Krijimtari

Fjala - Tregim nga Faruk Myrtaj

Ditë të tëra që s’kishte qiell. Kishte vetëm re, re të zeza, të rënda, re dhe vetëtima, që feksnin herë pas here si për të kujtuar se qielli, ai i larti, i kaltri, ishte pas grumbujve të reve të errëta si pirgje rrobash të palara.

Ditët s’ndryshonin shumë nga netët. Ditët kishin pak dritë më tepër por bashkë me dritën edhe trishtimin e vobektësisë së diellit. Netët e bënin më ngjethës boshllëkun e hapësirave përmes grataçielave, nga vinin bubullimat, që ndiqnin njëra tjetrën si goditjet e artilerisë.

Shiu i njomte pa i dalluar, netët dhe ditët, sikur kishte dëshirë për të tretur çdo dallim, edhe atë më të voglin, midis tyre. Dukej sikur dikush nga lartësitë po merrte fotografitë e fundit të tokës poshtë para se të ndodhte përmbysja e paevitueshme.

Nëntor i tillë s’ishte parë kurrë.

Thuhej se presidenti ishte sëmurë. (Flitej për kancer femër). Kishin ardhur e priteshin çdo ditë me avionët e linjave të gjatësive të ndryshme, doktorë me emër; thuhej se u ishte premtuar shuma prej një miliard për çdo orë jete zgjatur presidentit. Të joshur nga këto oferta priteshin të vinin doktorë nga skajet e planetit, nga besime të ndryshme, kjo s’kishte asnjë rëndësi, mjaft të më tej jetonte presidenti. Doktorë të shumtë, iknin fshehurazi nga shtretërit bashkëshortorë, nga shtëpitë e spitalet e tyre, nga fqinjët e kolegët, nga kryeqytetet e shtetet, nga zemërimi i popujve ndaj presidentit që pritej të vdiste.

Kështu e përdornin fjalën: “…pritej të vdiste!”, jo “kurohej të shërohej”, jo!

Doktorët i prisnin në aeroport dy nga ndihmësit më të afërt të zv/presidentit. Me rojë të përforcuar, sipas emrit të doktorit që vinte. Nga aeroporti në vilën ku kurohej para vdekjes presidenti. Aty i priste zv/presidenti. Vetëm ai. Vetëm për vetëm. Asnjë tjetër. As gazetarë as fotoreporterë.

Ishte urdhër i zv/presidentit. Dukej pak si e çuditshme kjo, si trill i këtij muaji të çuditshëm lagashtak.

Gazetarët transmetonin kronika të thata, ndonëse shira të tilla s’kishin rënë kurrë. Asnjë kronikë televizive, asnjë fotografi edhe pse blicet kishin shkrepur pa pushim nga qiejt. Çdo gjë e thatë, si kolla e vdekjes së presidentit (i cili bënte fotografi ku dilte i qeshur. Thoshin se këto ishin foto të hershme të rregulluara).

Doktorët dilnin prej pritjes së zv/presidentit si … prej bodrumeve të errëta ku kanë përkëdhelur floririn e tyre. Por dukeshin të qetë, si përpara një operacioni të vështirë që në nëntëdhjetë e nëntë nga njëqind rastet sjell vdekjen, por megjithatë ata ishin të qetë në një përqindëshin e tyre, të emrit e lavdisë së tyre.

Thoshin se presidenti ishte sëmurur pikërisht kur kishte ndërmend të ndërmerrte një vizitë të gjatë në popull. Çudi, në popull! Thoshin njerëzit me vete, vetëm me vete. Dhe kush, ai presidenti që s’dinte të qeshte kurrë, që i kishte harruar të qeshte prej vitit që u bë president! Ai mund të lëvizte në popull vetëm i mbuluar prej dhunës, në rrugë të kontrolluara dhjetë ditë më parë, në mes të forcave të panumërta të policisë, ushtrisë, ruajtësve të rendit me dhe pa uniformë, mes fuqisë së mishtë dhe të hekurt të shtetit. Ose pa e ditur kush lëvizjen e tij. Si hëna pas këtij qielli plotë re të Dhjetorit. Ajo nuk ndjehej, nuk dukej… Hënë po, hënë le të bëhej presidenti!

