Kolazh poetik me yje dhe natë - Nga Artan Gjyzel Hasani
dremit nata në shtratin tim
aq lehtë
sa pa gjumë më lë…
sa herë që dua ta puth
ta prek
ajo bëhet mëngjes
dhe ngrihet
dhe ikën
bukur ngadalë…
nata është një grua që bën sikur fle…
* * *
ngadalë pikon muzgu mbi mua
këtë errësirë të bukur që më jep dritë
dhe mbrëmja mbushet me natë
por s’mund të fle
duhet t’i kap
yjet janë xixëllonja që harrojnë të kthehen
sa herë që unë mbyll sytë…
* *. *
zgjohem dhe shihem në pasqyrë
pas meje shfaqet një grua e bukur
supet e mia janë kujtesa e duarve
të saj
ajo më prek dhe ndjehem aromatik
si të kem shkëmbyer vështrimin
me një manushaqe…
pastaj largohem duke bërë kujdes
të mos shkel lulet e vizatuara të pllakave….
©artangjyzelhasani



