Mësim natyre - Nga Vangjush Ziko
BIE SHI ME YJE
Një grimcë e botës jam
teleskopi i kozmosit
s'më dallon dot,
(patjetër më ndien
dhe heton).
Ankthi im
ngarkon retë,
zgjon tërmetet,
bie shi me yj të nxehtë.
S'zhuriten vuajtjet,
vyshken gëzimet
në këtë planet
me jetë
dhe pa jetë.
MËSIM NATYRE
Ç'i duhet drurit
kjo kurorë e blertë, -
ia hedh përdhe
xhelozja vjeshtë!
Këto degë, jo degë,
flatra për fluturim,
ç'i duhen?
rrënjët të fluturojë s'e lenë!
Inçizon druri
stinët me vesë,
stinët me brymë,
stinët e thata.
në trung të tij.
Trungun ia pret
një ditë sopata.
Lexon druvari
rrathët e jetës,
rrathët e vet danteskë.
KALË ERGJELE
Vërtitet globi
me malet e halleve,
me qejfet e çartura të oqeaneve,
me prushin përvëlues
të ëndrrave të saharave,
me shpresat lundruese
që shkrijnë si akullnajat.
Mbaj globin
mbi shpinën time samar,
unë atlasi modern
me maskën mëgojzë
në memecen gojë,
me fre të qëndisur
me tirtir e sërma,
kalë ergjele i bërë zap.
©Vangjush Ziko



