Vizatimet e panjës - Tri poezi nga Vangjush Ziko
Vangjush Ziko - Toronto
I PAQTI AMSHIM
Po bie dëbora ngadalë,
me ndrojtje,
mbi botën e mbushur
me plagë vjeshte.
Me vello vesh panjat
që dremitin në heshtje,
pishave plaka u var pas gushe
gjerdhanë nusesh,
baltës dhe trungut të tharë
u hedh qefin të butë supesh.
Në pëllëmbën time
një lot i bardhë engjëlli
bie dhe shkrin,
Botën e mbushur me halle
e zbardh dhe e ndrin
i paqti amshim.
TRANZICION
E di si e mbledh
gjarpri helmin
duke ngrënë dheun e zi,
di që dhemb shpirti
por psenë s'e di,
me gjarprin s'më lidh gjë
megjithëse zvarrë hiqem
mbi këtë tokë malezhveshur,
lëndinëveshur,
parajsë e skëterrë,
djeg vargjet për lumturi rozë,
tranzicioni s'qenka shestim feste,
brenga ime s'është hidhërim,
as vargu im lëkurë e zhveshur gjarpri,
janë vargje dhe ëndrra gri
për stinën që s'di kur ka për të ardhur.
VIZATIMET E PANJËS
Dimri m'i mori kyçet,
më mbylli brenda.
Kundroj vizatimet abstrakte
mbi qelqet e dritares:
gjethe përralle
të ndrydhura nga dhimbja,
zogj imagjinarë
në fole të braktisura,
lule pranvere të thinjura
me pika vese sumbulla.
Panja, nga malli,
me gishtat e saj akull
vizatoi mbi qelqet
stinët që humbëm.
©Vangjush Ziko



