Krijimtari

Ftesë për Shën Valentin nënës sime plakë - Nga Artan Gjyzel Hasani

Nënë, e dashura ime nënë,

mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti

është Dita e Të Dashuruarve…

shko më vonë atje

në mbrëmje kur askush s’të sheh

dhe tregoja të gjitha…

eja të shkojmë në vende që të bënë të lumtur dikur

atij parku me shelgje ku puthjen e parë more

e të vetmen dashuri ndjeve gjirin të të djegë...

eja të shkojmë atje ku vajza u bë grua

te ajo dhomë e varfër ku me tim atë

për të parën herë bëtë dashuri

dhe përjetësinë njëri tjetrit i premtuat…

eja dhe vër parfumin më të mirë

dhe vec për sot hiqi rrobat e zisë…

vishu siç do donte babai të visheshe

fustanin e kaltër dekolte…

bizhutë dhe sandalet që në dorë mbaje

sa herë që e dehur prej lumturisë

në krahët e tij rrugën për në shtëpi merrje…

ndërsa e qeshura jote kumbuese

erresirës i prishte qetësinë…

eja të shkojmë në vende tunduese

që sot i ka mbuluar harrimi

ku xhelozinë ndjeve të të plagosë

dhe shtegëtimet e zogjve nise t’i dyshosh

pa e mësuar se kush e kish fajin

qielli

flatrat

apo fluturimi…

dhe natën vonë shkoi pranë mermerit

thuaji se nga të gjithë premtimet

që shkujdesur të falte ai,

më e ëmbël ishte dhimbja…

mes mërmërimash bëji dashuri

falja edhe ti të gjitha

........................................

mjellmës klithmën që askush s’ia dëgjoi

tradhëtoja në mënyrën tënde të butë…

të bardhë dhe të urtë…

duke mbetur përjetësisht e tija…

Nënë, mos shko këtë mëngjes te varri i tim eti

shko më vonë atje,

në mbrëmje kur askush s’të sheh

dhe tregoja të gjitha…

është Dita e të Dashuruarve,

e të dashurve…

e dashnorëve

e besnikëve dhe tradhëtarëve bashkë…

është dita e dashurive të zhurmshme

dhe e mjellmave që s’bëzajnë…

(nga libri "Mëkatari", 2011)

©Artan Gjyzel Hasani