Poezisë - Nga Vangjush Ziko
O art i bukur, s'di të të krahasoj
Përveç me dashurinë e praruar.
Në krahët e tua vuaj dhe lëngoj
Dhe rroj në qiell të shtatë i lumturuar.
Dhe miq e shokë më ke bërë plot.
Dhe as armiqtë e mi s'i ke harruar.
Mes xhelozisë e smirës unë rroj
Me kokën lart dhe i pagjunjëzuar.
Ç'kuptim do kishte arti edhe jeta.
Ç'kuptim do kishte vargu i stolisur
Me lulelajle dhe pa të vërteta.
Ç'kuptim do kishte kënga e harlisur,
Si kënga e shavarit në këneta,
Pa brenga e pa blana e qendisur.
©Vangjush Ziko



