë e borës dhe gjumit
Midis dy malesh zgjatohet ky lug
Jaka e strëngur e pardesysë
Puhizë pëshpërima e zërit të Xhotës
Rizgjon kadencën e pritshmërisë
Kohët muzikore dhe shkopin i tij të artë
“Zëri yt Flurans është bërë
për të mbërritur gjer këtu
asnjë oktavë më lart”
Arrati me stil bretkosë
ëndërr e të njëjtës ëndërr
varur vullneti në valle
përpjekje për një pikëpyetje
në këtë botë me halle
Tash nuk ke pse qahesh më
I mblodhe ditët për ditën me D.
mbi re me “stil bretkosë” shtrihet
liqeni midis dy mjellmash
kjo gjendje e paqme fizike
trajta e lëndës dhe forca e fërkimit
PLUSKIMI
Tani nuk ke pse qahesh më
mbledh ditën për ditët me D.
Arratia e një pulëbardhe
nga shkronjat e viteve tetëdhjetë
me "stil bretkosë” mbi një telajo vaji
2020, liqeni shtrihet te pikturat e para
PO ATY
kur kullonin pemët dhe rrënjët
ngelen te ngjyrat fillestare
Tashti ai nuk qahet më
mbledh ditë për ditë një D.
ëndërrat bëhet armë memece
komerdare zisi - bukëpeshku e vjedhur
ndryshe shkumë - deti shpirttrazuar
tallaz përfund te kjo arrati në ajrí
bëhet ajo tokë e brishtë të cilës i tha,
Tash nuk ke pse të qahesh më
I mblodhëm ditët për ditën me D.
©Flurans Ilia
Dhjetor 2020



