Njeriu pemë - Nga Vangjush Ziko
Pse të mos isha pemë,
dru me rrënjët në tokë,
kurorën në qiell,
folenë mes gjetheve
ku të flinin yjet
e të zgjoheshin vetëtimat
si mendimet në kokën time,
rrënjët të kërkonin
burimet e pranverës
si ndjenjat e mia lumturinë
nën akujt e ngrirë të jetës,
gjoksin të ma rrihnin suferinat,
gjethet si flokët të më thinjeshin
dhe unë të shkrija si dimër
në pranverën e dashurisë,
petalet e luleve të binin
mbi kostumin e dhëndërisë,
kokrrat e shegës së çarë
të pikonin gjak
si buzët e virgjërisë,
në prehër të vjeshtës
të binin fjalët pleqërishte
si gjethet nga cingërima mpirë,
kur të ma sharronin hijen,
në trung të m'i lexonin
stinët dhe njerinë.
©Vangjush Ziko



