Krijimtari

Manushaqet e barutit - Nga Artan Gjyzel Hasani

bota u përket të fortëve, manushaqja ime,

dhe ti nuk bëhesh dot as shkurre as bombë…

njerëzit i kanë hundët të zëna me barut

për të kundërmuar aromën tënde

dhe në mëndjet e tyre nuk lulëzojnë dot lulet

ndonëse mbushur me pleh dhe mut…

ti je e vockël, manushaqja ime,

e mësuar të të këpusin padashje doçkat e fëmijëve

të të zënë nën vete trupat e zhveshur të dashnorëve

dhe jo çizmja brutale dhe cinikët e armatosur me urrejtje

e ndrojtur si nderi që kurrë nuk rritet në Sodoma dhe Gomorra

delikate si një flutur që ndalon në përkrenaren e gladiatorit

para se ai të vritet

por ti je e fortë në pafuqinë tënde

një lot që s’pranon të bjerë poshtë

edhe kur asnjë nga shtigjet nuk shkon drejt qiellit…

nuk e di pse të futa sot në këto vargje, manushaqja ime,

ndoshta ngaqe kam nevoje per ty.

ndoshta ngaqë pranvera po vjen me lule baruti

dhe unë duhet të shpëtoj një jetë

doja të të mbroja edhe nga vetja ime

e tjetërsuar në luftën e përditshme të bashkëjetësës

me idiotët që zotërojnë liçencën e zgjuarsisë

me e madhe se dëshira për të të këputur

është frika se të dhuroj në njerëzit e gabuar…

pa sy që të dallonin bukurinë tënde

dhe pa hundë që të nuhasnin aromën tënde dehëse

ata do të t’i kafshonin petëlat me dhëmbët e tyre të vënë 

të bardhë, të fortë e të frikshëm

duke pështyrë përdhe do të mallkonin pranverën

e unë në pamundësi për të të mbrojtur

do të bëja avokatin e djallit

dhe do të fajësoja dentistët e tyre…

(nga vellimi poetik "IDIOTICUS", 2022)

©artangjyzelhasani