Krijimtari

Lehtësia e papërballueshme e kafesë së mëngjesit - Nga Artan Gjyzel Hasani

jam bërë i arsyeshëm, pra aspak interesant,

burrë i zakonshëm dhe pa ndodhi

që nuk tymos si dikur brenda shtëpisë

se duhet shitur më shtrenjtë nesër

më pi tym i cigares, ndërsa në garazh e përpi

ndjej mall për një kafe me ty, e panjohur,

ndërsa më përmënd një zë i lodhur

“Gati kafeja, burrë, mbi lavatriçe ta lashë...”

përveç se e panjohur, ti mund të jesh edhe brune

por për lehtësi arësyetimi në Gjyqin e Parafundit

le ta zëmë se je bionde syzezë në të pëlqen

formë e buzëve cliché… gojë gjysëmhapur...

gjinj me gravitet të lehtë nën kashmir violet

e sapodalë nga vetmia që falin ëndrrat

dhe ja tek nisemi çift për te bari i Xhinos

për një asgjë të re, kafenë e mëngjesit

dhe konsum miqësor i cigareve të mia...

gjerbim kafe dhe flasim për dashuritë e të tjerëve

pasi i ndritëm tonat në varreza inkandenshente

e ngrohtë si puthje pasionante kapuçinoja

por e tepert kjo shkumë si krenaria në dashuri...

pastaj më thua që kur ishe fëmijë

e dije që qetësia zakonisht ka ngjyrë të zezë

e unë dua veç të të puth majën e hundës

erë të të marr aty ku mëkohet jeta

dhe jo t’i zë pritë vrasësit të Detit të Vdekur

që në versionin polumbar të kësaj poezie

shkujdesur ta hoqi fijen e kashtës nga dora

për notaren kineze me emrin Roberta...

ky është momenti kur unë do bëhem interesant

dhe do filloj të të kuroj, ty e panjohur,

ne bienale të vërtetash të hidhura

me kosto jo edhe aq të lartë…

se nganjëherë gjërat vdesin parakohe,

nga dëshira për t’i jetuar shumë...

ngushëllohemi se kështu ish e shkruar

çdo ndarje është një monument lirie

me piedestal gurin që zemrës i vumë…

por brenda teje ka një vend që ti s’e di

ku ndjenjë e brishtë pasqyrohet kokëposhtë

lot bëhet gjaku në gijotinë të shpirtit

kur njeriu i trishtë në pellgun e vetes hidhet

për të mbytur një tjetër që gjithnjë mbijeton…

po ikën dhe ky mëngjes si të tjerët

është ora kur mbi kajmakun e kofshëve të tua

si akrepat e ores 9 do përthyhet rreze e diellit

(e djallit thuaj!)

le të gjerbim deri në fund këtë kafe pra,

se fundja unë të shpika ty këtu pranë

ti mund të ishe duke vënë një filxhan

mbi një lavatriçe tjetër në një tjetër garazh

ku tymos një tjetër burrë…

vazhdimisht sa unë i huaj…

(nga vellimi poetik "OVAL", 2016)

©Artan Gjyzel Hasani