Njerëzit kishin nisur e flisnin pothuaj hapur, bile për vdekjen e tij. Ose, kur nuk guxonin ta bënin dot këtë, s’linin rast pa mburrur e lëvduar zv/presidentin. Kjo nuk sillte asnjë të keqe. Bile për zv/presidentin po flitej aq shumë këto ditë (të ngrëna nga kanceri femër i operuar).

Thoshin se ai ishte krejt ndryshe, paçka se ishte zv/president.

Për atë mund dhe kështu i shkonte më mirë t’i flisje, zëvendësues i gjithçka-jetë presidentit. Bile dëgjoheshin zëra se ai ishte grindur me presidentin, e kishte kundërshtuar atë, por presidenti s’kishte ç’t’i bënte tanimë pasi zv/presidenti ishte plot influencë.

U fol, në grupe, për një atentat të përgatitur kundër jetës së presidentit, por doli para ekranit zv/presidenti dhe duke mos e fshehur kënaqësinë i siguroi shtetasit se presidenti ishte shëndoshë e mirë. Një buzëqeshje tërë dritë, lëbyrte ekranin e televizorit edhe disa minuta pas largimit të tij.

Mjekët, megjithatë, vazhdonin të vinin. Njoftime të ndryshme të agjencive të lajmeve flisnin për divorcet që kishin kërkuar disa nga gratë e doktorëve, si protestë ndaj burrave që, kundër dëshirës së tyre, përpiqeshin t’i shpëtonin jetën presidentit xhelat. Popuj të disa shteteve u kishin ndaluar kthimin në atdhe doktorëve, duke u mohuar shtetësinë, dhe popuj të tjerë, bile kombe të plotë, i kishin dënuar me vdekje në mungesë.

II

Zv/presidenti e nisi vetë udhëtimin që thoshin se e kishte menduar presidenti. Qysh në takimin e parë me disa autoritete, ai deklaroi duke qeshur se s’kishte qejf ta thërrisnin zv/president! S’kishte dëshirë, “të paktën gjatë këtij udhëtimi” - kishte shtuar ai, duke u rrahur krahët.

Moti befas kishte qëndruar. Dikush si me dorë largoi retë, shojti vetëtimat, qetësoi bubullimat dhe shfaqi qiellin si të larë gjatë gjithë këtyre ditëve me sapun të kaltër, të kaltër. Dielli u duk i artë i shndritshëm dhe si i kënaqur në vete, se kishte ditur të lindëte ditën që dilte zv/presidenti prej pallatit.

Fjalët e para që thoshte zv/presidenti, kudo ku pritej, kudo ku zbriste ishin për shëndetin e mirë të presidentit. Sikur donte t’i zhgënjente shtetasit që kishin dëgjuar plot gjëra të këndshme për të. Ai po dukej gjithsesi i çuditshëm. Sikur s’ishte zv/president. Hynte gjer në tregun e përditshëm, pyeti për furnizimin me produktet e natyrës, qeshi me një shitëse të bukur duke e kujtuar se me siguri i duhej ta çonte peshoren për ta kolauduar; tek një privat mori një mollë duke i kërkuar të falur që s’po e paguante!

Radioja dhe Televizioni s’linte asgjë jashtë kamerës. Një zell i tillë vështirë se i ishte bërë ndonjë zv/presidenti. Bile kapërcente edhe shoqërimet e presidentëve të mëparshëm. Njerëzve sikur u vinte mirë nga kjo. Donin ta harronin fare presidentin. Sikur të kishte vdekur.

Nga vila ku pritej vdekja e tij s’dilte asgjë. Vetëm zv/presidenti thoshte kudo se presidenti ishte shëndosh e mirë. Edhe pse ishte qindra kilometra larg kryeqytetit.

Ditën e tretë zv/presidentit i zuri veshi zërin e një fëmije biond, që i lutej në emër të gjyshit 113 vjeçar të shkonte ta takonte.

Dikush prej atyre që kishte në krahë i tregoi se plaku ishte vërtet interesant. Jo aq prej moshës (ai kishte përcjellë për në tej-botën jo vetëm bashkëmoshatarët e vet, por edhe ata që e kishin parë prej fëmijërisë së vet me thinja, plak) se prej asaj që ditëve të fundit 113 vjeçari kishte ndërprerë të ngrënit. E kishte quajtur të kotë të jetonte kur çdo gjë do ta priste prej të tjerëve.

- Do të rrosh më tepër se ç’ke rrojtur! - i foli zv/presidenti duke hyrë.

