Krijimtari

Poema e rënies - Artan Gjyzel Hasani

1

nuk i pamë gjethet kur ranë

ishim shumë të zënë

po flisnim për degët e thyera

2

se ne kurrë s’kemi kohë

të shohim gjërat ndërsa bien

gjethet në vjeshtë

a veten në dashuri

s’kishim parë më parë as shiun

kur iu këput një pikë fatlume

që s’ra përdhe, por mbi gjethen lagej

ai tingull delikat që pothuajse s’ndjehej

ishte valsi i gjethes para se të përbaltej...

3

nuk duam të jemi dëshmitarë okularë rrëzimesh

por konsumatorë shembullorë kortezhesh,

oratorë mëshirëplotë varrimesh

preferojmë të rënët kur fundin kanë prekur

kjo është zeja jonë ogurzezë

e ne jemi vërtet të mirë në të

absolutisht të mrekullueshëm

në artin e hipokrizisë së domosdoshme

për të bërë të ndjehet mirë një i vdekur...

4

por kur s’vdes dot a s’mund ta vrasin

njeriu bie në dashuri

e kjo do të thotë qe ajo aty poshtë tij qënka

duke pritur që ai të bjerë

si dheu për shiun

trotuari për gjethet

si rrezen e mengjesit kuverta e yjeve

tapeti jeshil i dhomës akoma të boshatisur

që pas pak rrëmujë do të bëhet

nga lodrat prej ëndrrash të të dyve...

5

në galerinë e dhimbjes sonë

ku vizitorët janë të tjerë

portreti i pritjes është malli

i vizatuar jo me penel,

por me brinjë nga një kraharor kali

që kurrë nuk di të na shpjerë...

6

mungesë peshe e atij që kujtuam se ishim

boshi që na mbjell në gjoks hija

pastaj gjithnjë vjen trishtimi

aq i hidhur kur vjen si buzëqeshje

madhështor rrëzimi kur bëhet rënie

e ti udhën teposhtë merr

vjedh frymë zbrazëtia, por gjurmë nuk lë

i verbër si tymi edhe ajri nganjëherë...

7

por tani ia dimë sekretin rrëzimit

dhe rënies së gjethes

sepse më parë kemi qenë shi

para se të bëheshim gjethe

shumë kohë para se të bëheshim një

kur dy ishim dhe rrëzoheshim te njëri-tjetri

ashtu…pa bujë…pa dëshmitarë…

si brenda vetes…

©artangjyzelhasani