Poezia ime këndon dy dimra dhe dy pranvera bashkë - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Mississauga, Ontario
1 Korriku, është Dita kombëtare e Kanadasë. Po bëj, gati, dy dekada që kremtoj edhe festën e flamurit kanadez me gjethen e panjës në fushën e vet.
E çuditshme!
Dy tatuazhe shoqërojnë imagjinatën time: krahët e shqiponjës dhe gjethja e panjës.
Poezia ime këndon dy dimra dhe dy pranvera bashkë.
E ÇUDITSHME SHTËPI KJO
Më zgjon agimi,
flladi ma fshin ëndrrën
që më bën të vuaj.
Jetoj në një shtëpi,
që bie erë mërgim
dhe borzilok të tharë malli.
Librat në raft bëjnë dialog absurd
me spikerin e televizorit,
që flet tjetër gjuhë.
Fotot e qytetit tim
në mur si në muze
kuriozë bëjnë sytë e dritareve
të kësaj shtëpie
me ëndrra të dhimbshme
dhe shpresa për një jetë ndryshe.
TATUAZHET E MIA
Linda me tatuazhin e shqiponjës
mbi kraharor,
me këta krahë zogu,
që shtegtimi përjetë i ndjell.
Bie dhe fle në këtë fole
në dhe të huaj
me ta mbuluar.
Një panjë çdo mëngjes
mbi mallin tim vë
pëllëmbën e saj me vesë.
I shartuar me mërgimin,
në dy tempuj pagëzuar,
bëj hije në dy kontinente
me dy tatuazhe mbi vete.
NËNA
Mora në ëndërr thirrje për në gjyq,
Njëra me avion. Tjetra e thjeshtë.
S'është një thirrje. Janë dy,
Dy toga të zeza hijerreptë.
Solonin thirra avokat
Nga koha e vjetër, e lashtësisë:
Mbromë, jam me fat edhe pa fat,
Jam me shtetësi të dyfishtë.
Buzëqeshi Soloni nën buzë
Dhe i bëri togat që të heshtin:
Hajdeni t'jua ndaj unë përgjysmë,
Njërës lart, Tjetrës poshtë mezit.
U hodh toga ardhur që nga larg,
Gjysmë e zezë, gjysmë ngjyrë gjaku:
Le ta marrë tjetra, e pastë hak,
Nënës jepini të tijin vargun.
©Vangjush Ziko