Ishte rasti më i rrallë, ndofta i vetëm, që një zv/president i një shteti të tillë, si vendi i tij, hynte gjer ne shtëpinë e një qytetari krejt të panjohur. Të gjithë çonin supet për natyrën e zv/presidentit dhe kujtonin ç’kishin dëgjuar për të. Thuhej se ai do t’i largonte menjëherë bazat e huaja ushtarake, do të zbatonte lirinë e vërtetë të fjalës, të shtypit, do ta lejonte njeriun të besonte se mund respektohej si njeri…

-Erdha! - i foli plakut.

-Largoji hijet e tua! - tha plaku duke tundur majat e gishtave lehtë në ajër.

-Ashtu bëni! - buzëqeshi zv/presidenti. Dolën të gjithë të tjerët. Dera u tërhoq, por nuk e mbyllën plotësisht.

-Do të më thuash të vërtetën? - iu lut plaku, duke i përkëdhelur majat e këmbëve sikur donte t’ia puthte.

Tjetri u përkul. Bile u ul pranë 113 vjeçarit, duke e vërejtur të tërin. Duke menduar se 113 vjeç njeriu mban mend gjithçka, zv/presidentit i qeshi fytyra kur tha me vete se ky plak kishte njohur e dëgjuar zërin, kishte reaguar duke iu bindur ose rebeluar më shumë se njëzetë presidentëve, mbretërve e princërve.

Që prej moshës 65 vjeç, kur i kishte vdekur i ati, pra prej një gjysmë shekulli pothuaj, ai ka pritur të vdiste. E mbante në shtëpi arkivolin e vet që nuk ia jepte askujt. Askujt. Kishin vdekur ose i ishin vrarë në aksidente të ndryshme ose luftëra plot njerëz të tjerë të afërt e të njohur, I kishte vdekur edhe djali i vetëm, por ai nuk e kishte dhënë arkivolin.

“Po ta jap sot, dihet që do të vdes ditën tjetër!”

Zv/presidentit iu duk edhe i bukur. Pas një shekulli e trembëdhjetë vjetësh pema e trupit të plakut ishte ende e mbajtur.

Pranë plakut, nga ana tjetër e tij, ishte arkivoli. Ai që do mbyllej një ditë me plakun brenda. Kjo sigurisht do të ndodhte një ditë. Ti kot që vonohesh, më kot e zgjat, i thoshte plakut prania e arkivolit, tek unë do të kalosh, shekullin tjetër. U hodhe nga brigjet e një shekulli, notove në gjithë rrjedhën e të dytit, duhet të dalësh në brigjet e tjetrit, çdo të bësh tjetër?! Dy herë s’lahesh dot në të njëjtin ujë. Ti do të vdesësh, bile shpejt, kot më afrove këto ditë?!

-Vetëm një orë më shumë se ai dua të rroj! - tha plaku duke e parë zv/presidentin në sy.

Tjetri e kuptoi se e kishte fjalën për presidentin që pritej të vdiste, por s’foli.

-Do rrosh, do rrosh - i foli plakut - por duhet të hash. Dhe të mos e mbash kaq pranë atë! - tregoi me sy arkivolin.

-Ai është jeta ime, jo vdekja - tha tjetri. E jap vetëm për atë… dhe vështroi lart si nga qiejt, sikur shpirti i presidentit të ishte nisur ndërkohë për atje.

Plaku dhe zv/presidenti ishin fare pranë. Dera sikur lëvizte paksa.

Plaku i tha atëherë atë fjalën e rrallë, të mençur e të urtë, ku ishte shtrydhur shekulli i gjithë e ca më tepër. Një fjalë që e mahniti padyshim tjetrin, pasi ai u tërhoq paksa, pa e fshehur efektin e befasisë së fjalës, e vështroi plakun si të ringjallurin nëpër legjendat, pastaj ishte duke e besuar vërtet ringjalljen kur pa arkivolin pak më tej, po plaku foli prapë dhe e nxori nga gjendja ireale.

-O… oo…  ç’fjalë! - donte të fliste zv/presidenti.

-Mbylleni derën! - foli prerazi. Dera u mbyll, gjer në puthitje. - O Zot! Si e the, ë?!

