Krijimtari

Çarku që s’ndryshket kurrë - Nga Artan Gjyzel Hasani

absurdi filloi me gjuhët e shumta që shpikëm

kur nga pasthirrma e rënkime të njëjta

krijuam fjalë dhe këngë të ndryshme...

pastaj secili zgjodhi kopenë e vet

dhe gurin e shpellës e bëmë derë

dhe dyert i bëmë gardhe të pafund

krijuam himnet, piedestalet dhe flamurët

për t’u fshehur pas guackës së tyre si kërminjtë

për të dëshmuar dobësinë me të cilën ushqehemi

në përvjetorët modernë të frikës sonë…

këto budallallëqe po mendoja pak më parë

ndërsa u ndjeva i paqëllimtë si ajri

kur një ketri i dhashë lirinë e humbur rastësisht

në çarkun që i kam ngritur botës

diku në një cep të verandës sime…

tre gardhe kapërceu ketri drejt lirisë

tri herë më mohoi vetja…

vetja ime është kurthi ku unë bie çdo ditë...

çarku që më ngre bota...

©artangjyzelhasani