Krijimtari

Lehtësia e papërballueshme e orës 2 të natës - Nga Artan Gjyzel Hasani

i errët ky bar ku me vetminë time jam ulur

boshatisur salla, e thënë ndryshe, vetëm meshkuj,

2 e pasmesnatës

ora kur vetëkënaqen poetët…

denjësisht largohen dhe dy gjinjtë e fundit

dhe whisky nuk më duket më si qumësht…

më vjen keq që nuk jemi në vitin dymijë

kur në banak mund të tymosja një cigare

por të paktën më lejohet të mendoj për ty

për sa kohë që dhe kjo nuk është ndaluar

për arësye shëndeti a sigurie publike

apo edhe më keq akoma ,

higjienike…

se tekanjoze shumë kjo botë

disa ankohen se dashuritë e pastra 

i bëjnë pis…

të tjerë se u prishen flokët

nga një përqafim…

po nejse…

le të shpikim një sëmundje të re

për dy pacientë të shëndetshëm si ne

një diagnozë unike

“overdozë dashurie” është e vjetër

“mungesë dashurie” akoma më e vjetër

epidemike që në Romën antike

ku në orgji servirej vetja

dy Nubiane tekja…

“doni edhe një Johnnie, zotëri?”

“jo, nuk dua tjetër…”

hedh sytë në mur dhe ora prapë 2

nuk më bëjnë sytë

2 pasmesnate

dhe nuk jam çmendur

“është ndërruar ora, zotëri

gjashtëdhjetë minuta para!”

oh, ç’fat!

gjashtëdhjetë minuta zgjat një jetë

po aq edhe një funeral

e mjaftueshme për të vdekur i gjallë

por jo për të lindur i vdekur…

oh ç’ngushëllim!

gjinjtë e fundit do shfaqen prapë!

dhe

kur me qumësht të dehet fëmija brenda meje

ty, e vogla ime, atje larg

në gjumin e trazuar që zgjon liqenin

do të të dhëmbin thithkat e forta

do të të ndizen buzët e etura

fikur në agoni orgazmat

dhe për të mijtën herë

brenda një çasti

do mbarsesh nga unë

për të më lindur...

(nga vellimi poetik "OVAL", 2016)

©artangjyzelhasani