Do të dëshironte të ishte ai plaku, le të ishte plaku zv/president! Aq tepër i pëlqeu fjala! Aq e mençur e kumbonjëse iu duk. O, sikur ta kisha thënë unë, mendoi, i dëshiruar pastaj, ashtu do të ishte e mrekullueshme, në gojën e zv/presidentit, ajo fjalë do të merrte hapësirën për frymëmarrjen e plotë, do të fitonte koloritin e fshehur nga pluhuri i njëqind vjetëve…! Do të ishte diçka magjepsëse!

E tërhoqi përsëri mendimin e pakmëparshëm kur tha le të ishte plaku zv/president. Menjëherë. E ç’vlerë do të kishte atëherë fjala? Ai do të ishte plaku, kurse tjetri, ai që tani ishte Plaku, do të ishte zv/president, e përsëri puna do të ishte e ngatërruar.

U kthye përsëri tek Fjala! Siç kthehet gjuha ku dhimb dhembi. O Zot, sa bukur e tha! Sa e rrallë! Si do të jehonte vendi, i gjithë, radioja prej zërit të tij, sikur ta kishte thënë ai këtë fjalë…!

U çua për të ikur.

-Ti që ke ditur të rrosh gjatë, di edhe të heshtësh - i tha plakut- Unë të them se ti duhet të rrosh!

Hapi derën e dhomës dhe vërshuan gazetarët telekronistët; dhoma s’kishte provuar kurrë të kishte kaq shumë njerëz. Plaku mezi i duronte blicet e shndritjen e aparateve fotografikë. Atëherë ata iu kthyen arkivolit që priste prej gjysmë shekulli mes të gjallëve.

Zv/presidenti buzëqeshte gjithmonë. Edhe kur e fiksuan aparatet pranë plakut 113 vjeçar ai vetëm ai, bile as plaku s’besoj se e dinte, që ai mendonte veç për Fjalën!

III

Në të gjitha emisionet televizive të pasdites dhe të mbrëmjes, u transmetua hollësisht, kronika e regjistruar në shtëpinë e 113 vjeçarit. Vështrimi i qetë, i qeshur i zv/presidentit pranë shekullorit e lëkundi edhe një pjesë të mirë të skeptikëve për ato që fliteshin. Fjalët e plakut që nisi të hante përsëri shkaktuan buzëqeshjen e ngrohtë të atyre që ishin para ekraneve.

Atë ditë, as radioja, as televizioni s’dha asnjë kronikë, qoftë edhe të thatë, nga vila ku pritej të vdiste presidenti. Në ekranet qëndroi, pak si gjatë, arkivoli i 113 vjeçarit.

Ditën tjetër, radioja qendrore e para dha me imtësi lajmin e parë të papritur: Vila e presidentit ishte hedhur në erë gjatë natës. Gjithë sa ishin brenda, “presidenti që sapo po shërohej” dhe doktorët e ardhur nga gjithë planeti, ishin gjetur veç si copëra mishrash që ishte e pamundur të rindërtoheshin në trupat e të ndjerëve.

Zv/presidenti ishte kthyer me urgjencë në kryeqytet, çuditërisht shpejt, i alarmuar, për të marrë i detyruar detyrën e re, në postin e presidentit.

Në emisionet e mbrëmjes së ditës së tretë, një ditë përpara varrimit madhështor të presidentit, zv/presidenti foli në ekran për të qetësuar shtetasit.

Ai këtë radhë foli si president. E, megjithatë, sikur të ishte një folës i thjeshtë radioje e jo një president i një shteti të fuqishëm, ai lajmëroi me dhimbje se në mbrëmjen e ditës që u nda aq ngrohtë nga Plaku 113 vjeçar, natën vonë, një grup i paidentifikuar banditesk, kishin vrarë nipin biond, me vështrimin qiellor, tha zv/presidenti, kishin mbytur plakun dhe kishin rrëmbyer çuditërisht arkivolin që ai e ruante prej gjysmë shekulli!

Mes fjalëve të pastajme, presidenti i ri tha edhe një Fjalë, që ndaloi frymëmarrjen e gjithë shtetasve.

Një fjalë që i befasoi të gjithë, për gjeografinë e mençurisë së saj. Një fjalë që ishte e pamundur të lindet pa thinjen e disa brezave njerëzorë radhazi.

Presidenti e kishte thënë i vetëm këtë fjalë. Bile, e kishte përsëritur dy herë.

Do ishte fare e çuditshme pas kësaj, të gjeje ndonjë shtetas jo krenar për mençurinë e presidentit të ri.

26 Nëntor 1984

©Faruk Myrtaj