Mendje kriminale - Nga Artan Gjyzel Hasani
…por unë kam edhe orët e mia të pagjumësisë
ku vështrimet rrëzojnë tavanin e bardhë
e ai bie mbi mua si porcelan i mbushur me filxhanë
ku kafenë gjerb vetmia e njëqind burrave dhe grave
dhe etjen shuajnë njëqind buzë...
se natën unë jam njëqind burra e gra të paftuar
në sofër të trurit tim këmbëkryq ulur
ca në këmbë me kokteile hamëndjesh në duar…
të tjerë mbështetur brenda vetullave të ngurta
si në një imitim kockor bari amerikan
ku shishet e delireve ekspozohen të ndritshme
në vitrinën e brendshme të ballit tim…
grinden për vendet, shtyhen, shahen, shkelmohen,
shpartallohen…çohu ti atje...është vendi im
kur unë isha këtu, në ç’mendje flije ti?
po prit se unë kam ardhur i pari,
të lutem liroja vendin kësaj gruas me barrë
po ku të ulem? shko andej nga të martuarit
mos më prek…nuk e sheh se kam edhë foshnjen në gji?
lermë rehat…ti i ke mbaruar hallet e tua...
unë jam këtu për të bërë një fëmijë
pse më shikon ashtu, zotëri? kujton se të kam frikë?
e kam sjellë vetë këtë stol shumë vite më parë
hej zonjë, ti nuk mund të ulesh pranë meje
kështu veshur e mbuluar deri në grykë…
oh, qënka shumë ngushtë këtu… shtyhu andej ti
unë ndjehem kaq mirë, prandaj vi me ëndje
më pyete pse erdha paftuar në trurin tënd
dhe nuk të mora dorën si zot shtëpie?
sepse jam vrasëse profesioniste e gjumit fajtor
dhe krimet e zemrës ndodhin zakonisht në mendje…
shqyhen dyert e syve të mbyllur, dritaret e veshëve thyhen
tinëzisht hyn në tru edhe një grup me beqarë
të zhurmshëm, të dehur, të zhveshur, të dirsur,
pas kockës thyhet një shishe…dikush ndez një cigare
është momenti kur truri më mbushet me qelqe
asgjë s’dëgjoj dhe koka mikëpritëse bëhet tym
nga marramendja lëkunden të paftuarit një e nga një
dhe bien në fund të kafkës sime pa u mbytur
skenar Titaniku për një film pa zë
me siguri vijnë nga ndonjë mendje tjetër
e dekriminalizuar përkohësisht në zgjim…
i tmerrshëm ky trafik i pasmesnatës në trurin tim
lagja e epërme e kafkës mbushur me këmbësorë
që kur lodhen, pranë kapilarëve shtrihen gjerë e gjatë
dhe më duhet të vras mundësisht pa shumë gjak
të paftuarit arrogantë që gjithnjë rrinë ulur,
ndërsa të ftuarit e ndrojtur vend nuk gjejnë
por për dreq ata vijnë të gjithë njëherësh,
s’janë mësuar të jetojnë vetëm e pastaj të vdesin...
më në fund më zë gjumi siç më zinte dikur autobuzi
një kamarier prej ajri merr filxhanët bosh
i lan e i bën gati për një tjetër herë
porcelani ngjitet prapë lart dhe bëhet tavan
e më pas vjen agu…
zbardhur dita me klor
si mbathje të vjetra nga lavatriçja saponxjerrë...
zgjohem, e qëndroj ashtu me kafkën time në duar
aty brenda ka rënë qetësia …
kanë ikur a i paskam vrarë,
me siguri i kam vrarë edhe këtë herë...
se ke mbetur veç ti...
ti me një emër tjetër…
(nga "PRANDAJ...", 2014)
©artangjyzelhasani



