Krijimtari

Iluzione dhe Hieroglife - Nga Vangjush Ziko

LUMTURIA E ETJES

Zali e vapës nuk është gjë,

duhma e saharës

më mbështjell me prush rëre,

gjurmët e mia,

liqej shprese të tharë

mbeten pas meje,

ëndrrat vdesin

si peshq të zënë në grep,

palmat u thanë,

zogjtë ranë përdhe të mekur,

vdekja oazin e zbrazi,

etja për ujë

më lumturon më shumë se oazi.

 LOJË ME ZAJET

Vezë pëllumbi

a vezë gjarpri zajet janë,

I ngroh dielli në zall,

dalin nepërka,

I ndriçon hëna,

xixëllojnë xixëllonja.

Fryn veriu

dhe ngrihen turtuj

me push myshqesh

në krahët e hirtë.

Mjegulla klloçkë i mbledh,

i bën zajet shkëmb përsëri,

vërshon përroi zallit

thërrmon prapë

shkëmbin e malit.

 FORMA E QENIES

Më mbështjell ajri,

retë më shtypin nga lart,

hija ime në mëngjes zgjatet,

më drekë e shkel me këmbët e mia,

s'e kuptoj

kush i jep formë qënies sime,

me formë e pa formë ec në jetë,

hap krahët t'i ankohem zotit,

mbi hijen time në formë kryqi

shkon makina e fatit,

mbetet mbi asfalt

hieroglifi im i padeshifruar.

©Vangjush Ziko