Krijimtari

Legjenda e harruar - Nga Vangjush Ziko

LËKURA E DASHURISË

Dashuri,

je sy,

je buzë,

mish e shpirt,

mëkat e virtyt

në të njëjtin trup

je ti,

e ashpër

dhe e mëndafshtë

lëkura jote,

dashuri.

 

LOTËT E PENDIMIT

S'di ç'krisi

në shpirt,

buzët

që shqiptuan ato fjalë

vetë u gjakosën,

Mbledh

buzëqeshjen tënde

të ronitur

në pëllëmbën mëkatare,

lotët e pendimit gëlltit,

I hidhur

eleksiri i lumturisë.

 

LEGJENDA E HARRUAR

Mos u çuditni

pse dhemb dashuria,

skllave bëhet

edhe e lirë ajo,

përkëdheleni

jo me pëllëmbë të akullt,

as të përvëluar jo,

lule hibride

(manushaqe

dhe lule gjëmbaçe),

ëngjëll e pabesi

veshur me nur,

ti dashuria jonë,

Romeo e Zhuljetë,

legjenda e harruar

qyshkur.

©Vangjush Ziko