Homo Idioticus - Nga Artan Gjyzel Hasani
fluturojnë në ajër edhe gomerët më në fund
me maska në fytyrë që të mos infektohet Marsi
kam lënë tymosjen që të shpëtoj planetin
një cigare e imja ndezur në Afrikë
shkrin ajsbergun tënd në Arktik
ujërat përmbytin trutë bashkë me qytetin
pikërisht kur ti je duke u martuar me një ndërtesë
natyrisht pasi je divorcuar nga një pemë
që të tradhëtonte me një burrë
që deri në orën 12 të mesditës është grua
janë shtuar shumë ata që hedhin gurin në lumë
aq shumë sa nuk ka kush ta kërkojë më
në këtë botë ku nuk humbet asgjë veç mendjes
dhe mendja e humbur është uterusi ku ngjizen idiotët
dema të lumtur pasqyruar kokëposhtë
në sytë melankolikë të lopës së jetës…
Homo Idioticus ndryshe nga vëllai i tij Sapiens
për një grusht para nuk i shet Djallit vetëm shpirtin
por edhe mendjen…
Homo Idioticus është çfarë ai thotë që është
dhe këtë ti duhet ta pranosh pa kushte
e për të ti je çka ai vendos sipas rastit të të quajë
mizogjin, homofob, racist, fashist, armik i njerëzisë
ka mikrofonin në dorë, altoparlantin, kërbaçin dhe pushtetin
me peshoren sakate të drejtësisë jep verdikte
ku inteligjenca jote shpallet kriminale, e jashtëligjshme
e dëmshme për fëmijët e 50 hijeve të Gjinisë…
rri në shtëpi dhe ne ekran më shfaqet veç fytyrë e tij
me nofulla katrore dhe pa tipare
Homo Idioticus par exellence
shtyp butonin, ndërroj kanalin
por s’kam ku ta çoj, kudo shfaqet ai
e mbyll dhe marr udhën për në dyqanin e armëve
tjetër zgjidhje s’ka
duhet blerë një pistoletë patjetër
në mos për ata
për veten…
(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)
©artangjyzelhasani



