Alibitë - Nga Artan Gjyzel Hasani
mali është alibia e malësorit, kur shtiret si i fortë,
shiu - alibia e dheut, kur bëhet baltë e butë,
dhomë e gjumit - alibi e te dyve kur hiqen si bashkëshortë,
kjo botë e dhjerë - alibia ime e të qënurit mut...
ngrica - alibia e luleve që s'ditën të çelin kurrë,
vjeshta - alibia e gjetheve që lindën të vyshkura,
sperma - alibia mashkullore e të qënurit burrë,
lotët - alibia e faqeve të fishkura...
era - alibia e reve që ikin s'dinë se ku,
Itaka - alibi e hallakatjes në det,
Edgar Poe - alibi e Korbit që mbi derë është nguju
dhe TI - alibia ime e të qënurit poet...
ti - alibia ime në qiellin e shtatë,
unë - alibi e arratisjes tënde nga dashuri e vjetër,
ti përsëri - alibia ime në ferrin e zjarrtë
e përsëri unë - alibia jote kur të më lësh për një tjetër...
kafazi i artë - alibia e zogjve shtegtarë,
dashuria - alibi e atyre që tradhëtuan shumë,
gjumi - alibi e njeriut ëndërrimtar
dhe unë - alibia e të qënurit UNË.
(nga vellimi “Misioni Paranoik”, 2006)
©Artan Gjyzel Hasani



