Peshkatar i absurdit - Nga Vangjush Ziko
OQEANI IM
Kam dhe unë në shpirt
një oqean
sa kafazi im i gjoksit.
Lundrojnë në të ditët e mia,
(reliket e tyre në venat lundrojnë
të heshtura).
Kam një breg me rëra të mermerta.
Pas çdo përmbytjeje,
mbeten atje vargje të sedefta
të dhimbjeve të mia të bukura.
PESHKATAR I ABSURDIT
Lumi i jetës rrjedh,
Unë shelgu buzë tij,
shelg i motshëm,
Kujtoj jetën
që ik e nuk kthehet.
Kujtimet përpëliten
me grepin në buzë,
ua heq dhe i le të notojnë
mes koraleve të trëndafilta,
mes shkëmbinjve të mprehtë
të detit absurd të kujtesës.
LËNDINAVE TË SHPIRTIT
Ç'm'u fanit kjo ëndërr kështu.
Bredh në qiell dhe lule këput.
Zbres në tokë dhe thur
një buqetë me yj.
M'u përzjenë lëndinat e shpirtit
(në ëndërr, a zhgjëndërr, s'e di).
Bredh gjysmi ëngjëll
e gjysmi njeri.
Mbi një varr shpie lulet,
Mbi një djep yjet serit.
Mbi dhe' u lind një lypsar.
Në qiell u ngjit një martir.
(Nga vëllimi: “Më Zgjo Pëllumb i Noes”)
©Vangjush Ziko



