Shëtitje në pyll - Nga Vangjush Ziko
RRËKEZA
Rridhte rrëkeza nëpër pyll
shtegut që hapur e kish vetë,
e ndjekur larti nga një yll
kundrues përmes fletësh.
Ylli u shua, rrëkeja rridhte
me xixëllonjën e tij mbi valët.
Dhe pylli lehtë shushuriste
dhe gurët ndritnin nga vala larë.
Një zog i vogël mbi një degëz
dublonte këngën e rrëkezës,
Gërvishtte valëzën degëza e ferrës
me atë gjembin e saj të egër.
NJË BREDH I KALTËR
Një bredh i kaltër lyer me qiell,
papritur doli buzë rrugës,
ia dhela halat gemb më gemb,
halat e tija të kristalta
ku flinte ëndrra edhe nata,
më zgjati krëhërin e kthjellët
edhe prej bredhi dhe kristali
të kreh mendimet që s'më shqiten,
tok me një brengë të një malli,
që herë zhduket, herë fanitet,
paqja e qiellit m'i dheli vitet
me kaltërsinë e kristalit.
NJË FISHKËLLIMË
Një fishkëllimë e papritur,
paqen e shpirti në çast ma prishi,
timpanë e veshit ma gërvishti,
Rrëshqiste gjarpri dhe fërkohej
mbi lule dhe mbi bar të blertë.
Zot, nga parajsa vërtet na zbove,
po gjarprin ç'na e dhe me vete.
©Vangjush Ziko



